Skënderbeu-Vllaznia, flet zv / trajneri i shkodranëve Maxhar: Ndeshje shumë e vështirë

0
SHPËRNDAJE

Dita e premte ka shënuar seancën e fundit stërvitore për Vllazninë, e cila luan në transfertë të shtunën përballë Skënderbeut. Përparësi në këtë seancë të fundit trajneri Armando Cungu i ka dhënë fiksimit të formacionit të parë anti-Skënderbe. Nëse në ditët e mëparshme shqetësimi ka qënë për mungesat për arsye të skualifikimit me kartonë të dyshes së repartit mbrojtës, Erdenis Gurishta në të djathtë dhe Denis Pjeshka në të majtë, që prej seancës të së enjtes Vllaznisë i është shtuar edhe një mungesë tjetër. Florind Bardulla ka braktisur stërvitjen për shkak të dëmtimit, duke treguar që rikuperimi i tij nuk ka qenë i plotë. Shqetësimin për situatën e krijuar përpara kësaj ndeshje e shpreh edhe zv / trajneri i Vllaznisë, Aleksandër Maxhar që thekson se përtej kësaj panorame do të synohet marrja e maksimumit.

“Eshtë ndeshje shumë e vështirë pasi dihet tashmë edhe barazimi që kemi marrë me Korabin javën e kaluar. Një ndeshje e fortë, por ne kemi forca të arrijmë të përballojmë Skënderbeun dhe të marrim pikë.

Në Korçë, ne shkojmë për të luajtur futboll dhe për të bërë një ndeshje të mirë. Në Korçë, nuk shkojmë për të toleruar diçka, por për të dhënë maksimumin, dhe për këtë do të japim më të mirën që kemi për një rezultat sa më të mirë.

Po, është e vërtetë kemi mungesa, pasi janë lojtarë të skualifikuar me kartona të verdhë dhe të dëmtuar, por në të njëjtën kohë kemi edhe lojtarë që do t’i zëvëndësojnë dhe do ta përballojnë ndeshjen ndaj Skënderbeut duke dhënë maksimumin e tyre. Të gjithë ato që do të luajnë nesër, të gjithë janë të motivuar dhe nuk ka arsye që të neglizhojnë.

Në këtë listë është edhe Bardulla i dëmtuar dhe do të na mungojë 100%. Ka qenë një situatë e keqe dhe vetëm një ose dy ditë pas ndeshjes me Korabin, më vonë çdo gjë ka ndryshuar për mirë.

Unë besoj se mund të jemi në vendin e katërt. Veçanërisht në qoftëse fitojmë në ndeshjen direkte me Luftëtarin, ajo ndeshje do ta vendosë se kush është për vendin e katërt.”

Ndërkaq, formacioni i Vllaznisë për ndeshjen ndaj Skënderbeut pritet të jetë ky: Selimaj në portë, Gocaj, Cicmil, Bicaj, dhe Mulemo në të majtë duke pasur përpara si shkatërrues qendërmbrojtësin tjetër Vrapi. Tafili, Krymi, Shtubina dhe Kalaja mendohet të përbëjnë mesfushën duke pasur ta vetem në sulm mesfushorin fantazist Elis Bakaj. Kuqeblutë janë nisur mesditen e së premtes drejt qytetit të Korçës, ku edhe është programuar të kalohet mbrëmja e së premtes në një nga hotelet e këtij qyteti në pritje të përballjes zyrtare të orës 19:00 të së shtunës, në stadiumin “Skënderbeu”, në Korçë. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU