Pas shpartallimit 7 – 0, Kukësi kërkon sulmues

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Kukësi e nisi në mënyrën më të shëmtuar fazën përgatitore në Austri. Kampionët e Shqipërisë u turpëruan 7-0 në miqësoren e parë përballë skuadrës austriake të Uolsberger.

Por, përtej humbjes, kompania e monitorimit të basteve sportive, “Federbet”, hodhi dyshime se kishte pasur një lëvizje shumë të dyshimtë të koeficienteve në lidhje me këtë takim. Dhe kjo kompani denoncoi ndeshjen.

Gazeta ‘panorama sport’ ka tentuar të kontaktonte në këto dy ditë me drejtues të klubit verilindor, por askush nuk ka reaguar. Edhe dje ka pasur një heshtje totale nga kuksianët pas akuzave të “Federbet”. Për herë të parë hidhen dyshime edhe për verilindorët për ndeshjet miqësore.

Ndërkaq, trajneri Ernest Gjoka po vazhdon normalisht përgatitjet me skuadrën. Pritet që në miqësoren e radhës ndaj Botosani të Rumanisë më 27 qershor, tekniku të provojë edhe afrimet më të fundit në ekip, spanjollin Seran Polo dhe izraelitin Siraj Naser. Ata do të provohen në këto takime që tekniku të krijojë një ide më të qartë për formacionin që do të përdorë në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Sherif Tiraspol.

Ndërkaq, është mësuar se drejtuesit do të bëjnë të mundur afrimin e një sulmuesi cilësor. Do të jetë një futbollist që i nevojitet skuadrës për repartin ofensiv. Kuksianët do të qëndrojnë për 14 ditë në Austri, ku do të zhvillojnë fazën përgatitore, në një kohë që do të luajnë edhe shumë miqësore. Kampionët e rinj të Shqipërisë do të luajnë për herë të parë në Ligën e Kampioneve dhe në korrik do të kenë përballë kampionët e Moldavisë, Sherif Tiraspol.

Synimi i verilindorëve është që ta kalojnë këtë tur duke përfituar sa më shumë para. Megjithatë, starti i fazës përgatitore nuk ka qenë i duhuri për Kukësin, që është turpëruar 7-0 nga skuadra austriake. Ekipi do të luajë edhe tre miqësore të tjera në ditët në vazhdim gjatë qëndrimit në Austri.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.