Partizani/ Moggi: I kërkova Demit të krijojmë Juventusin e vogël

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Superiorja/ Për herë të parë ky vit futbollistik i Partizanit, do të fillojë nën sugjerimet e këshilltarit të presidentit Demi, Luciano Moggi. Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, një nga personazhet më të famshëm të futbollit italian, tregon gjithçka po lëviz në klubin e kuq, duke filluar nga trajneri i ri Mark Iuliano, që nuk e konsideron aspak si bast, as me risk këtë zgjedhje, pavarësisht mungesës së eksperiencës si trajner.

“Problemi në këshillimin e një trajneri është që të duhet të kesh disa gjëra parasysh. Për shembull, Iuliano, ka patur bashkëpunim me disa trajner të rëndësishëm në karrierën e tij si Ancelotti , Capello etj. E vija re se gjithmonë i ndiqte me shumë vëmendje lëvizjet e tyre edhe ne vitet e fundit me Juventusin ishte më tepër trajner në fushë se futbollist. E njoh si njeri me karakter. Nuk mund të them se është një bast kjo zgjedhje që bëra për Partizanin dhe nuk ka asnjë  risk, unë e njoh shumë mirë Iulianon. Ndoshta zgjedhja e Panuccit, mund të jetë bast, por jo e jona. Edhe ai një ish-lojtar shumë i mirë por e njoh pak, megjithëse duket se ka dëshirë të bëjë mirë. E rëndësishme është të ndjek rrugën e De Biasit”, u shpreh Luciano Moggi, këshilltar i Partizanit.

Më pas, Moggi tregon se cilat janë synimet e tij dhe çfarë po përpiqet ti këshillojë e mësojë presidentit Demi.

“Unë nuk jam drejtues tek Partizani që vendos, por këshilltar i presidentit Demi. Si i tillë e kam këshilluar presidentin që të krijojmë një Juventus të vogël, pra atë që bëra unë me atë skuadër, me Torinon apo Napolin. Krijim i bazës të të rinjve, pasi një skuadër nuk mbështetet vetëm tek blerjet, por edhe tek shitjet. Një futbollist i mirë nuk jep gjithmonë maksimumin tek një skuadër e caktuar, duhen parë karakteristikat. Një ekip futbolli duhet te veprojë në unison. Për shembull tek Juventusi, mora Zidane, por përkrah tij ishte Edgar Davids. Njëri që dinte ku të hidhte topin dhe tjetri ku të fuste këmbën.”, thotë Moggi.

Pak ditë më parë në mediat italiane, Moggi është akuzuar nga prej trajnerëve më të njohur italian si Zdenek Zeman, se kudo që shkon i falimenton klubet.

“Po e kam lexuar edhe unë intervistën. Zemani në Itali njihet si njeri që flet keq, për Juventusin dhe për mua. Klubet e mija kanë fituar gjithçka dhe kanë funksionuar shumë mirë financiarisht. Për shembull, kur mora unë Juventusin, ne i kishim borxh FIAT-it, 55 miliard lireta. Ja kthyem borxhin dhe për 12 vite fituam gjithçka, pa i kërkuar më asnjë liretë presidentit Anjeli, gjithçka e bëra me forcat e mija. Këtë gjë nuk mund ta thotë një si ai që e kanë shkarkuar nga klubet aq herë sa nuk mbahet mënd. Le t’ju kujtoj paraqitjen e tij të fundit tek Lugano në Zvicër. E çoi në vendin e fundit dhe e hoqën vendosën Tramezzanin, i cili e çoi në Europë. Kështu që as do kisha më dëshirë t’i përgjigjesha këtij djali, por do të bënte më mirë të mësonte të trajnonte se sa të flas keq për njerëzit”, thotë Moggi.

Intervista e plotë

TCH: Përse i sugjeruat Presidentit Demi emrin e Mark Iulianos për stolin e Partizanit?

Moggi: Të jem i sinqertë nuk e zgjodha unë trajnerin, por vetëm e këshillova presidentin Demi për emrin e Iulianos. Për të qenë transparent, për të sugjeruar një trajner duhet të kesh disa gjëra parasysh. Sikurse unë Iulianon e njihja mirë si lojtar dhe për më shumë ka punuar dhe ka marrë leksione nga trajnerë mjaft të njohur si Lipi , Ancelotti  dhe Capello, e shihja që ai ndiqte me vëmendje problemet që hasnin këta trajner. Në vitet e fundit që ishte te Juventus Iuliano më shumë ishte trajner se lojtar dhe për këtë motiv ndoqa me kujdes edhe eksperiencën e tij tek Latina në Serie B, skuadër të cilën e mori në vendin e fundit dhe e renditi në mesin e tabelës. E njoh mjaft mirë atë si një djalë më shumë karakter që dëshiron të fitoj shumë dhe këto ishin motivet që më çuan ti sugjeroj presidentit Demi ta merrte si trajner Iulianon.

TCH: Në ekipin përfaqësues, Federata shqiptare ka emëruar Panuccin dhe ardhja e tij është kritikuar disi, pasi është një emër i madh si ish-lojtar, por jo shumë eksperiencë në drejtim të skuadrave. E njëjta lëvizje është bërë edhe nga Partizani që ka afruar Iulianon, është ky një bast për t’u fituar?

