“Pjesa e tretë” nuk sjell gol, Tirana dhe Partizani ndahen në paqe

0
SHPËRNDAJE

 

15202580_584805941713806_8615882542093672336_n

Tirana dhe Partizani nuk kanë mundur të shfrytëzojnë 27 minutat e mbetura nga derbi i nisur dje, pasi përballja mes tyre është mbyllur në bazim pa gola. Të dyja skuadrat nuk kanë arritur të jenë të rrezikshme mjaftueshëm dhe të shënojnë golin që do i jepte fitoren.

Partizani nuk humbet për të 11-ën ndeshje, Josa sërish nuk humbet derbin, por Tirana nuk fiton dhe derbi mbetet sërish “thatë”. Edhe pse në një ditë pune dhe orar të papërshtatshëm, tifozët i mbushën sërish tribunat, me shpresën se ekipet do dhuronin një surprizë të bukur sikurse Kombëtarja kundër Maqedonisë më 6 shtator në Shkodër.

Loja nis shumë e shpejtë dhe derbi jep drithërimat e para që në të 4-tën, një goditje dënimi nga distanca të kapitenit të Tiranës Karabeci, është shumë e rrezikshme, por topi grushtohet nga Hoxha.

Iniciativa është thuajse e gjitha e Tiranës në minutat e para, pasi bardheblutë kanë kontrollin e topit, por për momentin nuk gjejnë hapësira në prapavijën e të kuqve.

Edhe Partizani shfaqet në portën e Tiranës dhe Vila në të 12-tën, gjuan fluturimthi pas një mosmarrëveshje mes mbrojtësve Muça dhe Hoxhallari, por topi kalon shumë lart mbi traversë.

Menjëherë pas këtij rasti, Nkounkou pason në qendër të zonës për Cisse, i cili sheh Ndockyt duke ardhur me shpejtësi. Sulmuesi pason për Ndockyt, por gjuajtja e këtij të fundit nga jashtë përfundon shumë lart mbi traversë.

Në të 16-tën, Ilion Lika del nga zona dhe largon topin me kokë para Ekuban, i cili po nisej drejt portës së bardhebluve pas një topi të gjatë nga prapavija e tij.

Kur po kronometrohej e 23-ta, shpërdorojnë bardheblutë pas një rasti të artë. Një kundërsulm i shpejtë i Tiranës me treshen Nkounkou-Ndockyt-Cisse. Ky i fundit shfaqet i vetëm para portierit Hoxha, por ndërhyrja e portierit në momentet e fundit shpëton portën e kuqe nga një gol thuajse i sigurt.

Tirana vijon sulmet dhe në të 26-tën, Ndockyt provon përsëri të djathtën e tij nga jashtë zonës, por nuk gjen kuadratin. Topi përfundon jashtë ngjitur me shtyllën në të djathtë të portierit Hoxha.

Sulejman Starova u kërkon lojtarëve të tij që të spostohen në fazën e sulmit, dhe të kuqtë krijojnë 4 raste të pastra goli.

Në morinë e rasteve, mundësia e parë është në të 29-tën, kur një harkim nga e majta i mesfushorit Trashi, i cili gjen në zonë sulmuesin Torassa por gjuajtja e këtij të fundit përfundon jashtë.

Rasti i dytë është edhe mundësia më e mirë për të shënuar e Partizanit në pjesën e parë. Një goditje dënimi në krahun e majtë harkohet në zonë nga Torassa me Ekuban i cili fiton duelin ajror me mbrojtësin Muça, por nuk gjen kuadratin e portës së portierit Ilion Lika.

Në të 38-tën, një aksion i shpejtë i Ekuban mes 4 lojtarëve bardheblu, Teqja detyrohet ta rrëzojë në hyrje të zonës dhe Jemini jep goditje dënimi për të kuqtë, të cilët pretenduan për penallti.

