Reagon administratori i Korabit, Mziu: Njeriu më i keq është ai që është mosmirënjohës

0
SHPËRNDAJE

Administratori i Korabit, Fehmi Mziu, ka lëshuar një deklaratë të gjatë në faqen e klubit ku u është kundërpërgjigjur akuzave për përfitime personale në dëm të klubit dibran. Gjithashtu, ai u është kundërvendosur deklaratave të lëshuara së fundmi nga futbollistët të cilët ai i ka akuzuar për tolerim.

Mziu ka sqaruar përsëri edhe situatën me donatorët e ndryshëm që kanë mbështetur klubin gjatë këtij sezoni.

“Lojtarëve të vitit të kaluar klubi i Korabit iu është borxhli, është premtuar një premio e majme dhe djersa e tyre nuk u shpërblye deri në fund. Ata ikën dhe në momentin që unë i kam kontaktuar të gjithë një nga një, përveç kësteve paradhënie dhe rrogave të dyfishuara më kanë kërkuar dhe premion e vitit të kaluar në të kundërt nuk pranonin të qëndronin në klub dhe në një farë mënyre e shkrinë atë.

Të gjithë u larguan, staf, lojtarë, as baza materiale nuk ekzistonte më”.

“Kam ofruar një sponsor të fuqishëm që e falënderoj dhe na bëri të mundur bazën materiale dhe didaktike për ekipin e parë dhe moshat.

Unë jam ai që kam kontaktuar me donatorin Naim Agolli dhe i kam dërguar një pasqyrë të financave që më garantoi bashkia e Dibrës dhe çfarë duhej të shtonin ata. Ramë dakord dhe nisi krijimi i ekipit në ditët e fundit të merkatos ndërkohë që të gjithë ekipet kishin mbaruar fazën.

Kërkesë e donatorit Naim Agolli ishte që të gjithë merkaton, afrime dhe largime t’i menaxhonte Artan Mërgjyshi, trajneri i afruar nga po ai, dhe unë nuk kam bërë as tentativën më të vogël të përfshihem në merkato. Lojtarët e vitit të kaluar që dëshiruan të qëndrojnë me kushtet e reja ishin: Endrit Prençi, Elvis Prençi, Sokol Mziu, Daniel Jubani dhe Fation Kiri.

“Pasi firmosën, u larguan nga trajneri Mërgjyshi, Selimaj, Mihani, Meto dhe Kiri dhe kjo na ka kushtuar rreth 12 milionë. Janë shpenzuar 75 mijë dollarë në merkato dhe të gjitha janë të pasqyruara dhe të noterizuara dhe pagesat mujore, gusht, shtator dhe tetor”.

“Presidenca me donatorin Naim Agolli nisi dyshime për tolerime që në ndeshjen e 3-të Korabi 0-1 Luftëtari dhe në njëfarë mënyre u larguan dhe në formë obligimi moral dhanë dy muajt respektivë dhe u tërhoqën. Në të njëjtën kohë skuadra largoi dhe trajnerin Artan Mërgjyshi me rezultatet negative dhe mos bindje, sepse largimi i tij nuk ishte kompetencë e imja”.

“Premio që diskutohet në gazetat “Panorama Sport” dhe “Sport Ekspres” ishte 10 milionë ndeshjen me Vllazninë për fitore nga biznesmeni Naim Agolli që na ndihmoi dhe kohët e fundit. Ndeshja përfundoi 0-0, ndërsa ndeshjen që fituam në “Niko Dovana” Teuta 2-3 Korabi lojtarët pas ndeshjes më kërkuan premion e 1 javë më parë të cilën nuk e kisha në dispozicion pasi ishte vetëm për fitoren me Vllazninë.

Duke parë kthimin e qetësisë dhe një fitore të vyer vendosa të shpërndaëj një premio prej 5000 eurosh nga ana ime. Kam siguruar persona të vendosur premio në çdo ndeshje më pas, qoftë për fitore apo për barazim, por me paaftësi nuk arritën t’i marrin lojtarët.

