Skënderbeu i pafat, edhe Teuta i ndal kampionët

0
SHPËRNDAJE
Loading...

15442128_1205297476174638_5694610619454368524_nNë Shkodër “tradhtoi” Salihi, në Durrës nuk pati ndonjë “tradhtar”, por gjithsesi në shtesë James Adeniyi e humbi një rast ideal. Kësaj i thonë, Skënderbeu ka harruar të shënojë.

Në javën e 15-të të Kategorisë Superiore, korçarët nuk shkuan dot përtej barazimit 0-0 me Teutën, duke regjistruar ndeshjen e tretë radhazi me këtë rezultat, një rutinë tashmë, sepse sulmi nuk po shënon më dhe fitoret nuk po duken në horizont, të paktën në transfertë.

Në “Niko Dovana”, skuadra e trajnerit Agostinelli krijoi një mal me raste në pjesën e parë, mirëpo nuk mundi ta gjente rrugën e golit, por tashmë duket qartë që nuk janë rastet e shumta që krijoheshin lehtësisht në të shkuarën. Me shumë sforcim shkohet te porta kundërshtare dhe aty sulmi shpërdoron.

Pas pushimit vendasit e ekuilibruan lojën, ndërsa sërish sulmuesit korçarë nuk ishin në gjendje të finalizonin rastet e krijuara.

Takimi nis me Skënderbeun që përpiqet menjëherë të marrë frenat e lojës.

Eshtë vetëm minuta e 5-të dhe miqtë japin sinjalin e parë. Latifi provon nga distanca, por e djathta e mesfushorit është qendrore dhe Moçka pret pa problem.

As 60 sekonda nuk kalojnë dhe rastin më të pastër e ka Teuta me sulmuesin Magani. Futbollisti përfiton nga një gabim i mesfushorit Orelesi dhe shfaqet i vetëm përballë portierit, por në mënyrë të pakuptimtë vonohet në gjuajtje dhe i jep kohë mesfushorit të kthyer në reparin e mbrojtjes t’ia heqë topin nga këmba.

Minuta e 12-të dhe një aksion personal i mesfushorit Latifi, i cili i drejtohet portës me topin në këmbë, por në momentin e fundit e ndal Hodo me faull në hyrje të zonës. Ekzekutimin e faullit merr përsipër Latifi që gjuan me të djathtën, por pa shënjestruar dot portën e portierit Moçka, por topi shkon ngjitur me shtyllën.

Skëndebeu vijon sulmet dhe Latifi gjen në zonë sulmuesin Salihin pas një rrëmuje, por ndërhyrja e mesfushorit Bledar Hodo bllokon rrezikun që mund të vinte nga sulmuesi shkodran.

Në të 23-tën, Latifi gjen sulmuesin Salihi në zonë. Shkodrani shmang portierin Moçka dhe rrëzohet në zonë, por për gjyqtarin Jemini nuk ka asgjë. Në fakt, as vetë bomberi i Skënderbeut nuk protestoi për penallti.

As 3 minuta nuk mbushen plotësisht dhe Skënderbeu dërgon dëm mundësinë më të mirë për të kaluar në epërsi. Latifi nga e majta pason horizontalisht për sulmuesin Salihi në zonën e vogël, por shkodrani devijon në portë por Moçka bën mrekullinë.

Minuta e 30-të dhe tjetër kombinim Latifi-Salihi, me këtë të fundit që gjuan por Moçka pret sërish.

Kur po luhej minuta e 36-të, kemi një tjetër mundësi për sulmuesin Salihi, i cili gjuan me kokë pas një krosimi të mesfushorit Latifi, por Shkalla largon topin mbi vijën fatale.

6 minuta nga fundi i së parës, dhe Nimaga ka rastin e artë për ta shtyrë topin në rrjetë, por mbrojtja e Teutës largon përsëri dy hapa larg vijës.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta vazhdon me Skënderbeun aty ku e la, në sulm. Salihi provon menjëherë të djathtën, mirëpo gjuajtja e tij pritet pa problem nga Shpëtim Moçka.

Trajneri Andrea Agostinelli do medoemos fitoren dhe aktivizon në lojë sulmuesin James Adeniyi.

Eshtë minuta e 66-të dhe Skënderbeu përsëri i pafat. Kësaj here shtylla ndal sulmuesin Adeniyi, i cili nuk përfiton dot deri në fund nga një pakujdesi e prapavijës durrsake.

Skënderbeu përpiqet të shkojë te goli, por nuk ka rrezikshmërinë e pjesës së parë. Nga ana tjetër, vendasit me kujdes përpiqen ta mbajnë kundërshtarin sa më larg portës së portierit Shpëtim Moçka.

Gjyqtari i katërt Myftari akordon 2 minuta shtesë dhe në të 92-tën, Salihi jep një pasim të artë për sulmuesin Adeniyi, por ky i fundit përsëri nuk e shtyn dot topin në portë.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu. Kështu, Skënderbeu është i pafat, pasi edhe pse zhvilloi një lojë të mirë dhe e meritoi fitoren, mori vetëm 1 një pikë, ndërsa Teuta del shumë e kënaqur nga ky takim.

Me këtë pikë “Ujqërit e Dëborës” shkëputen të vetëm në krye, +1 nga Kukësi që nesër do të presë Flamurtarin. Kurse Teuta Ngjitet në kuotën e 12 pikëve, në pozitën e tetë.

Javën e ardhshme, Teuta luan në transfertë me Luftëtarin, ndërsa Skënderbeu pret në shtëpi Tiranën. /minuta90.com/

Teuta-Skënderbeu 0-0

Gola: S’ka

Teuta (4-4-2): Moçka, Hodo, R. Hoxha, Shkalla, Kotobelli, Gripshi, Çmajçanin, Hila, Bangal (Dita 58’), Ribaj (Musta 46’), Magani (Çyrbja 67’) (në dispozicion: Shala, Borshi, E. Hoxha, Shehi) Tr: Gugash Magani

Skënderbeu (4-3-3): Shehi, Vangjeli, Jashanica, Orelesi, Idrizaj, Nimaga (Adeniyi 56’), Mustafa (Malaj 86’), Lilaj, Gavazaj (Zeka 77’), Latifi, Salihi (në dispozicion: Llapanji, Bushi, Serginho, Fukui) Tr: Andrea Agostinelli

Gjyqtarë: Lorenc Jemini, Ergin Doda, Ermal Barushi, Dojando Myftari

Kartonë të verdhë: Çmajçanin 43’, Hodo 74’/ Orelesi 41’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.