Këtë faull e merr përsipër Batha, që ekzekuton, por Ilion Lika tregohet i vëmendshëm dhe në dy kohë bllokon goditjen e mesfushorit të Partizanit.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me një rast të Tiranës në minutën e 49-të.

Taku shpërthen në krahun e djathtë dhe jep një pasim në qendër për Cisse, por ky i fundit mundohet të bëjë lëvizjen spektakolare duke goditur topin me thembër dhe shpërdoron një mundësi të mirë për të shënuar.

Ritmi bie disi, pasi skuadrat janë shumë të kujdesshme për të mos lënë hapësira dhe si rrjedhojë e gjithë loja zhvillohet në mesfushë.

Ndeshja ndërpritet në minutën e 63-të, pasi ka një defekt në kullat e ndriçimit të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe takimi caktohet që të luhet nesër në orën 14:00.

Dy “pjesët” mbyllën këtu, ndërsa “pjesa e tretë” nis me një rivënie fundore për Partizanin.

Tre minuta pas rifillimit, Trashi hedh një top në zonë nga goditja e lirë, por Ilion Lika e zgjidh me qetësi duke shmangur rrezikun që mund të vinte nga Bardhi.

Në të 67-tën, të kuqtë e zhvendosin lojën në gjysmëfushën bardheblu dhe rreziku i parë serioz vjen nga Bardhi, mirëpo mesfushori gjuan jashtë pas një pasimi të marrë në zonë nga Vila.

Loja zhvillohet më tepër në gjysmëfushën e Tiranës, me Partizanin që provon ta vendosë në vështirësi kundërshtarin me topa të gjatë.

Muça dëmtohet dhe gabon, pasi humb topin, duke e detyruar kapitenin Karabeci të bëjë faull për karton të verdhë duke ndalur sulmuesin Ekuban. Mesfushori i Tiranës humb ndeshjen e ardhshme me Flamurtarin.

Ekzekutimin e këtij faulli, e merr përsipër Trashi që provon portën, por e majta e tij ndalet nga muri.

Mirel Josa bën lëvizjen e parë nga stoli duke hedhur në lojë mesfushorin Muzaka në vend të shkatërruesit, Acquah.

Kartonat nuk mungojnë dhe një i tillë vjen për mbrojtësin Krasniqi, i cili ndal Ndockyt duke ndërprerë një zbritje të shpejtë të Tiranës. Edhe mbrojtësi i Partizanit do të mungojë në takimin e ardhshëm përballë Kukësit.

Erando Karabeci merr kartonin e dytë të verdhë për një faull ndaj mesfushorit Vila. Tirana me një lojtar më pak në fushë.

Kështu, nuk ka fitues derbi i 147-të mes Tiranës dhe Partizanit, ku ndeshja mbyllet 0-0 në “Selman Stërmasi”.

Me këtë pikë Partizani ngjitet në kuotën 24, tre më pak se Kukësi dhe Skënderbeu. Kurse Tirana është e katërta me 22.

Javën e ardhshme, Tirana luan me Flamurtarin në transfertë, ndërsa Partizani pret Kukësin. /minuta90.com/

Tirana-Partizani 0-0

Gola: S’ka

Tirana: I. Lika, Kërçiku, Muça, Teqja, Hoxhallari, Karabeci, Acquah (Muzaka 79’), Taku, Ndockyt, Nkounkou, Cisse (në dispozicion: Bakaj, Domgjoni, Deliaj, Vucaj, G. Lika, Ntsitsigui, Halili) Tr: Mirel Josa

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Krasniqi, Atanda, Kalari, Batha (Bardhi 63’), Ramadani, Trashi, Vila, Torassa, Ekuban (në dispozicion: Xhika, Malota, Hakaj, Fili, Vatnikaj, Azubel) Tr: Sulejman Starova

Gjyqtarë: Lorenc Jemini, Ermal Barushi, Rejdi Avdo, Ergin Doda

Kartonë të verdhë: Karabeci 76’, 89’/ Krasniqi 81’

Kartonë të kuq: Karabeci 89’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.