Skënderbeu “tallet” me kampionatin, mëndja tek Europa

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/image

Tërbuni-Skënderbeu 0-2

Tërbuni: Haxho, Peqini, Brahja, Lila, Milenkovic, Gebor (Danaj 71′), Gërxho, Malindi, Karapici, Mone, Vatnikaj.

Trajner: S.Nikaj

Skënderbeu: Shehi, Ribeiro, Radas, Arapi, Abazi, Latifi (Progni 29′), Lilaj, Shkëmbi, Esquerdinha (Nimaga 85′), Berisha, Olayinka. Trajner: M.Josa

Golat: Olainka 48′, 87′

Kartonë të verdhë: Abazi 38′, Arapi 43′

Ekipi i Skënderbeut arrin të fitojë edhe takimin e javës së tretë ndaj Tërbunit, duke marrë edhe kreun e renditjes me pikë të plota (9). Ndeshja e zhvilluar në Pukë ka qënë një formalitet për kampionët, teksa kanë fituar pa shumë vështirësi falë një dopietë të Piter Olainkës në pjesën e dytë. Ka qënë një lojë e luftuar fort, por eksperienca e lojtarëve korçarë ka bërë diferencën. Tashmë ekipi i drejtuar nga Josa ka filluar rrugën e mbrojtjes së titullit, dhe i mbetet vetëm të mendojë për ndeshjen në Europa League ndaj Beshiktashit.

Pjesa e parë
Loja nis mjaft mirë për ekipin e drejtuar nga Mirel Josa, i cili i afrohet golit qysh në minutën e 3-të. Berisha merr krahun nga e majta dhe fut një top në zonë, por aty kapiteni Shkëmbi godet keq duke e dërguar topin mbi traun e portës. Pavarësisht këtij rasti, loja më pas zhvillohet mjaft e fortë dhe e bukur nga të dyja skuadrat. Ka volum loje, por rastet e rrezikshme mungojnë. Korçarët tentojnë të sulmojnë me anë të Berishës nga krahët, por mesfushori nga kosova ndodhet i vetëm pasi nuk ndihmohet nga shokët e skuadrës në inkursionet e tij.

Duhej të vinte minuta e 28 për të parë një tjetër rast të rrezikshëm. Shkëmbi ekzekuton mjaft bukur një goditje denimi, por teksa topi i drejtohej rrjetës është portieri Haxho ai që bën një ndërhyrje fantastike duke i mohuar golin kapitenit korçar. Pas këtij aksioni Skënderbeu bëhet më kërkues, por duket se fusha e Pukës është një “mallkim” për lojtarët e skuadrës bardhekuq. Pas dëmtimit të Salihit pak ditë më parë, këtë rradhë është dëmtuar edhe mesfushori Liridon Latifi, i cili zëvëndësohet nga Progni. Minutat e mbetura të pjesës së parë kanë qënë mjaft të mira për Skënderbeun, por pa arritur dot që të zhbllokojnë rezultatin. Ekipi i Tërbunit ka qënë në lartësinë e duhur në këtë pjesë të parë, duke bërë mjaft rezistencë përballë kampionëve.

Pjesa e dytë
Fraksioni i dytë i lojës fillon njëlloj si i pari, me Skënderbeun në sulm por këtë rradhë duke gjetur edhe golin. Vetëm tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë është Piter Olainka që kalon në avantazh ekipin korçar. Sulmuesi nigerian realizon rrjetën e tij të parë pas rikthimit tek bardhekuqtë, një gol ky me mjaft vlera duke parë edhe rrjedhën si shkoi pjesa e parë. Goli u jep zemër lojtarëve të Skënderbeut, por edhe ekipi i Tërbunit nuk demoralizohet duke filluar të luajnë më fort pas pësimit të golit. Të besuarit e trajnerit Nikaj e kanë të vështirë të dalin përpara, pasi mbrojtja dhe mesfusha e kampionëve e bën më së miri detyrën. Në portën e Shehit janë realizuar vetëm disa raste sporadike, por që gardiani bardhekuq i ka neutralizuar pa shumë problem.

Edhe Skënderbeu ka raste të tjera shënimi me anë të kapitenit Shkëmbi, por goditjet e tij përfundojnë jashtë kuadratit të Haxhos. Me kalimin e minutave teksa loja po i drejtohej fundit, të dyja ekipet e kanë ulur disi ritmin dhe loja zhvillohet kryesisht në mesfushë. Tërbuni e ka të vështirë të arrijë tek goli i barazimit, ndërsa Skënderbeu kërkon të mbyllë përfundimisht sfidën. Për këtë gjë mendon sulmuesi Piter Olainka që në minutën e 87′ do të shënojë edhe golin e dytë për ekipin korçar. Nigeriani tregohet mjaft i saktë përpara portierit Haxho dhe e mposht atë duke siguruar fitoren e tretë rradhazi në kampionat në po kaq javë, duke i dhënë edhe kreun ekipin të Skënderbeut.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.