Rusi 2018/ Ndahen biletat e fundit për botëror. Greqia apo Kroacia? Zvicra apo Irlanda?!

0
SHPËRNDAJE

Rusi 2018/ Rikthehen ndeshjet kualifikuese për kampionatin e ardhshëm Botëror dhe siç dihet nëntë përfaqësueseve që mbyllën fazën e grupeve në vendin e parë do t’iu bashkohen gjithashtu edhe katër kombëtaret e fundit, për të plotësuar përfundimisht numrin 13 të skuadrave që Zona e UEFA-s dërgon në Rusi 2018.

Pas eliminimit të Sllovakisë, si e dyta më e dobët e fazës së parë,tetë përfaqësueset e tjera që u pozicionuan në vendet e dyta në grupet respektive janë njohur prej më shumë se tre javësh me shortin e fazës play off, kështuqë skuadrat e interesuara kanë patur mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur për të kapërcyer pengesën e fundit.

Përfaqësuesja më e privilegjuar nga shorti është padyshim Kroacia që do të ndeshet me Greqinë, skuadër që në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s ka rrëshqitur në vendin e 47. Ekipi helen ishte pothuajse i pashpresë, megjithatë Sllovenia i bëri skuadrës ballkanase një nder të madh, teksa bllokoi në një barazim 2-2 Skocinë në Ljubljanë, duke bërë që përfaqësuesja më e dobët përsa i përket vendeve të dyta të eliminohej pikërisht nga Grupi F.

Në Grupin I Kroacia i ndërlikoi ndjeshëm gjërat me barazimin 1-1 në Rijekë me Finlandën, sidoqoftë drejtuesit e Federatës Kroate të Futbollit shkarkuan në kohë 64-vjecarin Ante Cacic duke e zëvendësuar me ish trajnerin e Dinamos së Tiranës Zlatko Dalic, që ia doli mbanë të fitojë takimin përmbyllës në “Olimpiyskiy” të Kievit, falë dy golave të shënuar nga sulmuesi i Hoffenhajmit Andrej Kramaric në gjysmë orën e fundit të ndeshjes.

Kroacia pozicionohet e 18 në renditjen e FIFA-s dhe ka një ndër skuadrat më të talentuara në Kontinentin e Vjetër. Dejan Lovren nuk është ende 100%, sidoqoftë Kroacia në shtëpi nuk njeh disfatë prej plot katër vjetësh, që nga humbja 2-1 në Stadiumin Maksimir me Belgjikën. Në krahun tjetër skuadra e Greqisë arriti të lërë prapa në Grupin H përfaqësuesen e Bosnje –Hercegovinës, teksa barazoi më parë 1-1 në Pire, falë një goli në 95′ nga Tzavellas, ndërsa më pas në fillimin e muajit qershor nën drejtimin e gjermanit Michael Skibbe dhe gjithashtu me doza të theksuara fati arriti të frenojë Dzeko-n me shokë në një barazim pa gola, brenda në Zenicë. Do të mungojë për shkak të skualifikimit Kostas Manolas, kështuqë në mbrojtje pritet të luajë Kyriakos Papadopoulos. Greqia vazhdon të mbështetet në lojën mbrojtëse dhe në fakt ekipi helen nuk njeh humbje në shtatë takimet e fundit jashtë fushe, madje në eliminatoret e kampionatit botëror “bardheblutë” kanë humbur vetëm 1 nga 13 ndeshjet e fundit në trasfertë.

Greqia ka fituar përballjen më të fundit ndërmjet tyre, në Pire gjashtë vjet më parë, në eliminatoret e evropianit të vitit 2012, falë golave të shënuar nga Samaras dhe Gekas në 20′ e fundit të takimit, ndërkaq suksesin e vetëm kroatët e kanë regjistruar dy dekada më parë, brenda në Selanik falë golit të realizuar cerek ore përpara fundit nga Davor Suker, në eliminatoret për botërorin e Francë 1998, ku ekipi i drejtuar nga Miroslav Blazevic u ndal vetëm nga Franca dhe e mbylli aventurën në podium.

