Partizani i përgjigjet Gjicit dhe e fton të bashkëpunojnë

0
SHPËRNDAJE
Loading...


Superiorja / Partizani ka reaguar “flakë për flakë” ndaj deklaratës së presidentit të Kukësit, Safet Gjici, dhënë për “RTSH Sport” dhe emisionin “Gol pas goli” në “Supersport”. Përmes një deklarate zyrtare, klubi i kuq kërkon nga homologët verilindorë të ruajnë qetësinë dhe të mos hedhin baltë mbi rivalët: “Gjici paska deklaruar që “nëse ndeshjen e Partizanit ndaj Luftëtarit e vendosi ndeshjen arbitri 10 minutat e para, në Kukës kuptohet që erdhën të bëjnë të kundërtën”. I kërkojmë z.Gjici dhe FK Kukësit të tërheqin këtë deklarim mbrapsht dhe të ruajnë qetësinë.

Kjo është një deklaratë që cënon punën e një ekipi, i cili derdh djersën në fushë, një stafi të përkushtuar, një tifozërie fantastike, që frytet e punës i shikon tashmë në renditjen e Superligës. FK Partizani nuk është klubi i mësuar me dhurata arbitrash, përkundrazi, i mungojnë pikët nga vendimet arbitrare, qoftë edhe ndaj rivalëve direktë, madje edhe duke anuluar gola të rregullt, por siç duket memoria e z.Gjici qenka shumë e shkurtër. FK Partizani, ndonëse ka përfituar më pak 11-metërsha se gjithë pretendentët për titullin këtë edicion, nuk ka përmendur kurrë rivalët, asnjëherë. Kjo është në mentalitetin e një klubi, që kundërshtarët është mësuar t’i mundë në fushën e lojës, jo në fushat e tjera.

FK Kukësin e ftojmë edhe një herë të ruaj qetësinë, të kontriubojmë së bashku për barazinë dhe përmirësimin e garës, dhe jo për të folur për një nivel të lartë arbitrimi kur ndodhej në krye dhe pastaj të flasë për arbitra kamikazë, të cilët ndoshta “pa dashje” kanë ndikuar që të mbetet ekipi i vetëm pa humbje dhe një nga rivalët më të denjë për titullin. FK Partizani e fton z.Gjici dhe klubin e tij të bëhen pjesë e një nisme për krijimin e një Lige Profesioniste, e cila vetëm do ta përmirësojë kampionatin shqiptar të futbollit, por edhe do të shërbejë për rritjen e vlerës së një produkti, që është në të mirë të gjithë investitorëve seriozë të këtij kampionati, ku padyshim hyn edhe z.Gjici.”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.