Rrëfimi i Gazmend Demit: Pse nuk kandidoj për kreun e FSHF

0
SHPËRNDAJE

“Në këto vitet e mia kjo është situata më e turpshme për Partizanin dhe më e vështirë. Megjithatë mendojmë sikur tani jemi futur në shina për të rikuperuar kohën e humbur”. Kështu e nisi Gazmend Demi prononcimin e tij në “Top-Channel”, që më pas flet edhe për ndeshjen e humbur me Luftëtarin, për të cilën hedh dyshime.

“Ndeshja e Gjirokastrës është maskaradë, edhe sot kur e kujtoj nuk di çfarë të them. Nuk mund të them nëse ka patur poshtërsi apo jo, se pa fakte nuk mund të flas. Për zërat që kam dëgjuar në ka vërtetësira, sot jemi në një kohë ku kontrollohet e verifikohet gjithçka. Domethënë atë ditë ishte një skuadër pa karakter, sot kur e kujtoj më vjen turp”, deklaron numri një i klubit të kuq, që flet edhe për titullin e sezonit 2015-2016.

“Titulli nuk mund të rri në sirtarin e federatës. Duhet ta marrë vendi pasardhës. Aq më tepër që ne u përfaqësuam nga UEFA jo nga federata në Champions League”, shtoi Demi.

Votimet për kreun e Federatës janë një tjetër temë diskutimi: “Ne si Partizan nuk kemi asnjë kandidaturë. Por do të shohim cilët do të jenë kandidatët dhe unë e kam thënë edhe herë të tjera, do të shoh dhe do të votoj për platformën më të mirë për futbollin shqiptar kushdo që të jetë, ky president që është apo ndonjë kandidat tjetër. Unë kandidat? Më kanë thënë edhe më parë disa miq të mi që të kandidoja për president, dikur s’kisha lidhje me futbollin fare. Por nuk mund të kandidoj, edhe pse kam shumë dëshirë të bëj gjëra të mira për vendin tim. Tani kam edhe konflikt interesi, pastaj edhe presidenti aktual është shumë i fortë, vështirë të mundet”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU