Sinella: Çdo ndeshje është finale, Vllaznia është kundërshtar i fortë

0
SHPËRNDAJE
loading...

Laçi kërkon ta rinisë marshimin drejt mbijetesës nga stadiumi “Loro Boriçi”. Pasi kaloi sfidat me tre pretendentet për titull, kurbinasit do të kenë përballë Vllaznia, që është rivale direkte.

Një duel vendimtar në letër, edhe pse trajneri Bledar Sinella pohon se në situatën e krijuar, të gjitha ndeshjet janë finale.

“Për të gjithë klasifikimin çdo ndeshje është finale, sidomos për ne. Në çdo ndeshje duhet të japim maksimumin për të marrë tre pikët, sepse ngjeshja e klasifikimit është bërë e tillë.

Nuk mund të jetë justifikim nëse luajmë me kundërshtarë të fortë ose jo të fortë, sepse për Laçin janë të gjithë kundërshtarë të fortë, ku të gjithë pretendojnë për titullin ose për mbijetesën.”

Me mbrojtësin Arbër Shala dhe kapitenin Erjon Vucaj të rikuperuar plotësisht, te Laçi ka ende disa probleme mungesash, me mbrojtësin Bruno Lulaj, mesfushorin Alked Çelhaka dhe sulmuesin Alush Kanapari që nuk janë në dispozicion të skuadrës.

“Java me Partizanin ishte e vështirë për ne, sepse nuk mund të plotësonim dot formacionin në 100 për qindëshin tonë. Ndërsa këtë javë ndaj Vllaznisë jemi të plotë dhe kemi treguar që nëse japim atë shpirtin që na karakterizon, çdo skuadër e ka të vështirë ndaj nesh.”

Vllaznia ka qenë viktima e preferuar e Laçit në këtë sezon, me dy fitore në dy fazat e para të kampionatit, por Sinella kërkon përqendrim maksimal.

“Absolutisht nuk kemi asnjë lloj presioni. Ne do të shkojmë të bëjmë lojën tonë.

Nuk do të bazohemi te ecuria e mëparshme, sepse ajo i takon së kaluarës tashmë. Do të mundohemi që të japim më të mirën dhe të marrim maksimumin nga kjo ndeshje”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Laçit, Bledar Sinella. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.