Përcaktohen dy gjysëmfinalistët e parë të Kupës së Kosovës (video)

0
SHPËRNDAJE

U zhvilluan dy ndeshje në kuadër të çerekfinaleve të Kupës së Kosovës. Llapi dhe Drita janë skuadrat që e siguruan pjesëmarrjen në gjysmëfinale të kësaj gare, pasi shënuan fitore përkatësisht kundër Gjilanit dhe Drenicës.

Llapi iu gëzua fitores para tifozëve të vet kundër Gjilanit, me rezultat 4:0. Llapjanët kaluan në epërsi në minutën e 33-të nga penalltia, me golin e Benjamin Eminit. Nëntë minuta më vonë vendasit e dyfishuan epërsinë, me golin e Edon Zeqirit.

Gjilani pati mundësi të rikthehet në lojë në minutën e 51-të, pasi Gëzim Rusi fitoi penallti pasi u ndal në zonë nga Hamdi Namani. Megjithatë, gjuajtjen e Bahri Kerës e priti Afrim Ademi.

Në vazhdim Llapi dominoi plotësisht dhe shënoi edhe dy gola tjerë. Fillimisht në minutën e 55-të shënoi Hamdi Namani, me një gjuajtje të saktë me të majtën nga brendësia e zonës, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Enis Zabërgja, me një gol të shkëlqyeshëm, në minutën e 70-të.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Drita iu gëzua fitores në Skenderaj kundër Drenicës, me rezultat 1:0. Golin e fitores mysafirët e shënuan në minutën e 92-të. Kur pritej që ndeshja të shkonte në shtesë, ishte Xhevdet Shabani, i cili shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes vendase dhe e dërgoi topin në rrjetë për kualifikimin e skuadrës së tij.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.