Partizani nuk ishte rastësi, Besëlidhja “shtyp” Flamurtarin

0
SHPËRNDAJE

Kush mendonte se arritja e Besëlidhjes në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë ishte një rastësi, sot ka kuptuar se lezhjanët e meritonin plotësisht të ishin mes 8 skuadrave më të mira të këtij edicioni, dhe pse jo, të shkojnë edhe më tej. Ekipi i Kategorisë së Parë ka marrë një fitore të bujshme 2-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit, duke qenë tashmë në pozita shumë të favorshme për të siguruar një vend në gjysmëfinalet e turneut.

Lezhjanët eliminuan “të kuqtë” nga Kupa dhe u mendua se ishte një rastësi, por sot skuadra lezhjane tregoi se nuk është rastësisht në çerekfinalet e kupës. Me një paraqitje fantastike, Besëlidhja fitoi duke përmbysur çdo parashikim dhe duke qenë afër gjysmëfinales së bujshme, edhe pse ka edhe 90 minuta në Lezhë.

Pritej një dominim i Flamurtarit në këtë ndeshje, por lezhjanët treguan se me të drejtë kishin synime serioze për vazhdimin më tej në turne. Ata arritën të kalonin në avantazh me anë të Camara dhe më pas u mbrojtën shumë mirë duke përfituar nga tronditja e vlonjatëve.

Këta të fundit ishin plotësisht të papërgatitur për një skenar të tillë dhe nga hutimi u ndëshkuan nga një gol i dytë në fillimin e fraksionit të dytë të lojës.

Gabimi i vetëm i Besëlidhjes në këtë ndeshje ishte se nuk e mbylli atë kur iu dha mundësia. Camara fitoi 11-metërsh, por Smajli gaboi nga pika e bardhë, ndërsa pak minuta më vonë, vetë kapiteni i lezhjanëve shënoi një autogol, duke i dhënë shanse Flamurtarit për të kthyer fatin e sfidës.

Flamurtari zbriti në fushë me mungesa të shumta dhe ndoshta nuk e kishte vlerësuar në maksimum një rival që nuk luan futboll zyrtar prej dy muajsh, por freskia e Besëlidhjes e befasoi. Presing konstant, sulme të shpejta dhe dy gola në fillimin e çdo pjese “fundosën” Flamurtarin, që vetëm 20-30 minutat e fundit nisi të luante, edhe për faktin se Dritan Smajli e fali, fillimisht duke humbur një penallti dhe më pas duke shkaktuar një autogol të pafat.

Takimi nis i shpejtë, ku që në minutën e 4-të, gjuajtja e parë në portë i përket pikërisht Besëlidhjes, me Sidibe i cili provon nga distanca, por Halili është në pozicion.

Gjyqtari Kreshnik Cjapi ndal ndeshjen, pasi në stadiumin “Flamurtari” nuk janë ndezur projektorët. Ndërkohë, pas 5 minutash ndërprerje, fillon të ndizet ndriçimi artificial në stadiumin e Vlorës dhe rifillon ndeshja.

Telushi provon të gjejë golin me një goditje dënimi nga rreth 30 metra në minutën e 12-të, por gjuajtja e tij përplaset te mbrojtja kundërshtare dhe humb rrezikshmërinë.

Minuta e 20-të, dhe 0-1 në Vlorë. Aksion individual i shkëlqyer i Camara, i cili me një kalim në krahun e djathtë shmang ndërhyrjen e mbrojtësit Mersini dhe me një gjuajtje të fortë mposht portierin Halili në shtyllën e tij. 0-1.

Tjetër aksion shumë i rrezikshëm i Besëlidhjes në të 25-tën, me Alberto i cili shpërthen në krahun e majtë, por pasimi i tij në qendër për Camara neutralizohet nga Halili që shpëton katërkëndorin e tij. Nga ky moment, fillon pakënaqësia në shkallët e stadiumit “Flamurtari”.

Shehaj nuk mund të vazhdojë më për shkak të një dëmtimi, duke i lënë vendin në fushë mesfushorit Haxhi Neziraj, i cili debuton me Flamurtarin.

Telushi provon përsëri të gjejë rrugën e rrjetës nga distanca në të 31-tën, por goditja e tij devijohet duke u bërë e lehtë për portierin Demi.

