Renato Arapi sfidon “acarin” rus

0
SHPËRNDAJE

Mbrojtësi durrsak i kampionëve, Renato Arapi, deklaron se këto ndeshje në grup të Ligës së Europës po tregojnë se futbolli shqiptar është duke u rritur shumë. “Diferencat mes Skënderbeut dhe Lokomotivës së Moskës janë të mëdha, kjo dihet. Objektivi ynë për të enjten është të marrim një barazim, që do të na kënaqte të gjithëve”, – ka theksuar mes të tjerash mbrojtësi Renato Arapi, i cili dje ka folur kryesisht për ndeshjen e nesërme në Rusi, duke besuar shumë se Skënderbeu do të bëjë një paraqitje dinjitoze. Pas stërvitjes së fundit në Shqipëri, mbrojtësi i krahut të majtë, për “Sport Ekspres” ka dhënë këtë intervistë:
image
– Arapi, a është gati Skënderbeu për këtë ndeshje kaq të vështirë me Lokomotivën e Moskës?
“Jemi gati. E rëndësishme është që jemi të plotë dhe nuk ka dëmtime. Trajneri Josa e ka në dispozicion thuajse gjithë grupin. Shkojmë në Moskë për të bërë një paraqitje vërtet dinjitoze dhe kam bindjen se do të tregojmë vlerat më të mira të futbollit shqiptar.”

– Trajneri Mirel Josa ka deklaruar se do të ketë rotacion në këtë transfertë…
“Kjo varet nga objektivat që ka klubi. Nëse do të shkojmë për të marrë rezultat pozitiv, duhet të luajë grupi që është më në formë. Në të kundërt, sigurisht që do të ketë rotacion, gjë që është normale për ndeshje të tilla.”

– Në të ftohtin moskovit shumë ekipe me emër në Europë nuk ia kanë dalë. Po Skënderbeu?
“Për të folur për kundërshtarin duhet të jemi shumë realistë. Lokomotiva është një skuadër e madhe dhe, në mos gaboj, ka një buxhet afërsisht 90 milionë euro. Në futboll gjithçka është e mundur, ka edhe surpriza. Pse të mos jemi ne surpriza e së enjtes? Skënderbeu i ka mundësitë ta përballojë “acarin” rus”.”

– Do të shikojmë një Skënderbe, që do të luajë në mbrojtje?
“Për këtë më mirë pyesni trajnerin, sepse është ai që vendos për skemën si do të luajmë. Në seancat e fundit trajneri nuk ka zbuluar asgjë në lidhje me formacionin dhe skemën e lojës. Të presim ditën e ndeshjes.”

– Ndeshjen e parë Lokomotiva e fitoi në Lisbonë, kurse ju humbët në shtëpi ndaj Beshiktashit. Me çfarë objektivi shkon Skënderbeu në këtë transfertë?
“Diferencat janë të mëdha, kjo dihet. Objektivi ynë është të marrim një barazim, që do të na kënaqte të gjithëve.”

– Trajneri Josa ka deklaruar se Skënderbeu nuk do të jetë thjesht turist në Moskë. Mendimi juaj?
“Edhe unë jam i të njëjtit mendim. Nuk do të shkojmë për aventurë, pasi e dimë forcën e kundërshtarit, që ka më shumë cilësi. Do të mundohemi kryesisht të jemi të kujdesshëm në repartin e prapavijës. Kur u hodh shorti i grupeve, e dinim që do ta kishim shumë të vështirë, pasi të tre ekipet që kemi përballë janë pretendentë për të kaluar më tej. Mendoj që deri në fund nuk do të dalim pa pikë.”

– Po për kampionatin shqiptar, çfarë do të thoshit, pasi Skënderbeu është komod në krye, me 15 pikë?
“Si çdo vit, jemi në krye të Superligës, por këtë herë me pikë të plota. Edhe këtë vit e them se rival kemi vetëm veten. Ekipet e tjera të luajnë për një vend në Europë, sepse Skënderbeun është shumë e vështirë ta zbresin nga froni.”

– Deri në dhjetor, kur mbyllen ndeshjet e grupeve në Ligën e Europës, sa të vështirë do ta keni të përballoni ngarkesën e lartë?
“Shumë të vështirë. E dinë të gjithë se luajmë me synime të qarta dhe madhore në të tre kompeticionet. Ekipi është i kompletuar, me 25 lojtarë që mund të luajë titullarë, kështu që do të jemi të suksesshëm.”

– Skënderbeu po e përfaqëson futbollin shqiptar në Europë në mënyrë të shkëlqyer. Ju si mendoni?
“Fakti që jemi në grupet e Ligës së Europës tregon qartë se futbolli shqiptar është rritur shumë. Edhe në Moskë do të përpiqemi të luajmë sa më mirë, që t’i tregojmë Europës se edhe në Shqipëri luhet futboll.”

– Sipas jush, kush do të jetë kampioni i Superligës?
“Nuk ka nevojë ta them, pasi e theksova edhe më sipër. Ekipi më i favorizuar dhe që 80% kampion që tani është Skënderbeu. Këtë e them pasi e dinë të gjitha skuadrat e tjera se kemi më shumë cilësi.”

– Së fundi, një parashikim për të enjten ndaj Lokomotivës së Moskës…
” (Qesh) E kalojmë të ftohtin rus me një barazim pa gola, 0-0.”

/Skënderbeu/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.