Sokol Kushta: Zëdhënësja 22-vjeçare nuk gjykon dot punën e De Biazit

0
SHPËRNDAJE

Kombëtarja/ “Jemi ne që e bëmë De Biaz in të famshëm”, ishte deklarata publike e zëdhënëses për shtyp të FSHF-së, para ndeshjes me Portugalinë. Qartazi, ky është edhe opinioni i rëndomtë i pjesës dërrmuese të zyrtarëve të FSHF-së, përjashto disa syresh që realisht kuptojnë nga futbolli.

Sokol Kushta
Sokol Kushta

Ndërkaq, Duka kur u pyet për këtë pjesë, u sforcua të gjente një përgjigje fare të mjergullt duke mos saktësuar nëse zëdhënësja kishte shprehur një qëndrim personal, apo edhe ky ishte mendimi i tij. Për aq kohë sa nuk e përgënjeshtroi, do të thotë se vetëm zëri ka qenë i saji, mendimi ka qenë i shefit… Por ka edhe nga ata si Sokol Kushta që, përveçse kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kombëtares, janë ende në gjendje të thonë mendimin e tyre lirshëm, pa u ndikuar nga influenca e FSHF-së. Në fakt, këta si puna e Kushtës janë gjithnjë e më të pakët.

Vlerësimi
Në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, e vlerëson pozitivisht punën e trajnerit dhe të Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. Sipas Kushtës, asnjë nuk mund ta mohojë dot punën që trajneri ka bërë. Ish-futbollisti i shquar është i mendimit se FSHF-ja duhet të rinovojë me italianin. “De Biazi ka një statistikë të shkëlqyer, një punë të admirueshme, që jo një zëdhënëse 22 vjeçe, por asnjë qoftë edhe personalitet futbolli nuk e mohon dot. Ne duhet të jemi mirënjohës për punën e De Biazit dhe ta respektojmë çfarë ka sjellë deri tani. Unë e kam dhënë mendimin tim dhe e përsëris se duhet të krijohet mundësia që FSHF të rinovojë brenda me këtë trajner. Sigurisht, brenda mundësive financiare që ka institucioni i futbollit. Në qoftë se nuk ka mundësi ekonomike, duhet t’i thotë De Biazit ‘Faleminderit, por nuk kemi aq lekë sa të rinovojmë’! Por jo të dalë zëdhënësja dhe të thotë për De Biazin e bëmë të famshëm ne… Me atë që dëgjova, mendoj se është një deklaratë personale e zëdhënëses dhe ajo është shumë e vogël të gjykojë njerëz të mëdhenj”, deklaron Kushta.

Humbja
Legjenda e futbollit Sokol Kushta e cilëson dinjitoze ndeshjen që Shqipëria zhvilloi me Portugalinë. Por, sipas Kushtës, humbja erdhi nga një gabim momental. Ish-futbollisti i njohur nënvizon se Kombëtarja duhet të ketë qetësi për vazhdimësinë. “Me Portugalinë ishte një ndeshje dinjitoze dhe se humbja erdhi për shkak të një gabimi momental. Kombëtarja duhet që të ketë qetësi për vazhdimësinë, por këto deklarata të nxituara dhe bëjnë atmosferën jonormale”, përfundon Kushta. /Panorama Sport/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.