Shpëtim Duro zbulon listën e dëshirave

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Zbardhet lista me emrat e lojtarëve që trajneri Shpëtim Duro kërkon t’i ketë te Flamurtari. “Panorama Sport” zbulon emrat e lojtarëve që trajneri i Flamurtarit kërkon të ketë në ekip si pjesë e Flamurtarit të ri. Bëhet fjalë për lojtarët, të cilët kanë mbyllur sezonin në Vlorë. Lista e dëshirave fillon që nga kapiteni Bruno Telushi. Por ajo vijon më tej edhe me Franc Veliun, portierin Argent Halilaj, Taulant Kuqin dhe Ardit Shehajn.

Këta janë edhe lojtarët vlonjatë për të cilët Duro ka dhënë edhe miratimin e tij. Por listës së lojtarëve që preferohen nga trajneri tiranas i shtohen edhe lojtarë si Ergis Mersini, Haxhi Neziraj dhe Astrit Fazliu. Mësohet se vetëm tre lojtarë të huaj janë në planet e trajnerit Duro edhe për sezonin e ri. Trajneri u ka kërkuar drejtuesve qëndrimin e Danilo Alvesh, Tomislav Bushiç dhe Ivan Jakovljeviç. Ndryshe nga Bushiç, të cilit i ka përfunduar kontrata, Alvesh dhe Jakovljeviç janë nën kontratë me klubin vlonjat.

Ofertat

Pavarësisht se trajneri Duro kërkon qëndrimin e disa lojtarëve titullarë, këta kanë edhe oferta nga ekipet e tjera. Mësohet se kapiteni Bruno Telushi ka oferta nga disa klube vendase. Për mesfushorin Telushi interesohen Partizani dhe Kukësi dhe gjasat që kapiteni vlonjat të largohet janë të mëdha. Por ofertat nuk mungojnë as për lojtarë të tjerë, siç janë Veliu dhe Bushiç, apo edhe Alvesh.

Sulmuesi brazilian kërkohet me ngulm nga Skënderbeu, por lojtari ka kontratë me vlonjatët deri në janarin e vitit të ardhshëm. Ende klubi nuk është ulur me lojtarët aktualë për të vendosur për të ardhmen. Kjo gjë pritet të ndodhë këtë javë, ndërsa pjesës më të madhe të lojtarëve u ka përfunduar kontrata dhe janë të lirë. Në këto kushte, klubi pritet që t’u paraqesë lojtarëve një kontratë të re, por nga ana tjetër edhe vetë futbollistët do të kenë kërkesat e tyre financiare.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.