Safet Gjici i bën “gjyq” ekipit: Merrni 6 pikë, ose nuk ju jap asnjë lek

0
SHPËRNDAJE

Barazimi ndaj Ko rabit në shtëpi ka “tërbuar” Safet Gjicin. Presidenti ka braktisur stadiumin pak minuta para se arbitri Xhaja të sinjalizonte fundin e lojës, pikërisht për shkak të zhgënjimit. Pikët e lëna nuk janë përtypur prej tij, ndaj dje ka bërë një mbledhje urgjente me ekipin dhe stafin.

Safet Gjici

“Gjyqi” ka nisur në orën 10:00 dhe ka zgjatur një orë e 20 minuta. Numri një i klubit është shfaqur mjaft kritik dhe në mbyllje ka vendosur “ultimatum” për fitoren. Gazeta “Panorama Sport” zbardh fjalimin e bërë prej numrit një të klubit, i cili në disa raste ka folur edhe me tona të larta.

“U kam thirrur këtu për t’iu thënë që jam shumë i zhgënjyer nga të gjithë. Dje (të mërkurën) keni treguar se shumë prej jush nuk vlejnë asnjë lek. Keni zhvilluar një ndeshje skandaloze në mes të Kukësit, na keni turpëruar. Me ju do të merrem vesh ndryshe unë, ju nuk po luani, por po talleni me djersën time.

Kur nuk arrin të mundësh në shtëpi ekipin e vendit të fundit, pa le të mendojmë se çfarë do bëjmë dhe si do vazhdojmë me skuadrat e kreut. Ju pata paralajmëruar që duhet të bëni kujdes dhe të mos neglizhoni ndaj Korabit, por duket sa më keni dëgjuar. Ishte një turp ajo ndeshje dhe jam shumë i zhgënjyer nga ju. Jeni të gjithë në provë”, mësohet t’u ketë thënë fillimisht presidenti.

Kritika për lojtarët

Ai u ndal te lojtarët, ndërsa është marrë edhe me emra konkretë. “Pashë një ekip të lodhur në fushë, skandaloz mund të them. Lojtarë që nuk janë fare në fushë ose, edhe nëse janë, janë kot. Ti Pashaji ç’i kishe ato gabime elementare?! Ç’ishte ajo lojë more?! Nuk ishe gjëkundi në fushë, të kalonin lojtarët e Korabit sikur të mos kishin gjë fare. Prandaj të kam marr unë, për të luajtur kështu?!

Musolli?! Po ti Musoll, pse nuk lëvizje në fushë, pse nuk vrapoje? Ma thuaj, pse nuk vrapoje?! Pse nuk ndërhyje, ç’ishte kjo paraqitje?! Pa le sulmi…! Zero, sulmi ishte zero! Izair, po ti pse nuk i shënove rastet? Si nuk arrin të bësh dot ato gola? Pero, as ti nuk je në nivelin e duhur. Kaq ndeshje pa shënuar. Pres më shumë nga ty. Me këtë lojë dhe kështu do të dalim ne kampionë? Keni qenë skandalozë në këtë ndeshje, të pacipë!”, u është drejtuar futbollistëve Gjici dhe me tone shumë kritike.

Kritika për stafin

Edhe stafi nuk ka mbetur pas, ndërsa kreu i klubit ka shfaqur hapur pakënaqësi. “Kam pakënaqësi edhe ndaj jush, jeni treguar të paaftë! Si nuk arrijmë dot ne që të mundim Korabin në shtëpi, përpara tifozëve tanë?! Nuk e pranoj dot këtë! Nuk dini as të menaxhoni skuadrën dhe lojtarët, as nuk jeni të aftë të udhëhiqni këtë ekip.

Po ju them që dua fitore ndaj Skënderbeut dhe me Gjirokastrën. Bëni ç’të doni, më keni premtuar që do jemi në vend të parë, madje të shkëputur, tani bëni ç’të doni. Unë u kam sjellë lojtarët, ekipin e keni, jepini drejtim tani, në të kundërt do t’i jap unë drejtim”. Pas fjalëve të Gjicit, ka ndërhyrë Gjoka, i cili i ka premtuar fitoren ndaj Skënderbeut.

Ultimatum për kthesën

Safet Gjici i vendos në provë që të gjithë, ndërsa i paralajmëron se duhet që të marrin 6 pikë në dy ndeshjet e fundit të vitit, në të kundërt s’do të ketë as parà.

“Të gjithë ju jeni në provë këto ndeshje, do t’ju shoh. Askush nuk mund të tallet me djersën dhe paratë e mia. Jua tregoj unë juve! Çfarë ju ka munguar, më thoni?! Çdo gjë e keni pasur, kam qenë korrekt në çdo gjë me ju, trajtim special, rroga, premio, po ç’të bëj unë më me ju?! Nëse nuk fitoni dy ndeshjet e radhës, kokërr leku nuk keni për të marrë! Ju nuk talleni dot me lekët e mia”, ka thënë në mbyllje presidenti gjatë mbledhjes së djeshme./Panorama Sport

SKERDILAID SULOZEQI

S'KA KOMENTE

Comments are closed.