Partizani vuan, por fiton, Jurgen Bardhi dhe Idriz Batha përmbysin rezultatin

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Partizani ka arritur të mposhtë mes vuajtjesh me rezultatin 2-1 Vllazninë në ndeshjen e vlefshme për javën e 20 të Kategorisë Superiore të zhvilluar në “Selman Stërmasi”, bën mrekullinë dhe rikthyer te fitorja.

Pas humbjes ndaj Luftëtarit, vjen kthesa e shumë pritur për të kuqtë. Ekipi i trajnerit Sulejman Starova mposhti 2-1 Vllazninë në një ndeshje mjaft të luftuar nga të dyja skuadrat.

Edhe pse pritej një fitore bindëse nga ana e të kuqve, nuk ka rezultuar aspak një ndeshje e lehtë. Shkodranët kaluan në avantazh në pjesën e parë, kur Partizani ishte në një moment të mirë. Në minuën e 35′ të ndeshjes ishte një “ish” si Elis Bakaj, i cili ndëshkoi Partizanin, gjë të cilën e kishte premtuar pak ditë më parë në deklaratat e tij.

Elis Bakaj kaloi Vllazninë në avantazh në minutën e 35-të, por goli i tij nuk u mjaftoi shkodranëve pasi Bardhi në minutën e 65-të dhe Batha me penallti në minutën e 90′ përmbysën shifrat.

Takimi fillon i qetë, teksa minutat e para kalojnë në qetësi minutat e para të lojës teksa mungojnë rastet e rrezikshme.

Megjithëse Partizani shfaqet më këmbëngulës, duhet pritur ende për rastin e parë të rrezikshëm në këtë ndeshje.

Eshtë minuta e 35-të dhe Vllaznia kalon në avantazh falë mesfushorit me tipare sulmuese Elis Bakaj i cili godet një top nga hyrja e zonës dhe devijimi i mbrojtësit Malota e dërgon atë në portën e portierit Alban Hoxha.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me Partizanin që kryen dy zëvendësime të menjëhershme, teksa largohen Renaldo Kalari dhe Marko Cetkoviç, në fushë Jurgen Bardhi dhe Mentor Mazrekaj.

Fillimi i fraksionit të dytë kalon në qetësi, pa ndonjë rast për t’u theksuar.

Në të 59-tën, Tafili kroson nga e djathta dhe Bakaj godet rrezikshëm me kokë, por Hoxha edhe pse me vështirësi arrin të kontrollojë topin.

Eshtë minuta e 65-të dhe Partizani barazon shifrat. Bardhi tenton me një goditje nga hyrja e zonës dhe topi merr hark në lartësi duke e bërë të pamundur për portierin Selimaj ta ndalojë nga futja në rrjetë.

Kur po kronometrohej e 73-ta, Mazrekaj tenton me një goditje nga hyrja e zonës, por topi kontrollohet pa problem nga Selimaj.

Të dy trajnerët, si Sulejman Starova, ashtu edhe Armando Cungu, bëjnë zëvëndësimet e tyre, teksa në lojë aktivizohen Mathiew Boniface për Partizanin, ndërsa për Vllazninë Brunild Pepa.

Eshtë minuta e 88-të, Ekuban pengohet në zonë dhe arbitri Enea Jorgji akordon penallti për Partizanin, ku të kuqtë përmbysin shifrat teksa Idriz Batha tregohet i saktë nga pika e bardhë.

Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, Partizani rikthehet te fitorja pas humbjes ndaj Luftëtarit, ndërsa shkodranët edhe pse kaluan të parët në avantazh, nuk arritën dot ta mbajnë këtë rezultat.

Me këtë fitore, Partizani ngjitet në kuotën e 38 pikëve duke mbajtur vendin e dytë dhe duke kthyer diferencën me Kukësin kryesues në 4 pikë, ndërsa Vllaznia mbetet në vend e 6-të në renditje.

Javën e ardhshme, Partizani luan ndaj Teutës në transfertë në “Niko Dovana”, ku do të tentohet 3-pikëshi medoemos, ndërsa Vllaznia pret në shtëpi në “Loro Boriçi” Flamurtarit, teksa do të kërkohet me patjetër kthesa dhe fitorja ndaj vlonjatëve të drejtuar nga trajneri Gentian Mezani. /minuta90.com/

Partizani-Vllaznia 2-1

Golat: Bardhi 65’, Batha 90’ / Bakaj 35’

Partizani (4-2-3-1): Hoxha, Fejzullahu, Ibrahimi, Malota, Kalari (Bardhi 46’), Batha, Trashi, Vila, Cetkoviç (Mazrekaj 46’), Torassa (Boniface 78’), Ekuban Tr: Sulejman Starova

Vllaznia (4-3-3): Selimaj, Gocaj, Bicaj, Vrapi, Pjeshka, Tafili, Krymi, Bardulla, Shtubina, Kalaja (Pepa 76’), Bakaj Tr: Armando Cungu

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Emigers Gançi, Astrit Mahmuti, Remzi Sadiku

Kartonë të verdhë: Bardulla 40’, Selimaj 55’, Bicaj 88’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.