Rrezikon përsëri Flamurtari. Disa lojtarë e padisin në FIFA

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Flamurtari, në rrezik për rrogat e prapambetura. Burime të sigurta pranë klubit vlonjat bëjnë me dije për “Panorama Sport” se të gjithë lojtarët e huaj dhe kosovarë nuk kanë marrë pagat që nga muaji dhjetor. Në një situatë të tillë, ku kanë pesë muaj pa u shlyer, lojtarët e huaj dhe kosovarë kanë dërguar në FIFA një shkresë zyrtare ku kërkojnë që të hapet gjyqi ndaj Klubit të Futbollit Flamurtari.

Futbollistët, të cilët nuk kanë marrë pagat, mendohet që të jenë Ivan Galiç, Nakamuta Lineker, Balsa Radoviç, Mauricio Leal, Milos Rniç, Haxhi Neziraj, Astrit Fazliu, Donjet Shkodra dhe Ilir Berisha. Lojtarët e huaj dhe kosovarë pohojnë për gazetën se nuk kanë marrë ende pesë paga, por pranojnë që të ruhet anonimiteti për shkak se në kontratë ekziston një klauzolë që i penalizon ata nëse flasin publikisht për këtë çështje, e cila konsiderohet si prishje e imazhit të klubit.

Në këto kushte, Flamurtari duket se do të ketë të tjera probleme në të ardhmen, për shkak se do të kërcënohet nga FIFA, pas ankimimit të lojtarëve. Por, me FIFAn, kuqezinjtë kanë pasur histori të hidhura, ku ose është detyruar që të paguajë detyrimet, ose është penalizuar.

ÇËSHTJA “NEZIRAJ” – Erdhi në Vlorë me bujë të madhe, por tashmë është mes shumë dilemash. Bëhet fjalë për Haxhi Nezirajn, lojtari që u cilësua goditje në merkato dhe që mori edhe pëlqimin e tifozëve.

Me Nezirajn po ndodh një situatë absurde. Ai nuk u përfshi në planet e trajnerit Duro dhe cilësohet i larguar. Mësohet se lojtari ka një kontratë edhe për një vit me Flamurtarin.

Por klubi as nuk i ka thënë të qëndrojë e as të largohet. Nisur nga kjo situatë, duket se drejtuesit kërkojnë që ta zgjidhin kontratën e lojtarit me marrëveshje. Por vetë futbollisti duket se nuk është i këtij mendimi dhe kërkon zbatimin e asaj që ka firmosur.

ÇFARË THA IDRIZI – Administratori Sinan Idrizi deklaroi dy ditë më parë për gazetën se lojtarët janë paguar dhe se klubi po përdor strategjinë e pagesës me grafik. “Lojtarët e Flamurtarit janë paguar dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë. Pa u paguar janë vetëm ‘tre musketjerët’, e dinë vetë ata.

Klubi ka një strategji kur bënë pagesat ndaj lojtarëve. Ato nuk kalojnë për të gjithë. Sot paguhen pesë, nesër pesë të tjerë dhe kështu me radhë. Nuk u ka ardhur radha sipas mundësive financiare të klubit.

Do të paguhen edhe ata. Ne si klub marrim përsipër detyrimet tona. Kushdo nga lojtarët që mendojnë ndryshe, apo nuk durojnë dot, le t’i drejtohen gjyqit”, tha Idrizi që pranoi se vetëm tre lojtarë nuk janë shlyer, ndërsa pjesa tjetër sipas tij i ka marrë paratë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.