Reagon Armando Cungu: Vllaznia nuk bën pazare

0
SHPËRNDAJE

Armando Cungu reagon publikisht dhe me zë të lartë. Trajneri i Vllaznisë dhe skuadra që drejton u përballën me një situatë të pazakontë pas barazimit ndaj Kukësit duke u vendosur në shënjestër. Numri 1 i stolit të skuadrës shkodrane nuk përdor gjuhën diplomatike për t’iu kundërpërgjigjur akuzave se Vllaznia po luan për interesat e klubeve të caktuara, duke theksuar qartë se djemtë e tij luajnë vetëm për fanellën që mbajnë të veshur.

“Nuk më pëlqen atmosfera e krijuar artificialisht nga persona që u janë prishur interesat por i garantoj të gjithë se Vllaznia shikon interesat e veta. Edhe ne kemi të drejtën morale për të luftuar për emrin, fanellën dhe qytetin tonë. E quaj shumë banal tensionin e krijuar. Cungu nuk është blerë ndonjëherë me lekë dhe nuk ka çmim. Ata që më përmendim emrin e dinë shumë mirë këtë punë. Unë do të luaj maksimalisht ndaj çdo kundërshtari dhe këtu nuk bën përjashtim as Partizani”.

Trajneri shkodran kërkon të heqë presionin nga skuadra pas një jave të shoqëruar me polemika por që kulmoi me lajmin se Vllaznia rrezikon falimentimin.

“Nuk ka lidhje me presionin, unë jam mësuar me të tilla situata. E rëndësishme është që djemtë të jenë të qetë dhe të japin maksimumin edhe pse këtë ndeshje kemi shumë probleme. Do të japim maksimumin. Rezultati është tjetër gjë, por shpresoj të marrim rezultat pozitiv sepse dëshirojmë vendin e katërt. Vllaznia po bën kampionat në fushën e lojës dhe në asnjë vend tjetër. Unë sot jam vendosur në dijeni prej mediave, nuk e di këtë situatë por nuk mund të përgjigjem unë për këtë temë. Vllaznia ka qenë shumë korrekte me pagesat për stafin dhe lojtarët por për të tjerat nuk mund të flas”.

5 ndeshjet e fundit pa humbje dhe vendi i katërt me Luftëtarin me pikë të barabarta. Cungu shprehet i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij në fazën e tretë, por ai nuk vendos limit.

“Kemi një moment të mirë, uroj të vazhdojë sa më gjatë por kampionati po bëhet më i egër dhe konkurrenca po bëhet më e ashpër. Do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë të qetë për të arritur objektivat që kemi vendosur. Nuk pres asnjë dhuratë prej askujt, duhet të marrim sa më shumë pikë por jo çdo gjë mund të varet nga mundësitë tona. Jam shumë i kënaqur me punën e këtyre djemve”.

Në fund, trajneri i kuqebluve nuk jep asnjë pikë referimi për të ardhmen, duke nënvizuar se vendimin do ta marrë në përfundim të sezonit.

“E rëndësishme është ta mbyllim sa më mirë por nuk dua të ndalem shumë te e ardhmja, do të qetësohem dhe do të marr vendimin e duhur. Unë jam profesionist dhe Vllaznia ka qenë përherë prioriteti im, e rëndësishme është që të lihet e qetë skuadra, të tjerat nuk kanë rëndësi”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.