Ky biznesmen dibran, ka shpërblyer ekipin pas barazimit me Tiranën me 5 milionë lekë të vjetra, pas barazimit në Kukës me 5 milionë të tjera dhe pas fitores me Flamurtarin janë shpërndarë 10 milionë lekë të vjetra. Po ky biznesmen, ka investuar lekët e familjes së tij duke shlyer dhe dy rrogat e prapambetura në ekip dhe ka financuar rikonstruksionin e stadiumit në Peshkopi që është i gatshëm për aktivitetin e ndeshjeve në Superiore.

Kam respektuar çdo kontratë me përpikmëri dhe çdo kusht në kontratë. Unë flas me fakte të dokumentuara, jo me fjalë, nuk bëj telenovela në gazeta”.

“Lojtarët që nuk ishin në planet e trajnerit Gerdi Haxhiu nga unë nuk kanë patur pengesë dhe i kam liruar pa asnjë obligim. Në janar kishim një buxhet prej 26 milionë lekë të vjetra dhe me atë buxhet e mbyllëm merkaton duke paguar dhe këstet e 4 lojtarëve sipas respektimit të kontratës dhe shpenzime të tjera me fatura në dobi të ekipit.

Unë jam punonjës i ekipit dhe jo më një sponsor, por janë mësuar deri tani.

T’iu siguroj rrogat përpara afatit, shpërblime apo huadhënie, janë mësuar t’i kompletoj me këpucë dhe gjithçka tjetër dhe tani që unë tërhiqem nga këto financime vullnetare dhe vendos të bëj punën time si përfaqësues i klubit, marr akuza. Njeriu më i keq është ai që është mosmirënjohës.

Janë ushqyer nga klubi dhe financuesit e tij dhe për këtë flasin faturat, jo unë.

Gjithsesi, këta janë mercënarë, vijnë, paguhen dhe largohen, pa dashur t’ia dinë nëse e kanë arritur apo jo objektivin. Në atë ekip kam bërë të gjithë rolet në mënyrë vullnetare dhe nuk kam kërkuar kurrë anë financiare, por atë morale, gjithsesi, një gjë dua t’iu kujtoj, Fehmi Mziu kurrë nuk iu ka ushtruar trysni për humbje por vetëm i ka motivuar dhe ka vendosur në dispozicion dhe premio, Fehmi Mziu e do atë ekip me shpirt dhe e kam provuar që kur e mora për dore nga Kategoria e Dytë.

Sot jam i vetëm, gjithsesi unë do t’i lëviz gurët e mi deri aty ku kam mundësinë dhe më lejon matematika por në fushën e lojës nuk luaj unë, por ata dhe ata të japin llogari për paraqitjet e turpshme, nga ana ime nuk ka munguar asgjë. Korabi renditet në ekipet që paguajnë më shumë për lojtarët në Shqipëri”.

“Kam komunikuar dhe personalisht me lojtarët e pezulluar dhe më kanë kërkuar që të mos paguhen deri në fund madje edhe të kthejnë një shumë mbrapsht vetëm që të mos i dërgoj në Komision të Etikës por unë iu jam përgjigjur që si Fehmi nuk dua të bëj asgjë me ata si persona por si klub i Korabit kam bërë gati gjobat dhe pamjet filmike për dyshim në tolerim ndeshjesh për ata si lojtarë”.

“Dua të sqaroj dhe opinionin publik për herë të parë që me klubin e respektuar të KF Tiranës ne nuk kemi asnjë pagesë të prapambetur madje zotërisë të nderuar Refik Halili i kemi shlyer gjithçka dorazi pasi në momentin që kemi kërkuar numrat e llogarisë të klubit na është komunikuar që: Për arsye se llogaritë tona janë të bllokuara për shkak borxhesh do kishim dëshirë të rregulloheshim me para në dorë.

Ndërsa në “Zeqir Ymeri”, përfitoj t’i falënderoj për mikpritjen, dhe i përgëzojmë për ecurinë e shkëlqyer si klubin ashtu dhe z. Safet Gjici i cili është shembull për t’u ndjekur, sqarojmë që marrëveshja për dy ndeshjet e luajtura në stadiumin “Zeqir Ymeri” është dy milionë lekë të vjetra dhe kishte një kontratë të firmosur. Jam i gatshëm të përballem me letra dhe drejtësi jo thashetheme të disa individëve dashakeq të Korabit”,-mbylli prononcimin e tij, administratori i klubit të Korabit, Fehmi Mziu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.