Moggi: Jo, te Partizani nuk do të jetë një bast, por një siguri, përndryshe çfarë këshilltari do të isha, do të këshilloja keq presidentin, ndaj me Iulianon garantoj siguri. Nuk ka asnjë rrezik, pasi duke njohur mirë Iulianon e di se çfarë ai kërkon, çfarë do të arrij. Për sa i përket zgjedhjes së Federatës për Panuccin nuk mundem të flas, por di të them me bindje se ka qenë një lojtar i madh, një kampion, duhet thjesht ta përkrahin në mënyrë që ai të bëj të njëjtat gjëra pozitive siç i realizoj De Biasi. Panuccin e njoh pak, sigurisht  edhe ai dëshiron të bëj mirë në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë, por mendoj se Panucci do të jetë një bast për t’u fituar, ndërsa zgjedhja e Iulianos te Partizanit jo.

TCH: Fituesi në kampionatin shqiptar paragjykohet shumë siç ishte së fundmi edhe rasti i Kukësit.

Moggi: Normalisht për fituesin duhet të rezervohen vetëm duartrokitje,por nëse në Shqipëri fituesi kontestohet , më mirë të kontestohesh se të marrësh duartrokitje. Megjithatë, unë besoj në futbollin e ndershëm dhe do të jap gjithçka për të ndihmuar Presidentin Demi, kjo është e sigurt. Besimi im nis nga fusha e lojës, atje shihet çdo gjë dhe nuk mund të tradhtoj Presidentin, klubin dhe tifozët. Ne do të përpiqemi të trasmetojmë besimin tonë.

TCH: Cili është komenti juaj për deklaratat e lëshuara së fundmi nga Zdenek Zeman?

Moggi: Po e kam lexuar intervistën e Zeman. Dua të citoj diçka sepse gazetari që e ka intervistuar nuk është treguar serioz. Sikurse Zeman është i njohur, pasi gjithmonë flet keq për Juventusin dhe personalisht për mua, ai kënaqet dhe po ashtu edhe gazetarët. Por kur një gazetar merr një përgjigje sikurse Zeman ka deklaruar se Moggi kudo që shkon klubet falimentojnë, që personalisht nuk më rezulton e vërtetë kudo ku kam punuar, gazetari duhet të pyeste Zeman, se cilat janë klubet që kanë falimentuar. Mendoj se edhe nëse mund ta ketë konsumuar këtë pyetje Zeman nuk ka ditur çfarë përgjigje të jap, pasi praktikisht klubet ku kam punuar kanë fituar gjithçka që mund të fitonin dhe kanë qenë të shëndetshëm financiarisht. Juventusi që kam drejtuar unë nuk ka qenë i varur nga “FIAT-it”, kompania që ishte në menaxhimin e familjes Anjeli, madje klubi i kishte borxh “FIAT-it” 55 miliardë lireta. Ne ja kthyem borxhin dhe në 12 vite Juventusi im fitoi të gjithë trofetë e mundshëm duke mos i kërkuar asnjë qindarkë aksionerit kryesor të klubit. Çdo gjë e kam bërë me forcat e mia duke blerë lojtarë dhe duke i shitur me shifra të konsiderueshme. Më bën përshtypje fakti që më sulmon një person si Zeman, i cili ka dështuar kudo. Mjafton të përmend si fakt aventurën e tij të fundit në Zvicër ku skuadrën e Luganos e dërgoi në vendin e parafundit, ndërkohë që pas largimit të Zeman, Tramezzani mori drejtimin e Luganos dhe e dërgoi në kupat e Europës, ndaj më mirë Zeman duhet të mendoj më shumë për të stërvitur skuadrat se sa të flasë keq për persona.

TCH: Cilat janë synimet dhe çfarë do të realizoni te Klubi Partizani?

Moggi: Unë nuk jam drejtues te Partizani që vendos, por Këshilltar i Presidentit Demi. Si i tillë e kam këshilluar Presidentin Demi, që të krijojmë një Juventus të vogël, pra atë që unë bëra në Torino, por edhe me Napolin. Një prej synimeve që do të ketë klubi Partizanit do të jetë puna në sektorin e ekipit të të rinjve. Organizimi atje duhet të jetë perfekt në mënyrë që të prodhojë lojtarë për të qenë pjesë e ekipit të parë dhe më pas është trajneri ai që do t’i ingranojë lojtarët më të spikatur që do t’i shërbejnë klubit. Kështu është përmirësuar futbolli Italian, ndaj edhe tek Partizani do të punohet në të njëjtën mënyrë për t’u përmirësuar. Në çdo klub ku kam punuar kam zhvilluar gjithnjë merkato duke patur në skuadër edhe lojtar mjaft të rëndësishëm, duhet të bazohemi te akademia.

TCH: Me cilin nga presidentët që keni njohur  ne Itali do ta krahasonit Presidentin Demi?

Moggi: Presidentin Demi do ta cilësoja një person mjaft alegro dhe shumë inteligjent. Inteligjent sepse di se ku bëhet biznes dhe si arrihet biznesi. Edhe në aktivitetet e tij të tjera ai po më ndjek me vëmendje, sikurse në biznesin e klubit dhe unë do të përpiqem t’i dhuroj presidentit kënaqësitë që ai i meriton në të gjitha fushat e biznesit që po punon, përfshirë edhe futbollin. Respektoj personalitetit e Gaz Demit, theksoj se në krahasim me shumë president në Itali, Demi e njeh jetën shumë më mirë jetë se të tjerët dhe po të analizojmë figurat e presidentëve italianë shumë prej tyre duhet të ndërrojnë profesion. Kujdes futbolli Italian është në rënie, pikërisht për mungesë të drejtuesve. Për shembull, Juventus fitoj 6 kampionate, pasi skuadrat e tjera nuk kanë patur drejtues, ndaj Juventus ka fituar dhe do të vazhdoj të fitoj pikërisht se ka drejtues të aftë.

/ Top Channel 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.