Projekti “Topi Yt”

0
SHPËRNDAJE
Loading...

projekti-topi_shulku-658x409Emocione, rritje e cilësisë dhe garë spektakolare. Për çdo vit, rritja në futbollin shqiptar ka qenë e ndjeshme. Investime në stadiume dhe në terrene sportive, ashtu si nuk ka ndodhur në asnjë vend të rajonit. Projekte me vlerë rreth 20 milionë euro nga Federata Shqiptare e Futbollit prej vitit 2002, ku shifra prej 12 milionë eurosh është përfituar në mënyrë direkte nga skuadrat dhe qytetet në të gjithë vendin, që kanë ndikuar drejtë për drejtë në rritjen e nivelit të futbollit. Zhvillimi do të vazhdojë me “Topi Yt”, një tjetër projekt mjaft të rëndësishëm. I miratuar nga Ekzekutivi i FSHF-së prej 22 Nëntorit, ai do të jetë një realitet prej sezonit 2017-2018.

“Është një projekt i inicuar rreth një vit më parë dhe që tashmë është konkretizuar, jemi në detajet e fundit të kontratës. Do të mbulojmë me topa falas, dhe kjo duhet theksuar, të gjitha nivelet e kategorive ku luhet futboill në Shqipëri: Nga kategoria Superiore, kategoria e parë dhe e dytë, te futbolli i femrave dhe moshat, U-19, U-17, U-15 dhe deri te moshat U-7.”

Një investim me shifra të rëndësishme, si në aspektin e përfitimit nga klubet, ashtu edhe për faturën që do të mbulohet e gjitha nga Federata e Futbollit.

“Projekti do të jetë për një periudhë katër vjeçare, me një vlerë prej mbi një milion euro.Për çdo sezon do të kemi rreth 17 mijë topa, te cilët janë të dy cilësive: cilësia e parë që kushton në rreth 30 euro topi, i cili do të prodhohet në fabrikën ku prodhohen edhe markat si Adidas dhe Nike, që përdoren në Champions dhe Europa League apo në Kupën e Botës dhe Kampionatin Europian. Topi i cilësisë së dytë do të jetë i një çmimi disi më të ulët. Janë dy cilësi topash. Cilësia e Parë është FIFA Pro Quality, me të cilin do të stërviten dhe do të luajnë skuadrat e Superiores, Kategoria e Parë e Dytë dhe Femrat. Me këto topa mund të luhet, përshembull skuadrat që marrin pjesë në Kupat e Europës mund të luajnë deri në fazën play off të Champions dhe Europa League. Duke filluar nga U-19 dhe deri te U-7 do të jetë cilësia e dytë: International Match Standard, një top i licensuar nga FIFA.”

Pas rritjes së cilësisë së kampionatit, projekti do ta shndërrojë Kategorinë Superiore në një markë me imazh të gjithin të sajin. Topat do të jenë të personalizuar për çdo nivel të futbollit, ashtu siç ndodh në ligat më të mëdha Europiane.

“Çdo top do të ketë logon e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të kompeticionit përkatës. Ky top ka logon e FSHF dhe të Kategorisë Superiore. Po kështu do të jetë edhe logo e kategorive më të ulëta dhe topat për fëmijë.”

Dhurimi i topave për katër vjet është një projekt i paprecedentë, jo vetëm krahasuar me vendet fqinje, por edhe më gjërë në kontinent.

“Ky projekt konsiston në dhurimin nga FSHF për të gjitha ekipet topa me një ndarje. Duke nisur nga Kategoria Superiore çdo skuadër do të përfitojë 40 topa, ashtu si edhe Kategoria e Parë dhe e Dytë. Me moshat, sipas madhësisë do të ketë nga 30 apo 20 topa dhuratë. Vlen për tu theksuar që topat do të jepen për çdo vit, gjatë kësaj periudhe kohore. Për një klub të mirë-organizuar në të gjithë aspektet dhe që me përllogaritje mund të ketë deri në 25 skuadra, duke llogaritur të gjitha moshat, përfitimi mund të jetë 600 deri në 700 topa në vit.”

Asgjë nuk do ti lihet rastësisë. Kushdo që ka pasion, do ti jepet mundësia të shkelmojë topin.

“Diçka që vlen për tu theksuar është se topa dhuratë, përveç skuadrave të kategorive Superiore, apo klubeve që janë të organizuara dhe kanë ekipe zinxhir, do të përfitojnë edhe ekipe private, të cilat janë të licensuara në Federatën Shqiptare të Futbollit.”

Pas investimeve me vlerë miliona euro në infrastrukturë, politikave për masivizimin e futbollit në shkolla, projekti më i fundit nga Federata Shqiptare e Futbollit është mënyra që talentët e së tashmes, të shndërrohen në yje të së ardhmes.

/SuperSport.al

S'KA KOMENTE

Comments are closed.