Ndeshja e parë do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin Maksimir të Zagrebit dhe do të arbitrohet nga gjyqtari italian Gianluca Rocchi,, ndërkaq sfida e kthimit do të mbahet të dielën e ardhshme në Pire.

Të grumbullosh 27 pikë nga 10 ndeshjet e luajtura gjithsej dhe t’i mbyllësh takimet në fazën e grupeve përsëri në vendin e dytë. Është ky rasti i përfaqësueses së Zvicrës, që për t’u kualifikuar për në fazën finale të botërorit të ardhshëm Rusi 2018 duhet patjetër të kalojë tashmë edhe pengesën e fundit, ekipin e Irlandës së Veriut.

Shorti i 17 tetorit në Zyrih e vuri përfaqësuesen helvete pra pikërisht përballë “bardhjeshilëve”, jo keq duke patur parasysh që në vazon e dytë gjendeshin edhe kombëtare të tilla si Suedia, Republika e Irlandës dhe Greqia, që të gjitha skuadra me më tepër përvojë se “Norn Iron” në arenën ndërkombëtare. Në Grupin B nën drejtimin e boshnjakut Vladimir Petkovic Zvicra mundi Portugalinë 2-0 në St. Jakob – Park, duke ulur me këmbë në tokë ekipin luzitan menjëherë pas titullit në kampionatin e fundit evropian. Në vijim “bardhekuqtë” regjistruan më pas edhe tetë fitore të tjera, duke shkuar në Lisbonë për dy rezultate nga tre, gjithsesi historia dihet, ndryshe nga takimi i parë në “Doa Luz” skuadra luzitane kishte në dispozicion edhe lojtarin që bëhet gati për të koleksionuar Topin e Katërt të Artë në 5 vitet e fundit Cristiano Ronaldo dhe skuadra e trajnerit Fernando Santos fitoi takimin me nga një gol për cdo pjesë, duke e shtrënguar Zvicrën për të shkuar në play off.

Si për ironi të fatit futbollistët helvetë nuk rendën shumë larg, por peshkuan vetëm një grup më poshtë pikërisht Irlandën e Veriut, që në Grupin C bëri shkëlqyeshëm duke u pozicionuar në vendin e dytë, pas vetëm kampionëve në fuqi të Gjermanisë. Nën drejtimin e Michael O’Neill përfaqësuesja irlandezoveriore u ngjit deri në vendin e 20, ndërsa aktualisht “bardhjeshilët” që mbështeten në pjesën më të madhe nga kontigjenti i Premier League-s dhe Championship-it renditën të 23 në rruzull. Zvicra në krahun tjetër ka lojtarë me shumë eksperiencë, ku padyshim spikasin edhe plot pesë futbollistë me origjinë shqiptare, gjithsesi përfaqësuesja helvete ishte deri vonë në dhjetëshen e parë të botës, por u kalua së fundmi nga skuadra e Perusë.

Të dy ekipet pritet ta interpretojnë ndeshjen e parë në “Ëindsor Park” me shumë kujdes, duke u mbështetur në skemën 4-2-3-1. Qendërmbrojtësi Johan Djourou nuk është grumbulluar, gjithsesi “bardhekuqtë” paraqiten në këtë duel pas 10 fitoreve në 11 ndeshjet e fundit, shtatë prej të cilave madje pa pësuar as gol. Në krahun tjetër “bardhjeshilët” në katër vitet e fundit janë mundur vetëm nga Norvegjia, Gjermania, Kroacia dhe Portugalia. Bilanci ndërmjet tyre është i barabartë, të dy vendet numërojnë nga një fitore, megjithatë Irlanda e Veriut dhe Zvicra kanë më shumë se gjysmë shekulli pa u ndeshur mes tyre. Takimi do të luhet në Belfast në orën 20:45 dhe do të gjykohet nga arbitri rumun Ovidiu Hategan, duel të cilin të gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për ta ndjekur drejtpërsëdrejti në Supersport 3, ndërkaq ndeshja e kthimit do të luhet të dielën e ardhshme në St. Jakob – Park të Bazelit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU