Rrëfehet Mentor Mazrekaj: Drejtuesit italianë e nënvlerësuan Superioren… Edgar Çani? Jo, në Shqipëri kanë harruar Sukajn, Xhevahirin e Partizanit!

0
SHPËRNDAJE

Mazrekaj me fanelën e Prishtinës

Është lindur për të qenë talent dhe me një prekje të topit i magjeps të gjithë. Mentor Mazrekaj, fantazisti 28-vjeçar ka dhënë një intervistë ekskluzive për newsport.al. Prononcimet nuk janë arma e tij më e fortë, përkundrazi gjithmonë ka refuzuar të japë intervista. Më i preferuari në fushë, por më i “urryeri” nëse mund ta themi kështu në media.

Me këmbënguljen tonë, “Menqa” i tifozëve të kuq pranoi të fliste për të gjitha. Nga Partizani i këtij sezoni, te aventura e tij në Kosovë dhe në fund e lë gjithçka pezull teksa rikthimin e tij në kryeqytet ia “faturon” drejtuesve të kuq. Për katër sezone, “kokëforti” ishte gjithmonë në faqe të parë të gazetave, kronikë kryesore në lajme dhe më e veçanta… Idhull i tifozëve të kuq në fushën e blertë.

– Je transferuar te Prishtina, por mendjen nuk e hiqni asnjëherë nga Partizani. Në vend të 5-të me 11 pikë, si iu duket kjo skuadër?
U transferova te Prishtina që të jem sa më afër familjes. Kisha 4 vite larg tyre, megjithatë edhe pse larg Shqipërisë e kam ndjekur këtë sezon të Superligës në çdo ndeshje, veçanërisht Partizanin. Nuk e di pse ky start kaq i dobët, kur dihet që këtë vit kanë investuar më shumë se 4 vitet e tjera. Ndoshta lojtarët e ardhur nuk janë përshtatur ende.

– Por, po mbyllet faza e parë… Ç’duhet pritur më shumë që të përshtaten?
Nuk e di çfarë të them.

– Siç e përmendet dhe ju afrimet e reja nuk po bindin. Finesa e Mazrekajt mungon qartë në fushë, ndërsa në sulm Çani rezultoi zgjedhje e gabuar. Në syrin e një profesionisti, ku duhet të ndryshojë ky ekip?
Afrimet e reja mendoj se nuk janë përshtatur plotësisht. Përveç kësaj, futbollin shqiptar e kanë marrë shumë lehtë prandaj kanë hasur vështirësi. Për sa i përket Çanit, mendoj se në Shqipëri mungon akoma profesionalizmi.

Është e pamundur të marrësh në skuadër një lojtar të mirëpaguar pa i bërë analizat mjekësor. Pastaj për vlerat e Edgarit nuk kemi ç’të themi pasi të gjithë ia njohim mirë cilësitë në fushën e blertë.

– Pse përmendet kaq shumë Çani, kur në skuadër është Xhevahiri. Para dy sezonesh shënoi plot 21 gola…
Për mendimin tim, Sukaj është sulmuesi më i mirë i kampionatit shqiptar. Këtë e ka vërtetuar gjithmonë sa herë ka qenë Partizani në vështirësi. Mediat e bënë shumë bujë ardhjen e Çanit, prandaj po përmendet shumë.

– S’është problemi i medias, por i rrogës 12-mijë euroshe në muaj…
S’më takon mua të flas për këtë pjesë.

– Nga skuadra janë larguar Ramadani, Torasa, Cetkoviç dhe Ekuban. A mund të zëvendësohen këta futbollistë?
Është shumë e vështirë. Edhe vetë drejtuesit italianë së bashku me futbollistët e huaj e kanë marrë shumë lehtë kampionatin shqiptar. Prandaj kanë sjellë lojtar të kategorive të dobta. Normal që nuk mund të zëvendësohen, të paktën sipas këndvështrimit tim.

– Si është e mundur që një profesionist si Moxhi nuk arrin të gjejë lojtarë cilësorë për një skuadër pretendente për titull?
Siç e thashë më lart, ndoshta nënvlerësimi që i ka bërë kampionatit shqiptar.

– Po aventura jote te Prishtina si po shkon? Keni një trajner që vjet e kishit kundërshtar në derbi me Tiranën…
Jam i kënaqur. Po ecën mirë. Jemi në garë për titull. Me trajnerin Mirel Josa nuk më ra të punoja shumë sepse menjëherë pas pak kohe u bëra operacion. Po ato ditë që kaluam bashkë ishte shumë mirë. Më pëlqen shumë puna e tij.

– Sot, keni bërë një postim në rrjetet sociale ku ktheheni pas në kohë me ish-skuadrën tuaj Partizanin. Sinjale rikthimi apo dashurie?
(Qesh) Të them të vërtetën atë faqe nuk e menaxhoj unë, por dikush që më do të mirën. E mirëmban sikur të isha unë (Qesh).

– Kjo do të thotë që iu mund të riktheheni te Partizani?
Të shohim ç’mendje kanë drejtuesit e kuq. Hë për hë jam i motivuar dhe dua të jap më të mirën për Prishtinën.

– Si është e mundur, nga iu buron gjithë kjo dashuri, ju shqiptarëve të Kosovës për Partizanin? Ti, Ibrahimi apo edhe të tjerë që sot ndoshta nuk janë pjesë e të kuqve?
Se di. Gjithë që kanë qenë aty gjithmonë e kanë dashur, madje më shumë se ata që janë aktualisht pjesë e Partizanit. Edhe Ramadani, edhe të gjithë ata që kanë qenë më parë. Nuk di ta shpjegoj.

– Epo dashuria nuk shpjegohet, ndihet…
(Qesh) E vërtetë.

– Si parashikon Partizanin aktual?
Me këtë ritëm e shoh në vendin e tretë. Besoj se vendin e tretë do ta kapë. Unë mendoj se këtë sezon do të fokusohen te Kupa, në mënyrë që sezoni mos të dështojë totalisht.

 – Pas kësaj interviste të bukur, fjala jote e fundit cila është?

Dua të them diçka për tifozët. Gjithmonë kam qenë cik i ftohtë me ta, por ata janë lojtari i 12-të i skuadrës. Partizani nuk ecën dot pa ata. Unë kam respekt maksimal dhe i përshëndes kudo që ndodhen. / RETIN TOKA/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.