Rrahman Hallaçi: Do dalim kampion pa asnjë humbje

0
SHPËRNDAJE
loading...

Kukësi / Një barazim i përjetuar si një humbje. Dy pikë të humbura në shtëpi, që i dhanë avantazh Partizanit në garën për titull. Rrahman Hallaçi flet si kapiten. Përpos besimit se Kukësi do të ringrihet, ai nuk i shkarkon përgjegjësitë vetëm te arbitri Andi Koçi, për hapin fals në shtëpi me Vllazninë.

“Në këto momente nuk duhej ta lëshonim kreun, por këto janë gjëra që ndodhin. Duhet të ishim më të qetë në fundin e ndeshjes, sepse kishim disa raste të pastra dhe nëse do të kishim qetësi mund ta kishim zgjidhur ndeshjen. Duhet të ngremë kokën lart, sepse kampionati ka shumë ndeshje dhe nga java në javë do të arrijmë të rikthehemi në vendin e parë. Është pak problem tani sepse duhet të rregullojmë anën psikologjike, por do ti gjejmë forcat.

Nuk dua të flas për arbitrat. Ndoshta edhe ai (arbitri Andi Koçi) e ka parë që gaboi, sepse 11-metërshi i paakorduar ishte i pastër. Duhet të shohim te vetja jonë, duhet ti gjejmë fajet te vetja, sepse ndeshjet duhet ti zgjidhim ne dhe mos t’ia lëmë në dorë arbitrave.”

Sfida e radhës është ndaj Teutës, skuadrës me të cilën në Nëntor 2016 Kukësi regjistroi fitoren e parë nga tre të tilla në trasferta në këtë sezon. Te Kukësi nuk duan të humbin kohë, por të kthehen menjëherë te suksesi prej ndeshjes në Durrës.

“Sigurisht që ndeshja me Teutën është një mjaft e vështirë. Megjithatë kemi besim sepse jemi ndërtuar për të fituar trofe. Nga dita në ditë duhet të bëjmë maksimumin, të përmirësojmë ato gjëra që nuk arritëm ti bënim ndaj Vllaznisë, sepse nuk pret më as koha.”

E ndërsa nuk e ka përjashtuar asnjëherë Skënderbeun nga gara për titull, kapiteni Hallaçi beson se Kukësi do ta mbyllë sezonin pa humbje, ndërsa sipas mbrojtësit është ende herët të mendohet për finalen e titullit me Partizanin.

“Besim kemi, sigurisht që kemi. Nuk duam të bëjmë asnjë humbje dhe nga java në javë e kemi treguar që jemi një skuadër e pathyeshme. Ndoshta në mendjen tonë në fund të ndeshjes me Vllazninë na u duk si një humbje, edhe pse barazuam, por fakti është që humbëm dy pikë. Ka ende kohë për të menduar për ndeshjen direkte me Partizanin. Tani jemi të përqendruar te ndeshje me Teutën, sepse ky është një takim shumë i rëndësishëm për ne.”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.