SK Tirana në derbi “pa pistoletë” me vete

0
SHPËRNDAJE

Prej vitesh Sportklub Tirana është shquar për forcën e vet sulmuese me emblemat e saj ndër vite që janë dalluar pikërisht në departamentin e shënimit të golit. Prej vitesh ka pasur në radhët e saj “pistoletat” të cilët qëllonin pa mëshirë portat kundërshtare duke i siguruar klubit bardheblu trofe të shumtë.

Në vitet e Paraclirimit kemi pasur Riza Lushtën nga Mitrovica që pasi bombardoi portat e skuadrave shqiptare të viteve 30-të, kaloi në serinë A duke shkruar një histori me gërma të arta që për ne mbetet ende e paarritshme.

Më vonë u dalluan Skënder Hyka e Petrit Dibra për të mbërritur te kolosët e viteve 80-90 Agustin Kola e Arben Minga. Por le të marrim më konkretisht dy dhjetëvjecarët e fundit ku emrat e “pistolerëve” bardheblu (autoktonë e jabanxhi) kanë qenë të shumtë.

Fortuzi 22
Indrit Fortuzi

Në vitet 90-të ku ka dominuar Tirana, kanë dominuar edhe listat e golashënuesve sulmues race si Indrit Fortuzi e Mahir Halili për të vazhduar me shkodranët Vioresin Sinani e Hamdi Salihi e pa harruar Migen Memellin, që të gjithë këta fitues të Këpucëve të Arta në elitën e futbollit tonë Kombëtar.

Edhe Partizani ka pasur ndër vite sulmues të shquar, madje deri në vitet 90-të mund të themi pa frikë se sulmuesit më të mëdhenj i ka pasur skuadra e kuqe me legjenda si Refik Resmja, Robert Jashari, Panajot Pano e Agim Murati.

Mirëpo pas viteve 90-të, përvec Edmond Dostit, Partizani ka pasur vetëm sulmues që kanë ikur shpejt jashtë shtetit si Erion Bogdani e Skerdilajd Curri ndërsa të tjerë kanë pasur shkëlqim kalimtar si rasti i Dorian Bylykbashit apo brazilianit Abilio.

E ndërkaq Tirana ka pasur në sulmin e vet edhe Auron Milotin, Eldorado Merkocin, Alket Zeqon, Erion Rizvanollin e madje për pak kohe edhe Altin Rrakllin e kthyer nga jashtë. Për të mos lënë pa përmendur më pas Bekim Balën e Pero Pejic.

tiron35
SK Tirana

Po sot, te kush shpreson Tirana ta gjejë rrugën e golit? Edhe vetë trajneri Fatos Daja që për hir të vërtetës po bën një punë fenomenale te Tirana, u shpreh hapur që në ndeshjen e barazuar pa gola ndaj Teutës në kryeqytet, mungoi Elis Bakaj por ja që edhe pse një lojtar që shënon shpesh, Bakaj mbetet një mesfushor i avancuar ose sulmues i fshehtë por kurrsesi një “pistoler” rrace.

Statistikat nuk gënjejnë. Tirana ndodhet e treta prej mbrojtjes që ka pësuar vetëm 12 gola gjithsej, më e mira e kampionatit, por sulmi mbetet i thatë me vetëm 26 gola të shënuar në 23 ndeshje, që është një mesatare tepër e ulët për një ekip që synon kupat e Europës.

tir222
Trofe bardheblu i viteve 90-të

Partizani ka shënuar 30 të tillë që prapë nuk është ndonjë shifër kushedi por të kuqtë vijnë me “pistolerët” e tyre, madje më përvojë të gjatë e curriculum të pasur si Xhevahir Sukaj e Stevan Racic që të dy bashkë kanë shënuar sivjet 16 gola. Ndërsa vendi i parë, Skënderbeu ka shënuar plot 47 gola, gati dyfishin e Tiranës.

E po ta marrësh edhe më hollësisht, golat e sulmuesve të Tiranës janë Fukui 2 në 21 ndeshje, braziliani Hugo 1 në tre ndeshje ndërsa Mumajesi, Papa, Halili, Sorra nuk kanë asnjë gol në këtë edicion. Kaq. Shtatë gola i përkasin Bakajt, 4 mbrojtësit Gentian Muca dhe 3 mefushorit Muzaka e 2 mesfushorit tjetër Gilman Lika.

part5556
Partizani me “pistolerët” Abilio dhe Edmond Kapllani në formacion

E pra në merkaton e janarit presidenca e Tiranës e quajti ekipin të kompletuar dhe pa asnjë nevojë për plotësim në asnjë repart. Tani imagjinoni sikur mbrojtjes më të mirë (e një mesfushe cilësore) t’i ishin shtuar vetëm një ose dy elementë të tipit “sulmues race”, mund dhe duhet të kishim një Tiranë që mund ti rrezikonte seriozisht titullin e gjashtë radhazi Skënderbeut.

E teksa titulli vazhdon të mbetet utopi për të tjerët e mirazh për Partizanin, titulli i vetëm për bardheblute, të paktën edhe këtë vit, mbetet triumfi në derbin e zjarrtë ndaj të kuqve ku ata duket se do të hyne të carmatosur, pa një “pistoler” përpara por me shpresën se sulmin do ta bëjë si zakonisht përgjatë këtij edicioni mesfusha e mbrojtja.

 

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.