Skënderbeu ende pa rivalë, por tani vjen e bukura

0
SHPËRNDAJE

Ndryshimi nga Europa në Shqipëri, si në çdo fushë, edhe për futbollin është nga ato të mëdhenjtë. E megjithatë duket se Skënderbeu deri tani nuk e ka vuajtur zbritjen nga Champions League drejt realitetit të kampionatit shqiptar. Ngjan sikur për korçarët nuk ka pasur një “ndërprerje” nga pjesmarrja në turet eliminatore të kompeticionit më madhor të futbollit europian, pasi praktikisht kanë vijuar këtë sezon, po aty ku lanë atë të kaluarin.

sknbTri fitore, si askush tjetër, në po aq javë të Superiores. Pikë të plota dhe sërish aty, në krye të renditjes. Nuk ka shënuar shumë, por aq sa u është dashur për të marrë tripikëshat. Më e rëndësishme fundja është të shënosh një më shumë se kundërshtari dhe Skënderbeu e ka bërë mjaft mirë, madje duke mos pësuar fare. Korçarët kanë mbrojtjen më të pacenuar (0 gola), ndryshe nga Partizani, që e ndjek me dy pikë më pak dhe që ka nxjerrë topin nga rrjeta të paktën një herë për ndeshje. I vetmi që mundohet ta sfidojë në këtë drejtim skuadrën kampione,  është Kukësi i vendit të tretë, që ka pësuar 1 gol, por ka shënuar edhe më shumë se të gjithë deri tani (5), ndonëse gëzon 3 pikë më pak se korçarët. Pikërisht, ato që ua mori skuadra e Josës në sfidën direkte të luajtur në Korçë.

Të paktën deri tani, shifrat tregojnë se Skënderbeu vazhdon të mbetet sërish pa rivalë dhe më i qendrueshmi në ecurinë e vet. Megjithëse nga tani nis më e vështira, përderisa të enjten me Beshiktashin fillon turin e vështirë ndeshjeve çdo tri ditë. Ndërkohë që edhe kalendari i Superiores nuk e kursen, duke i vendosur në fundjavë përballë Tiranën e egërsuar e pastaj dy transferta të forta radhazi në Ballsh e Laç. Testet që do të thonë më shumë nëse do të ndikojë Europa në “hegjemoninë” që ka nisur të vendosë në futbollin shqiptar, edhe këtë sezon.

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.