Sezoni i jashtëzakonshëm i portierit Thomas Strakosha

0
SHPËRNDAJE

Një sezon i paharrueshëm për portierin Thomas Strakosha. 22-vjeçari shqiptar mund të konsiderohet edhe si zbuimi i vërtetë i Lazios pasi ishte ai njeriu që zëvendësoi në mënyrën më të mirë portierin Marchetti të mbërthyer mes dëmtimeve gjatë sezonit të fundit.

Pas debutimit në Serie A në ndeshjen kundër Milanit në “San Siro”, Strakosha nuk u ndal më, duke fituar ndeshje pas ndeshje besimin e stafit dhe trajnerit Simone Inzaghi i cili e ka shoqëruar në pjesën më të madhe të karrierës së tij. Në një profil të gjatë të faqes së specializuar “Lalazisiamonoi”, Strakosha cilësohet një luftëtar i vërtetë dhe një sportist korrekt, duke theksuar se tifozët janë të ndarë për të vetëm kur bëhet fjalë për krahasimin që duhet t’i bëjnë me emra të së shkuarës.

Strakosha arriti të eklipsonte portierin kroat Ivan Vargiç që mbërriti në Romë për të qenë zgjedhje e dytë, por tashmë ai rrezikon të blindojë në stol edhe portierin Marchetti, gjithmonë titullar në 4 sezonet e fundit me fanellën bardhekaltër. Sezoni i 22-vjeçarit shqiptar është pothuajse perfekt dhe këtë e vërtetojnë edhe statistikat pasi ai mban vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm të pritjeve.

Nëse Donnarumma mban vendin e parë me 75.7, Strakosha e ndjek me 73.3 duke lënë pas romanistin Szçzesny me 72.9%. Sezoni i tij u mbyll me 33 gola të pësuar dhe 7 ndeshje ku ruajti katërkëndëshin të paprekur mes kampionatit dhe Kupës së Italisë.

Kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2019 por Lazio ka planifikuar prej kohësh rinovimin. Një çështje për të cilën flitet prej shumë muajsh dhe sipas të dhënave, paga e tij do të rritet deri në 300 mijë euro në sezon deri në vitin 2022.

Edhe pse firma nuk është hedhur ende, trajneri Simone Inzaghi e konsideron një lojtar të skuadrës së tij edhe për të ardhmen. Rinovimi do të vijë pasi klubi po punon aktualisht për disa çështje më urgjente siç janë ato të mbrojtësit Stefan De Vrij, mesfushorit Lucas Biglia, dhe sulmuesit Keita Balde.

Thomas Strakosha do të vazhdojë të rritet në “Formello” edhe për të paktën 4 vite të tjera. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.