Reportazh/ Fitorja e një populli të ndarë, që i bashkoi një flamur

0
SHPËRNDAJE

imageKombëtarja/ Shqipëria është kualifikuar për herë të parë në finalet e një kompeticioni madhor, qoftë kontinental, qoftë botëror. De Biasi dhe të tijtë përmbushën një ëndërr dhjetravjeçare të shqiptarëve, duke siguruar një vend mes 24 skuadrave kombëtare më të mira të Europës, si finalist e “Euro 2016”. Ky sukses ka bërë xhiron e botës, teksa media të ndryshme, nga më prestigjiozet, i kanë kushtuar vëmendje kualifikimit të një vendi të vogël në një garë të madhe.

imageSë fundi ka qenë “Eurosport”, në gjuhën italiane, ai që ka transmetuar një reportazh, me protagonistë disa prej kuqezinjve. “Është diçka e pabesueshme. Kjo ka qenë ëndrra ime e madhe, që në fëmijëri, – thotë Etrit Berisha. – De Biasi ka ndryshuar mentalitetin tonë. Jemi bërë një ekip solid nën drejtimin e tij. Me mençurinë e tij jemi kthyer në një ekip tjetër.” Edhe Armando Sadiku konstaton si çelësin e suksesit trajnerin italian, De Biazi: “Misteri na ka dhënë shumë besim. Jemi një grup me moshë të re dhe me të ardhme të artë. Të gjithë së bashku kemi gisht në këtë sukses të madh.”

imageErmir Lenjani e komenton me nota tejet pozitive suksesin e Shqipërisë, kualifikimin në “Euro 2016”. Ai nënvizon mes të tjerash: “Askush më parë nuk kishte mundur që ta dërgonte kombëtaren shqiptare në një Europian.” Kapiteni Lorik Cana vlerëson shumë mbështetjen e tifozëve, duke premtuar se surprizat nuk kanë mbaruar ende: “Për ne është një mundësi e madhe, pasi kemi shanse t’u tregojmë të tjerëve se çfarë jemi të zotët të bëjmë. Jemi të lumtur për tifozët tanë. Na kanë mbështetur edhe njerëz që nuk ndjekin futboll. Te kjo kombëtare ato shikonin një motiv për t’u krenuar me Shqipërinë.”

imageGianni De Biasi ishte më prekës në fjalën e tij, teksa thotë se kombëtarja e futbollit ka kryer një mision që shkon përtej “një arritje futbollistike”. “Në jetë duhet të besosh gjithmonë në aftësitë e tua. Nëse nuk e bën, atëherë është e kotë që shpreson. Kjo ishte fitorja e një populli të ndarë, por i ribashkuar nën një flamur. Ky është një aspekt i mrekullueshëm.” /TeleSport/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.