Revolucion tek Kukësi / 7 lojtarëve dhe trajnerit u mbaroi kontrata

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Të shohësh të mirën në të keqe. Nuk duhet të jesh detyrimisht një optimist i pandreqshëm për të kuptuar që eliminimi i hidhur i Kukësit në Champions kishte pozitiv faktin që skuadra tregoi lojë, përgatitje teknike dhe cilësi. Një ekip i pjekur dhe i rritur në të gjitha drejtimet, pas një projekti që vazhdon prej pesë vjetëve. Por, tashmë pikëpyetjet më të mëdha lidhen me atë që presidenti Safet Gjici do të bëjë me investimin e tij.

Pas pjesëmarrjes historike në Champions, baza e ekipit e sheh veten pa kontrata. Duke nisur nga trajneri Ernest Gjoka, marrëveshja e të cilit me klubin mbyllej pas kupave të Europës. Pas festës së titullit presidenti Gjici deklaronte se Gjoka e kishte në xhep rinovimin nëse kalonte Sheriffin. Por tani, pas një eliminimi të tillë të pafat, askush nuk mund të fajësojë trajnerin që shkëlqeu taktikisht ndaj një rivali më të fort në cilësi dhe financa, por as lojtarët.

Edhe heronjtë e kurorëzimit të Kukësit kampione e shohin veten në udhëkryq. Shtatë titullarë që përbëjnë boshtin e skuadrës janë pa kontrata. Duke nisur nga portieri Enea Koliçi, për të cilin ofertat nga jashtë nuk mungojnë. Në mbrojtje, pas largimit të Albi Allës, marrëveshja i përfundoi edhe Ylli Shametit. Një lojtar i shumëkërkuar në Superiore, me Kukësin që padyshim duhet të bëjë një sforco ekonomike për ta mbajtur.

Në mesfushë rrezikojnë të largohen Musolli që përbën muskujt e këtij reparti dhe Nijas Lena, jo rastësisht i etiketuar si truri i ekipit. Përveç tyre pa kontratë është edhe braziliani Karioka. Problematike është situata edhe në sulm, aty ku marrëveshjet e Izair Eminit dhe Pero Pejiç janë mbyllur. Nëse të gjithë titullarët do të largohen, kampionët e Shqipërisë rrezikojnë seriozisht që të përballen me sezonin më pak konkurrues në elitën e futbollit shqiptar.

Eliminimi pas fitores 2-1 ndaj Sheriff Tiraspol, bëri që ndoshta për herë të parë Kukësi të bashkonte të gjithë opinionin sportiv në vend. Edhe rivalët më të zjarrtë të veri-lindorëve nuk janë ndjerë mirë, që pas asaj ndeshje të dominuar në të gjitha aspektet, skuadra të detyrohej ti jepte lamtumirën turneut. Ndoshta edhe kjo mund ti shërbejë si indicie presidentit Gjici, për tu bindur se projekti duhet të vazhdojë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.