Partizani përmbys Skënderbeun, Ekuban është heroi…

0
SHPËRNDAJE

Është Partizani rivali i Kukësit në garën për titull, teksa merr një fitore të madhe, nën shenjën e sulmuesit Caleb Ekuban, një sulmues që i përket një kampionati më cilësor se ai i yni. Sot Skënderbeu është mundur në shtëpi 2-1 nga Partizani, por mund të thuhet fare thjesht që kampionët u fundosën kryesisht nga Ekuban.

Sulmuesi i ardhur nga Italia po tregon gjithë klasin e tij, sepse sot e zgjidhi i vetëm ndeshjen. Skënderbeu shënoi i pari me sulmuesin James Adeniyi, pas një aksioni spektakolar, por ishte vetëm një shkëndijë, që nuk prodhoi zjarr.

Ekuban barazoi në minutën e 35-t dhe përmbysi gjithçka në të 58-tën, duke futur në krizë mbrojtësin Jashanica, fajtor te të dy golat. Më pas Torassa doli dhe Ekuban u dëmtua, por Skënderbeu nuk është se ushtroi ndonjë presion të frikshëm, ndërsa Fili mund të ishte bërë armik me të gjithë, sepse humbi një rast të pabesueshëm, në kundërsulm, i vetëm përballë portierit Shehi.

Në fund përfundoi 1-2, teksa Partizani bëhet i frikshëm dhe kërcënon Kukësin, ku Skënderbeu ka nevojë për pushim dhe ndoshta përforcime urgjente.

Takimi nis i shpejtë, teksa që në të 1-ën minutë, Partizani fiton një faull pranë zonës kundërshtare, ku Trashi kroson në zonë, por mbrojtja korçare e dërgon topin në goditje këndi.

As Skënderbeu nuk mbetet prapa dhe pas një faulli për vendasit në minutën e 4-t, një devijim i topit për pak sa nuk shndërrohet në asist për sulmuesin Salihi. Por gjithsesi, gjithçka mbyllet me një gjuajtje nga këndi.

Eshtë minuta e 10-të dhe Skënderbeu gjen avantazhin. Sabjen Lilaj nxjerr sulmuesin Adeniyi të vetëm me portën, pas një vendosjeje të gabuar të mbrojtjes së Partizanit. Nigeriani nuk e ka të vështirë ta mposhtë portierin Alban Hoxha dhe 1-0.

Pas golit të vendasve, loja e ka humbur vrullin e fillimit, teksa Partizani nuk po e merr dot veten, ndërsa korçarëve u shkon përshtat ritmi i ulët.

Në të 15-tën, Lorenc Trashi, në shenjë nervozizmi, shkul flamurin e këndit dhe gjyqtari Meta nuk e fal, duke i nxjerrë kartonin e verdhë.

Kur po kronometrohej e 29-ta, Trashi hedh një top drejt portës nga loja e ndaluar fare pranë zonës. Aty Shehi është i vëmendshëm dhe devijon gjuajtjen mbi traversë.

Eshtë minuta e 35-të dhe Partizani barazon. Torassa i rrëmben një top mesfushorit Orelesi në mesfushë dhe vertikalizon bukur për sulmuesin Ekuban, i cili në dyluftim shpejtësie “djeg” mbrojtësin Jashanica dhe barazon rezultatin. Italo-ganezi nuk gabon, i ndihmuar edhe nga një gabim i portierit Shehi, teksa shënon edhe golin e tetë sezonal.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa në të dytën nuk ka asnjë ndryshim në formacionet e skuadrave, si nga Skënderbeu ashtu edhe nga Partizani që zbresin në fushë me të njëjtët lojtarë që e mbyllën gjysmën e parë të lojës.

Që në të 48-tën, Nimaga kërcen mbi mbrojtësin Krasniqi pas një krosimi të mesfushorit Latifi nga e majta, por goditja me kokë e mesfushorit të Skënderbeut nuk gjen kuadratin e portierit Alban Hoxha.

