Reagon Kukësi / Federbeti duhet të publikojë fakte. Do përballemi në gjykatë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Miqësorja / Pritej i shpejt dhe ashtu erdhi. Kukësi reagoi menjëherë pas akuzës së radhës nga Federbet, që ngriti sërish dyshime për humbjen 6-0 të veri-lindorëve në miqësoren me Dinamon e Moskës, për lëvizje të dyshimta të koeficientëve të basteve.

Nëpërmjet një deklarate zyrtare, kampionët e Shqipërisë iu përgjigjën atyre që i cilësojnë “akuza absurde, por edhe retorika boshe dhe akuza të shkruara pa fakte nga persona që janë të zhytur deri në fyt”. Në reagimin e tij, Kukësi i quajti akuzat dashakeqe dhe të njëanëshme, si edhe ka sfiduar Federbet që të publikojë fakte për çrregullimet e pretenduara të basteve.

“Ndryshe nga Federbeti, që duket sikur gjen nxitje nga egoja dhe dëshira e sektorëve të caktuar që i frymëzojnë edhe nga Shqipëria, për të ‘nxirë’ ekipin e Kukësit, ne kemi kontrolluar dhe pyetur edhe specialistë të fushës. Asnjë çrregullim bastesh, në asnjërën nga ndeshjet e pretenduara”, theksohej në qëndrimin e klubit.

Bazuar edhe në qëndrimin e presidentit Safet Gjici të pak ditëve më parë, kampionët e Shqipërisë premtuan se “lufta e tyre nuk do të bëhet në facebook apo me fjalë boshe”, por se ata janë të vendosur “ti shkojnë deri në fund kësaj çështje në rrugë ligjore”.

“Nuk lejojmë askënd që të njollosë emrin e ekipit të Kukësit, pasi kemi qenë lokomotivë e ekipeve shqiptare në Europë duke i dhënë mësim të gjithëve se mund të ecësh dhe të fitosh edhe me pastërti. Ftojmë Z. Francesco Baranka të ndjekë nga afër të gjitha ndeshjet e Kukësit, pasi atëherë edhe relacionet e tij, ndoshta do të ishin më reale dhe do të merreshin më seriozisht”, thuhej më tej në deklaratë.

Keqardhja e klubit për dy ndeshjet e humbura me rezultat të thellë mbetet, pavarësisht ngarkesës fizike dhe forcës së kundërshtarëve që nuk përdoren si argument. Në situatën e krijuar me akuza dhe kundërakuza, te Kukësi janë të bindur se do ta fitojnë të drejtën pas përballjes ligjore me kompaninë Federbet.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU