Riza Durmishi: Shqipëria s’më ka ftuar, më emocionon shumë himni shqiptar

0
SHPËRNDAJE

Intervistoi: Reshat Ibrahimi

Është i lindur në Danimarkë, por me origjinë është nga Kamenjani i Tetovës. Luan për ekipin e Brondby-t, ndërsa tani është reprezentues i ri i Danimarkës. Para ca ditësh luajti kundër Shqipërisë dhe u kritikua mjaftë nga shqiptarët për tradhti. Ky etiketim e ka lënduar atë.
Për këto arsye Riza Durmishi dëshiron që përmes kësaj interviste ekskluzive dhënë gazetës “Lajm” të rrëfej të vërtetën e tij futbollistike.

-Si u ndjeve në ndeshjen me Shqipërinë në Kopenhagë?
Durmishi: Nuk u ndjeva mirë kur dëgjoja ofendimet që mi bën tifozët shqiptarë, sepse ata nuk e dinë historinë time që nga fëmijëria e deri sa u rrita, dhe përse kam vendosur të zgjedh Danimarkën para Shqipërisë. Kur do ta mësojnë tani të vërtetën besoj se do të pendohen për vërshëllimat që mi drejtonin atë mbrëmje.

Riza Durmishi
Riza Durmishi

-Po, cila është e vërteta?
Durmishi: E vërteta është se Federata shqiptare e futbollit kurrë nuk më ka ftuar. Ju betohem se asnjëherë nuk më kanë bërë asnjë telefonatë. Ku ka shqiptarë që nuk dëshiron të luaj për Shqipërinë. Edhe nga damarët e mi rrjedh gjaku i shqiptarit, edhe unë jam shqiptar. Por s’jam ftuar. T’ju them edhe një realitet. Mua para disa muajsh më ftoi Maqedonia, më është paraqitur një trajner shqiptar i Maqedonisë, por unë ju thash ‘Jo’. E tash kur unë bëj zgjedhjen, sepse s’kam nga t’ia mbajë, FSHF-së i del gjumi. Tani gjithçka më është vonë.

-Po etiketime tradhtar të kanë lënduar?
Durmishi: Natyrisht që po, sepse unë nuk ndjehem aspak tradhtar, por një shqiptar i vërtetë. Jam me rrënjë shqiptare nga Tetova dhe siç ju thash edhe më lartë, zgjedhjen e kam bërë, pasi kam parë se askush nga drejtuesit e FSHF-së nuk kishin shprehur interesim për mua. Unë këtu jam rritur, jam shkolluar dhe kur më erdhi koha për të vendosur askush nuk më është paraqitur, prandaj vendosa të luaj për Danimarkën, sepse më duhej të mendoja për perspektivën time si futbollist.

Dua të sqaroj edhe një gjë se kritikat e fundit që janë bërë ndaj meje nga ana e medieve dhe tifozëve shqiptar kanë dal pas deklaratave të mija në mediat daneze, ku këto të fundit kanë shtrembëruar deklaratat që i kam dhënë atyre.

Durmishi në duel me Gashin
Durmishi në duel me Gashin

-A e di ai himnin shqiptar?
Durmishi: Po, e kam mësuar. Është himn me tekst shumë të bukur që të emocionon. Edhe atë mbrëmje kur e dëgjoja himnin shqiptar u ndjeva i emocionuar.

-Cilët lojtarë të Kombëtares shqiptare të pëlqyen më së shumti?
Durmishi: Lorik Cana ishte një topfutbollist, që i motivonte bashkëlojtarët e tij. Pastaj më pëlqeu portieri Berisha dhe Taulant Xhaka. Në përgjithësi Shqipëria ka një kombëtare cilësore, nuk është ajo Shqipëri e viteve të kaluara, por një skuadër me lojtar që luajnë në ekipe evropiane.

-Çka i dëshiron Shqipërisë në ndeshjen kundër Portugalisë, të hënën në “Elbasan Arena”
Durmishi: Po, çfarë t’i dëshiroj përveç fitores. Uroj të fitojnë, sepse edhe unë i gëzohem suksesit të Shqipërisë. Shpresojmë që në Euro 2016 të kualifikohemi të dyja kombëtaret.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.