Probleme për Vllazninë dhe trajnerin Armando Cungu, 4 mungesa ndaj Partizanit

0
SHPËRNDAJE

Stefan Cicmil, Ambroz Kapaklija dhe Eraldo Çinari tashmë prej disa ditësh kanë qenë të pamundur të stërviteshin me ekipin e Vllaznisë, si pasojë e dëmtimeve që kanë pësuar. Por nga dita e djeshme atyre u është bashkuar edhe mesfushori Arsid Kruja.

Ky i fundit vuan një dëmtim në gishtin e dorës dhe do të mungojë në fushën e blertë me siguri për disa kohë. Të katërt këta lojtarë kanë qenë të detyruar ta ndjekin si spektatorë seancën e sotme dhe të fundit stërvitore në vigjilje të transfertës ndaj Partizanit.

Katërshja Cicmil, Kapaklija, Kruja dhe Çinari ishin të pranishëm në ambjentet e fushës stërvitore “Reshit Rusi” dhe kanë kontribuar me atë që munden, mbështetjen morale të shokëve të ekipit në prag të sfidës shumë të rëndësishme nesër ndaj të kuqve. Përveç tyre, një ditë më parë shqetësime ka shfaqur edhe kapiteni Ndriçim Shtubina, por duket se për atë, nuk ka ndonjë problem serioz.

Lojtari është takuar me trajnerin Armando Cungu dhe ndihmësin e tij, Maxhar para stërvitjes dhe kanë biseduar për disa minuta në lidhje me gjendjen e tij. Më pas, mesfushori i kuqebluve ka vijuar me stërvitjen, duke zbatuar të njëjtin program stërvitor si pjesa tjetër e futbollistëve.

Gatishmëria e këtij lojtari për të qenë në fushë, do të thotë se nesër ndaj Partizanit, pavarësisht mungesave të katër lojtarëve të tjerë, nuk do të ketë asnjë ndryshim nga formacioni me të cilin u luajt edhe ndaj Teutës tre ditë më parë, në sfidën e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.