Partizani – Kukësi, Skënderbeu shpreson për barazim

0
SHPËRNDAJE

Në një kampionat ku është e vështirë të bësh parashikime, të paktën ka vend për dëshira. I tillë është rasti i Skënderbeut, me kampionët në fuqi që ndjekin nga afër kryesuesit e Kukësit dhe Partizanit. Duke shpresuar në hapat e tyre fals, ku pse jo presin edhe një dhuratë. Nisur nga dueli direkt i kësaj fundjave, ku të kuqtë presin në shtëpi veri-lindorët.

“Natyrisht që bëj tifo për një barazim në ndeshjen ndërmjet Partizani dhe Kukësit. Ky është një rezultat që do të na interesonte.” deklaroi Daja në përfundim të sfidës me Luftëtarin.

Trajneri Daja nuk fshihet dhe shpreson që Partizani e Kukësi të frenojnë njëra-tjetrën për të rikthyer në lojë pikërisht Skënderbeun. Barazimi do të ishte rezultati që do të ridimensiononte ekulibrat e kampionatit. Në këtë rast, skenari i titullit do të bëhej thuajse i paparashikueshëm, sepse të tre skuadrat do të luanin shanset e tyre, mbi të gjitha në ndeshjet direkte. Kjo do të bënte që praktikisht, korçarët të thonin të tyren në garën drejt titullit, sepse në dy javët e fundit do të luajnë pikërisht dy finalet përballë Kukësit dhe Partizanit.

Megjithatë, edhe kjo nuk është situara më ideale. 6 herë kampionët radhazi, mund të kenë më tepër në dorë fatet e dy rivalëve, sesa fatin e tyre. Së pari sepse duhet të fitojnë pesë ndeshjet e mbetura dhe gjatë kësaj kohe të shpresojnë që kundërshtarët të gabojnë. Por, edhe sepse Skënderbeu është në disavantazh me Kukësin dhe Partizanin në duelet direkte dhe mbi të gjitha përballë të kuqve, vetëm një fitore në javën e fundit nuk do të mjaftonte, nëse skuadrat e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta. Në Korçë kanë nisur të bëjnë llogaritë, por fillimisht duhen dhurata të pavullnetshme nga rivalët. Në një sport ku asgjë nuk mbaron deri në momentin kur vërtetë mbaron, të gjithë kanë të drejtë të besojnë dhe të shpresojnë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.