Skënderbeu me katër mungesa ndaj Korabit

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Problemet nuk kanë fund për Skënderbeun në prag të takimit kundër Korabit, që do të luhet të hënën në stadiumin “Elbasan Arena”, teksa trajneri Ilir Daja, është bërë me “dhimbje koke” para ndeshjes me dibranët. Pas mungesës zyrtare të mesfushorit Liridon Latifi për shkak kartonësh, sot janë konfirmuar zyrtarisht edhe tre lojtarë të tjerë, të cilët nuk do të jenë të gatshëm.

Burime zyrtare të klubit korçar konfirmojnë për minuta90.com, se bëhet fjalë për dy mesfushorët Bakary Nimaga, Enis Gavazaj dhe sulmuesin Hamdi Salihi. Edhe pse ky i fundit nisi dje stërvitjen me grupin, burime zyrtare tregojnë për minuta90.com se është e pamundur që sulmuesi të aktivizohet ndaj Korabit.

Nga ana tjetër, problemet fizike të mesfushorëve Nimaga dhe Gavazaj kanë detyruar gjithashtu stafin teknik me në krye trajnerin Ilir Daja të bëjnë planet pa ata në ndeshjen e radhës, teksa këta dy lojtarë nuk janë në gjendje të mirë të luajnë për shkak dëmtimi dhe bëhen kështu 4 mungesat për stafin teknik. Në fakt, e vetmja shpresë ishte te rikuperimi “blic” i sulmuesit Salihi, i cili pritet të testohet nesër për herë të fundit nëse mund të grumbullohet ose jo, teksa do të kryejë terapi me mjekun e skuadrës së Skënderbeut, Jorgo Pantazi.

Por, edhe nëse grumbullohet, shanset për ta nisur si titullar janë zero. Trajneri Ilir Daja nuk do që të rrezikojë me shkodranin, në një kohë që vjen pas një dëmtimi dhe do të aktivizohet kur të jetë në 100%. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.