Partizani ngroh xhepin, mbi 1.2 milionë euro fitim në 2016-n

0
SHPËRNDAJE

Viti 2016, i cili ende nuk ka përfunduar, ka rezultuar i suksesshëm për financat e klubit Partizani, pasi pjesëmarrja dymujore në Kupat e Europës i ka sjellë 1.2 milionë euro përfitim. Të kuqtë luajtën ndaj dy kundërshtarëve në Ligën e Europës dhe dy në turet paraeliminatore të Ligës së Kampioneve.

Partizani - Ferencvarosh

“Demat” e nisën aventurën europiane në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës me Slovan Bratislavën, ku luajtën vetëm sfidën e parë, pasi e dyta u anulua duke qenë Partizani zëvendësi Skënderbeun në Champions. UEFA i ka akorduar klubit kryeqytetas 215 000 euro për ballafaqimin me Slovan Bratislavën.

Më pas të kuqtë arkëtojnë 320 mijë euro nga takimi me Ferencvaroshin në turin e dytë kualifikues të Champions-it, ku kualifikohen pas serive të penalltive.

Pjesëmarrja në turin e tretë paraeliminator me Salzburgun bëri që “demat” të arkëtojnë edhe 420 mijë euro të tjera.

Pas eliminimit nga austriakët, Partizani kalon në raundin “play off” të Ligës së Europës, ku u përballen me rusët e Krasnodarit. Ndonëse u eliminuan në këtë tur, të kuqtë arritën të përfitojnë edhe 245 mijë euro të tjera. Pra, Partizani këtë verë arkëtoi 740 mijë euro nga pjesëmarrja në Champions dhe 460 mijë euro të tjera nga ballafaqimet në Ligën e Europës, përfitime të cilat në total shkojnë në 1.2 milionë euro.

Përpos këtyre të ardhurave, Partizani ka përfituar gjithashtu edhe 54 000 euro nga Fondi i Solidaritetit i UEFA-s dhe 11 750 euro nga fondi “fair play” që UEFA dha për pjesëmarrjen e të kuqve në Ligën e Europës në sezonin 2015-2016./Panorama Sport

S'KA KOMENTE

Comments are closed.