Shpërthen Astrit Muka: Gjyqtarët e kësaj ndeshjeje ishin njerëz pa karakter që ishin shitur për një pjatë paçe pa pilaf.

0
SHPËRNDAJE

Basketbolli/ Apolonia në basketboll për femra ka humbur të dielën në transfertë me Skënderbeun me rezultatin 75-73 vetëm në sekondat e fundit, e vlefshme për javën e 13-të. Por trajnerja Hermiona Çuko dhe drejtuesit e klubit nuk e pranojnë këtë disfatë. Ata shprehen se ndihen të vjedhur nga ajo ndeshje pasi nuk e meritonin të humbisnin pasi sipas tyre e kanë dominuar atë takim.

Inspektori i klubit shumësportësh që shoqëronte ekipin në këtë ndeshje, Baftjar Abazi, për “Panorama Sport” sqaroi: “Çdo gjë për këtë ndeshje ishte paravendosur që do të fitonte Skënderbeu. J.Muho dhe E.Tiko me gjykimin e tyre të njëanshëm na vodhën në këtë ndeshje mundin dhe djersën e vajzave të reja. Ata, veçanërisht Tiko, vetëm gjyqtarë nuk ishin.

Nuk ishin gabime njerëzore ato që bënin ata, por të qëllimshme që të fitonte me çdo kusht ekipi vendas i Skënderbeut. Lejuan lojën e fortë jashtë çdo rregulloreje ku lojtaret tona goditeshin me bërryla e çirreshin nga fytyra, ndërkohë që kundërshtaret vetëm në 20 minutat e para u ndëshkuan. Tri lojtaret korçare Pëllumbi, Llazar dhe Arifi u ngarkuan me 4 gabime personale që në fillimin e pjesës së dytë, por gabimet personale që bënin në vazhdim u ngarkoheshin lojtareve të tjera.

Më flagrant ishte rasti i basketbollistes Llazar. Ajo shkakton gabim personal në mbrojtje, por gjyqtari Tiko, që bashkëbisedonte gjatë gjithë lojës duke qeshur me kapitenen e skuadrës kundërshtare, ia ngarkon këtë gabim personal lojtares me numër 6 që s’kishte lidhje dhe ishte larg topit. Nuk po flasim për të justifikuar humbjen, por këto i kemi dhe të filmuara. Është turp që federata dërgon gjyqtarë të tillë që vetëm të tillë nuk janë”, denoncoi Abazi për gazetën.

Ndërkohë që shefi i klubit shumësportësh, Astrit Muka, shkon edhe më larg: “Gjyqtarët e kësaj ndeshjeje ishin njerëz pa karakter që ishin shitur për një pjatë paçe pa pilaf. I bëjmë thirrje Federatës ta analizojë dhe të marrë masa kryesisht ndaj gjyqtarit Tiko që e bëri baltë dhe në ndeshjen ndaj Elbasanit më parë.

Ky gjyqtar është ‘non grata’ për Apoloninë dhe ju lutem të mos na arbitrojë në asnjë ndeshje, ndryshe ne do t’i japim e do ta mbajmë gjatë gjithë vitit me paçe e pilaf vetëm që të gjykojë drejt. Ne vërtet kemi një ekip të ri, por nuk duam të na favorizojnë, por vetëm drejtësi”, përfundoi Muka.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.