Shqipëri-Izrael, në Shkodër nuk ka interes për biletat

0
SHPËRNDAJE

loro boriciVetëm 8 ditë na ndajnë nga ndeshja e radhës për Eleminatoret e Botërorit “Rusi 2018” ku Shqipëria luan me Izraelin në stadiumin “Loro Boriçi”. Prej 10 ditësh në sportelet në Shkodër ka nisur shitja e biletave për këtë sfidë të rëndësishme për kuqezinjtë por deri më tani nuk ka një interes shumë të madh për blerjen e tyre.

Burime të sigurta të minuta90.com pranë firmës që menaxhon shitjen e biletave bëhet e ditur se janë ende edhe rreth 2 mijë bileta që nuk janë shitur. Fillimisht kur është hapur sporteli ka patur një fluks për të siguruar biletat që janë me një çmim të lirë ndërsa më pas ky interes ka rënë ndjeshëm.

Burime të sigurta të minuta90.com pranë firmës së biletave tregojnë se biletat me çmimet më të lira 10 dhe 20 mijë lekë të vjetër janë shitur të gjitha dhe nuk disponojnë më. Ato që kanë mbetur në pritje të tifozëve janë biletat me çmime më të shtrenjta, 15 mijë, 30 mijë, 80 mijë dhe 180 mijë lekë të vjetër.

Natyrisht që kjo lidhet ngushtë edhe me nivelin ekonomik në qytetin e Shkodrës duke u renditur ndër zonat më të varfëra në Shqipëri dhe me një numër të madh papunësie. Siç duket situata e përkeqësuar ekonomike dhe dobësimi në xhepin e shkodranëve ka bërë që të mos kenë mundësi që të sigurojnë biletat që variojnë nga 15 mijë deri në 180 mijë lekë të vjetër.

Ajo që shpresohet ende është se afrimi i datës së ndeshjes të 12 nëntorit mes Shqipërisë dhe Izraelit të inkurajojë tifozët që të blejnë 2 mijë biletat që kanë mbetur. Ndeshja me Izraelin për Shqipërinë është e rëndësishme ndaj kuqezinjtë kanë nevojë për tifozët e tyre. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.