Skuadra e Vllaznisë e nis merkaton me shumë largime

0
SHPËRNDAJE

Vllaznia, pas sigurimit të mbijetesës, ka marrë pushimet dhe për momentin nuk ka asnjë hap konkret sa i përket nisjes së merkatos për skuadrën e sezonit të ardhshëm. Pasi ka mbyllur një ndër sezonet më të vështirë të viteve të fundit, drejtuesit e klubit ende nuk e kanë nisur projektimin e Vllaznisë së re.

Për momentin nuk dihet asgjë se cilët do të jenë lojtarët që do të mbajnë apo ata që preferohen të afrohen. Merkatoja e Vllaznisë së sezonit 2017-2018 mendohet të fillojë pikërisht nga trajneri Armando Cungu.

Burime pranë klubit bëjnë me dije për minuta90.com se për momentin në skuadrën shkodrane flitet vetëm për largime. Nga ekipi do të largohen të gjithë lojtarët e huaj, që nënshkruan në dy merkatot e zhvilluara.

Deri tani janë larguar përfundimisht portieri malazez Jasmin Agoviç dhe mbrojtësi Stefan Cicmil. Po ashtu, është larguar para takimit të fundit me Tiranën edhe mesfushori Elis Bakaj.

Pavarësisht se të pranishëm në festën e qëndrimit në Kategorinë Superiore ishte treshja Ditmar Bicaj, Endri Vrapi dhe Landry Mulemo, të tre mbrojtësit pritet që të mos jenë në planet e kuqebluve për sezonin e ri. Asnjë drejtues nuk është ulur në bisedime me këta lojtarë për të diskutuar për të ardhmen, kështu që largimi i tyre duket i sigurt.

Pjesë e Vllaznisë nuk do të jetë edhe sulmuesi Brunild Pepa. Me sa duket, nga Vllaznia janë larguar menjëherë të gjithë lojtarët jabanxhinj.

Tani boshti janë shkodranët, që bënë të mundur qëndrimin në Kategorinë Superiore, kryesisht në ndeshjen e fundit me Tiranën. Ndërkohë, për sa u përket afrimeve, burime të sigurta të minuta90.com pohojnë se lakohet vetëm emri i portierit Shpëtim Moçka, i cili luajti me Teutën në sezonin e fundit.

Kështu, skuadra e Vllaznisë e ka nisur merkaton me shumë largime, por a do të ketë afrime? Mbetet për t’u parë… /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.