Vendasit e kanë nisur me vrull pjesën e dytë dhe krijojnë një tjetër mundësi të mirë, teksa në të 49-tën është sërish Latifi provon me një të djathtë të hidhur që merr një kthesë të befasishme, por Alban Hoxha pret me vështirësi dhe mbetet i dëmtuar.

Në të 52-tën, mundësia më e mirë për korçarët pas pushimit. Adeniyi ka rastin e artë për të kaluar sërish në epërsi “Ujqërit e Dëborës”, mirëpo kthesa e menjëhershme me të djathtën nga brenda zonës ndalet nga traversa.

Eshtë minuta e 58-të dhe Partizani përmbys rezultatin. Po nuk shënove do pësosh dhe kjo i ndodh Skënderbeut. Eshtë përsëri Ekuban, teksa përfiton nga një gabim i mbrojtësit Jashanica dhe me një të majtë nga hyrja e zonës ndëshkon portierin Orges Shehi për herë të dytë.

Si trajneri i Skënderbeut, Agostinelli, ashtu edhe ai i Partizanit, Starova, bëjnë lëvizjet e tyre, ku në lojë aktivizohen Gavazaj dhe Serginho për korçarët, ndërsa për “Demat e Kuq” aktivizohen Malota dhe Fili, ku vlen të theksohet se ky i fundit i zuri vendin goleadorit, Caleb Ekuban.

Kur po kronometrohej e 76-ta, vendasit shpërdorojnë një tjetër mundësi, teksa Nimaga kthen një krosim të mbrojtësit Mici nga e majta, por Alban Hoxha është i vëmendshëm.

Në të 79-tën, Realdo Fili “fal” Skënderbeun, teksa kishte rastin e artë për të thelluar avantazhin. Mesfushori me tipare sulmuese i futur në lojë vetëm pak minuta më parë del i vetëm me portierin Shehi pas një pasimi spektakolar të mesfushorit Trashi, por bën më të vështirën duke e nxjerrë topin jashtë. E pabesueshme çfarë humbet fieraku.

Minuta e 87-të dhe tjetër mundësi për Skënderbeun. Liridon Latifi, edhe sot një ndër më të mirët në fushë, provon me të djathtën nga kufijtë e zonës, por Hoxha i mohon sërish gëzimin e golit.

Gjyqtari i katërt Rejdi Avdo, akordon 4 minuta shtesë, ku në të 93-tën, Skënderbeu sulmon me ngulm dhe shpërdoron përsëri. Serginho gjuan me të djathtën nga zona, por topi shkon ngjitur me shtyllën.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Partizanin që merr një 3-pikësh shumë të vlefshëm në Korçë ndaj Skënderbeut, ndërsa këta të fundit vijojnë krizën e tyre…

Me këtë sukses të kuqtë e ngushtojnë në vetëm një pikë distancën nga Kukësi kampion dimri, kurse Skënderbeu mbetet i treti me 32 pikë, -4 pikë nga kreu.

Ndeshjen e radhës, që do luhet me 21 janar, Skënderbeu pret në shtëpi Flamurtarin, ndërsa Partizani, edhe ajo nga ana e saj pret në shtëpinë e saj Luftëtarin. /minuta90.com/

Skënderbeu-Partizani 1-2

Golat: Adeniyi 10’/ Ekuban 35’, 58’

Skënderbeu (4-3-3): Shehi, Vangjeli (Serginho 79’), Jashanica, Osmani, Mici, Nimaga, Orelesi (Gavazaj 70’), Lilaj, Adeniyi, Latifi, Salihi (në dispozicion: Teqja, Radas, Idrizaj, Malaj, Zeka) Tr: Andrea Agostinelli

Partizani (4-3-3): Hoxha, Ibrahimi, Krasniqi, Atanda, Kalari, Batha, Ramadani, Trashi (Mazrekaj 87’), Vila, Torassa (Malota 63’), Ekuban (Fili 72’) (në dispozicion: Xhika, Fejzullahu, Bardhi, Azubel) Tr: Sulejman Starova

Gjyqtarë: Kridens Meta, Ermal Barushi, Ridiger Çokaj, Rejdi Avdo

Kartonë të verdhë: Trashi 15’, Ekuban 67’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.