Gjatë zhvillimit të një goditje nga këndi, topi arrin te Alves, por ai nuk e kthen me kokë drejt katërkëndorit të skuadrës lezhjane, teksa rrit trysninë e Flamurtarit, e cila është në kërkim të barazimit. Disa harkime radhazi të vlonjatëve në zonën e skuadrës së Besëlidhjes, e cila prej disa minutash mendon vetëm si të largojë topin.

Në të 39-tën, në goditjen e këndit të radhës, Demi del në mënyrë të pasigurt për të larguar sferën. Telushi nuk arrin ta dërgojë topin në portën e boshatisur, i ndalur nga mbrojtësit.

Në fundin e pjesës së parë, Neziraj nuk koordinohet siç duhet pas një pasimi perfekt nga e majta, duke dërguar topin shumë mbi traversë nga një pozicion i favorshëm.

Fraksioni i parë mbyllet këtu, ndërsa i dyti nis me gol për Besëlidhjen.

Pas një goditje dënimi nga e djathta, Alves nuk largon topin por e kthen në asist për sulmuesin Marashi, i cili nuk e ka të vështirë të shtyjë topin në rrjetë. 0-2 dhe duartrokitje nga publiku vlonjat pas golit të ekipit lezhjan.

Flamurtari është plotësisht në kaos dhe rrezikon të pësojë edhe golin e tretë, kur Ndreca hyn i pashqetësuar në zonë dhe gjuan drejt portës, teksa vetëm një devijim i mbrojtësit Veliu shpëton vlonjatët nga goli i tretë.

Camara fiton penallti pas një faulli të dukshëm të kapitenit Telushi në zonë. Penalltinë e merr përsipër Smajli që godet nga pika e bardhë por Halili pret me një reagim të shkëlqyer duke mbajtur në lojë skuadrën e tij.

Mezani hedh në fushë edhe mesfushorin Alesio Hyseni duke larguar mbrojtësin Mersini, një zëvendësim që pritet mes vërshëllimave nga publiku vlonjat.

Në të 68-tën, një tjetër dalje e pallogaritur mirë nga Demi, por Busiç nuk arrin të devijojë topin drejt portës së boshatisur me gjuajtjen e tij me kokë.

Minuta e 75-të dhe rihapet ndeshja në stadiumin e Flamurtarit, por rrugën e rrjetës nuk e gjen një futbollist vlonjat. Pas një rivënie anësore, topi përplaset te Smajli dhe përfundon në rrjetë. 1-2.

Kur po kronometrohej e 81-ta, Danilo Alves shpërdoron mundësinë për të barazuar rezultatin. Sulmuesi brazilian, nga një pozicion i favorshëm nuk gjen kuadratin duke dërguar topin mbi traversën e portës lezhjane.

Në minutat e fundit, e gjithë loja zhvendoset para zonës së Besëlidhjes, me vlonjatët të cilët provojnë në çdo mënyrë të gjejnë golin e barazimit. Por harkimet e njëpasnjëshme drejt zonës deri tani nuk janë shfrytëzuar siç duhet nga Alves apo Busiç kurse lezhjanët e kanë mendjen vetëm të mbyllin këtë ndeshje.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Flamurtarin që nuk pati më forcë për të gjetur një gol me shumë peshë, ndaj tashmë i duhet të fitojë dhe të shënojë më shumë se një herë në Lezhë. Suksesi 2-1 vendos në pozita të shkëlqyera Besëlidhjen për të shkuar në katërshe, ku tani askush nuk do ta cilësonte një protagoniste të pamerituar. /minuta90.com/

Flamurtari-Besëlidhja 1-2

Golat: Smajli (aut) 75’/ Camara 24’, Marashi 47’

Flamurtari (4-3-3): Halili, Jakovljeviç, Kuqi, Veliu, Mersini (Hyseni 66’), Shehaj (Neziraj 29’), Telushi, Zeqiri (Dushku 85’), Galiç, Alves, Busiç Tr: Gentian Mezani

Besëlidhja (4-4-2): Demi, Smajli (Dibra 78’), Sidibe, Semina, Ndreca, Alberto (Kastrati 90’+3), Hepaj, Camara, Lekaj, Marashi (Karakaçi 74’), Ajazi Tr: Alban Bruka

Gjyqtarë: Kreshnik Cjapi

Kartonë të verdhë: Kuqi 54’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.