Prapaskenat / Ja pse Sadiku nuk firmosi tek grekët e Panathinaikos

0
SHPËRNDAJE


Jo pak u habitën me transferimin e befasishëm të Armando Sadikut te Legia e Varshavës pasi klubi polak nuk ishte përmendur asnjëherë si mundësi për vazhdimin e karrierës së sulmuesit të kombëtares shqiptare.

Madje pak ditë më parë vetë 26-vjeçari deklaroi se kishte dëshirë të kalonte te klubi i njohur grek, Panathinaikos. Klubi që zotëronte në atë kohë kartonin e tij, Zyrihu, gjithashtu kishte pranuar ofertën për kalimin e tij në kampionatin helen, por pastaj kjo e fundit u tërhoq.

“Po, ne kishim një akord me Panathinakosin”, konfirmoi presidenti i Zyrihut, Ançilo Kanepa, i cili tregoi më pas se çfarë kishte ndodhur. “Si justifikim për të prishur marrëveshjen, grekët thanë se në një video, Sadiku kishte folur në mënyrë të pakëndshme rreth besimit fetar. Grekët u ndjenë të fyer dhe refuzuan që të përfshiheshin në marrëveshje”, vijoi ai në një intervistë për “Blick”.

“Brenda 24 orëve ne na erdhi një ofertë nga Legia e Varshavës dhe gjetëm shpejt akordin. Shifrat? Nuk flas për shifra, as për ato që kanë dalë në mediat shqiptare. Kjo, për arsyen e thjeshtë se deri pak ditë më parë, për Sadikun nuk na kishte mbërritur asnjë ofertë. Ndaj nuk kam pasur asnjëherë arsye të them një shifër të saktë”, u shpreh ai.

Megjithatë, gazeta zvicerane insiston se Sadiku është transferuar për 1,5 milionë euro te klubi i Legias, ndërsa Zyrihu do të përfitojë përsëri në të ardhmen, pasi ka një përqindje të vogël në shitjen e radhës të futbollistit të përfaqësueses shqiptare.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.