Sherr me shokun se nuk i pasoi në stërvitje, Kamza pezullon Morinën

0
SHPËRNDAJE

Klubi i Kamzës pezullon sulmuesin kryesor, Mario Morina. Një debat në stërvitjen e djeshme, që ka çuar në nervozizmin e lojtarit, ka bërë që drejtuesit të marrin këtë masë ekstreme pas konsultimit me trajnerin Bledar Devolli.

Morina-Tirana

Mario Morina kur luante me Tiranën

“Panorama Sport” mëson se gjatë testit të djeshëm të kontrollit që skuadra po zhvillonte, Morina është acaruar pas një pasimi jo të saktë në drejtim të tij nga një shok i skuadrës. Në këtë moment, 24-vjeçari ka ofenduar shokun e ekipit dhe më pas në shenjë nervozizmi ka goditur fuqishëm topin në një drejtim të çuditshëm.

Kaq ka mjaftuar që trajneri Devolli të ndalë stërvitjen dhe të urdhërojë lojtarin të largohet menjëherë nga fusha. Trajneri i ka thënë Morinës që të dorëzojë jelekun që mbante veshur dhe të largohej menjëherë nga stërvitja. Morina nuk është qetësuar, madje edhe pas ndërhyrjes së Devollit ka vijuar me ofendime ndaj këtij të fundit. Situata për pak ka precipituar, por sulmuesi është larguar nga terreni stërvitor dhe më pas skuadra ka vazhduar e qetë ndeshjen e kontrollit.

Vendimi

Pas incidentit në stërvitje, klubi i Kamzës ka dalë me një deklaratë për shtyp duke sqaruar atë që ka ndodhur me Morinën, si dhe komunikuar masën e pezullimit pa afat. “Klubi i futbollit Kamza, duke marrë shkas nga sjellja e pahijshme dhe rrugaçërore e futbollistit Mario Morina gjatë seancës së sotme (djeshme) stërvitore, duke thyer rregulloren, merr këto masa disiplinore ndaj tij:
1. Pezullim i lojtarit Mario Morina për një afat kohor të papërcaktuar;
2. Për tre muaj, ky futbollist do të stërvitet pranë ekipit të të rinjve, me trajner Fatmir Taren;
3. Në rast përsëritjeje, do të ketë masa ekstreme deri në përjashtim.

Kamza është një klub që ka në simbol sjelljen ‘fair-play’ të lojtarëve, jo vetëm gjatë ndeshjeve, por edhe seancave stërvitore për të cilat ne kemi një rregull. Klubi ynë nuk do të lejojë askënd, qoftë edhe profesionist, që të thyejë rregullat disiplinore, si në stërvitje, po ashtu edhe në ndeshje. Rasti i Morinës është i pafalshëm për një futbollist me përvojë dhe profesionist. Nuk do të guxojë askush që të përdhosë bluzën e ekipit tonë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e bërë për mediat nga ana e klubit të Kamzës.

Ecuria

Morina ka qenë një ndër lojtarët e rëndësishëm të skuadrës gjatë këtij sezoni, duke pasur kontribut të madh në fitoret e arritura. Në disa ndeshje, me golat e tij, Morina ka qenë vendimtar për Kamzën. Sulmuesi shënoi pesë herë në tetë takime të luajtura, pikërisht kundër skuadrave si Besëlidhja, Iliria, Kastrioti dhe Erzeni. Trajneri Devolli e aktivizoi si titullar në shumicën e takimeve, edhe pse te Kamza ka një rivalitet të madh sa i përket repartit të sulmit.

Lojtari shmang komentet pas sherrit

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Mario Morina nuk ka pranuar të komentojë atë që ndodhi në stërvitje dhe për më tepër masën e marrë nga drejtuesit e klubit të Kamzës. Gjithsesi, sulmuesi bëri të ditur se do të takohet këto ditë me presidentin Qarri për të qartësuar të ardhmen e tij.

Në momentin më të mirë të klubit, që arriti nëntë fitore radhazi, vjen edhe ky incident, i cili detyroi drejtuesit të marrin masa ekstreme ndaj lojtarit tiranas, i cili ishte një pjesë jo pak e rëndësishme e ekipit. Gjasat janë që Morina të largohet përfundimisht. /Panorama Sport

ABDULLA DUSHKU

S'KA KOMENTE

Comments are closed.