Skënderbeu-Partizani/ Daja: Nuk janë në lojë vetëm 3 pikët…

0
SHPËRNDAJE


Superiorja/ Skënderbeu-Partizani ka qenë një ndër sfidat më të nxehta të viteve të fundit, që shpesh ka vendosur fatet e titullit, me Partizanin që çuditërisht dominon në përballjet direkte, por me Skënderbeun që ka festuar kur ka ardhur puna te titujt kampionë.

Tani Partizani shkon në Korçë për të gjetur golat dhe fitoren e parë, por edhe Skënderbeu kërkon një sukses që do të fshinte barazimin ndaj Kamzës dhe do të shtonte entuziazmin para Jang Bojs. Në konferencë për shtyp, edhe trajneri Ilir Daja e pranon se ndeshja kundër Partizanit nuk është një sfidë normale: “Rruga është e gjatë, por siç thuhet në këto raste, koha e mirë duket me mëngjes. Shpresojmë që nesër të shkojmë te fitorja, në mënyrë që nga psikologjike të jemi në nivelin e duhur në këtë fillim kampionati. Është vetëm një ndeshje, por është ndaj një rivali direkt për titull, ndaj merr më shumë vlera se trepikëshi kjo ndeshje. Jemi të detyruar të fitojmë, pasi kjo ndeshje nuk ka vetëm vlerën e tre pikëve. Përveç bonusit nga ana psikologjike, fitorja do të thotë edhe tre pikë të munguar për kundërshtarin. Në dy përballjet e mëparshme kemi bërë më mirë, por për shkak të humbjes së përqendrimit e kemi pësuar. Nuk ka lidhje periudha 2-vjeçare pa fitore, shpresojmë të fitojmë nesër”.

Partizanit nuk i zihet besë: “Nuk duhet të mendojmë fillimin e kundërshtarit, pasi mund t’i ndodhë çdo ekipi. Për të shkuar te fitorja, duhet që jo vetëm të djersijmë shumë, por duhet të kemi edhe përqendrim maksimal dhe t’i lëmë sa më pak iniciativë atyre. Një mungesë përqendrimi do bënte që të ndëshkoheshim, pasi kanë lojtarë cilësorë në përbërje”.

Në Korçë presin golat e Souesë, por Daja kënaqet edhe nga gjëra të tjera: “Sulmuesi matet me gola, por edhe me asiste. Soue ishte pjesëmarrës në dy golat me Flamurtarin. Në momentin që një sulmues shkon të goli çlirohet. Shpresojmë që nesër të jetë në ditën më të mirë. I ka shërbyer ekipet duke krijuar hapësira dhe duke qenë pikë pasimi. Shpresojmë që edhe të shënojë dhe çlirohet”.

Mungesat mbeten problem serioz: “Dihet mungesa e Osmanit, ndërsa Jashanica ka vetëm një ditë stërvitje dhe nuk do të jetë. Pjesa tjetër e grupit është gati, edhe pse ka pasur probleme me virozat”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.