Speciale/ Ja analiza taktike e ekipeve të Kategorisë Superiore

0
SHPËRNDAJE
Loading...

15034043_10154509112602254_763945759_oLuhen nesër 4 nga 5 takimet e Kategorisë Superiore, ku ekipet po kryejnë përgatitjet e fundit për ndeshjet që ato kanë. minuta90.com vjen me një analizë taktike mbi formacionet që trajnerët pritet të caktojnë.

Teuta-Kukësi

Teuta-Kukësi… Edhe ai që nuk ka shumë informacione për futbollin, mund të thotë se është një nga përballjet më të forta të kampionatit shqiptar. Trajneri i Teutës, Gugash Magani, do kthesën e rezultateve, ndërsa Kukësi me në krye teknikun Gjoka, do vijueshmërinë e rezultateve.

Magani, në këtë takim pritet të luajë me skemën 4-4-2. Padiskutim, në portë do të jetë Moçka, ndërsa mbrojtja do përbëhet nga Erand Hoxha, Rustem Hoxha, Shkalla dhe Kotobelli. Në fakt, Erand Hoxha nuk është në formë shumë të mirë, ndërsa alternativa serioze janë edhe Valdrin Rashica dhe Ergi Borshi. Mesfusha do formohet nga Gripshi, Hila, Hodo dhe Musta. Dyshja sulmuese do jetë Magani dhe Bangal. minuta90.com sugjeron një mundësi që të luhet me skemën 4-1-4-1, ku sakrifikohet Artur Magani dhe në vendin e tij të jetë Tarik Çmajçanin. Pak fantazi në kësi takimesh nuk është keq, pasi Kukësi e vuan paksa këtë pjesë, me mungesat që ka.

Kuksianët, vijnë në këtë takim me shumë mungesa, edhe pse trajneri Ernest Gjoka po mundohet t’i zëvëndësojë më së miri. Në portë do jetë Koliçi, ndërsa mbrojtja do formohet nga Hallaçi, Memini, Alla dhe Imami. Mungesa e Shametit është kryesore. Ndërkohë, po të ishte në lojë mbrojtësi nga Gjirokastra, mund të luhej me Meminin në të djathtë, Shameti dhe Alla në qendër dhe Hallaçi majtas, por këtë gjëra mbeten në letër. Mesfusha pritet të përbëhet nga Hasani, Lena, Musolli dhe Dvornekoviç. Mungesa shumë të rëndësishme janë Jean Carioca dhe poashtu Bedri Greca. Për këtë të fundit, mund të çuditeni paksa, por po ta shikojmë me vëmëndje lojën e Kukësit, kur Greca ka luajtur në krah, kundërshtarët kanë pasur shumë probleme, pasi mesfushori është shumë i shpejtë. Sulmi nuk ka asnjëherë dilema kur në ekip ke dyshen Emini-Pejiç.

Ky takim pritet të jetë shumë i fortë, dhe ndoshta barazimi mund të ishte rezultati më i drejtë.

Skënderbeu-Korabi

Te Skënderbeu, situata nuk është aq e mirë sa duket edhe pas fitores ndaj Apolonisë. Trajneri Andrea Agostinelli, në ndeshjen ndaj Korabit pritet të luajë me skemën 4-4-2. Në portë do të jetë i padiskutueshmi Orges Shehi. 4-shja e mbrojtjes formohet nga Idrizaj, Radas, Osmani dhe Mici. Deri tani në rregull, por mungesa e mbrojtësit Kristi Vangjeli është shumë e rëndësishme, ku u pa edhe në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Mesfusha do jetë e përberë nga Gavazaj, Nimaga, Lilaj dhe Latifi. Fukui, edhe pse u mor në verë si lojtar kyç në formacionin e trajnerit Agostinelli, sfidat e fundit po tregon se nuk është në formën e duhur dhe Gavazaj do të zërë vendin e tij. E njëjta gjë thuhet edhe për mesfushorin nga Nigeria, Nuredeen Orelesi. Ndërkaq, sulmi do i besohet dyshes Adeniyi-Salihi. OK, por krahu i djathtë i Skënderbeut nuk është shumë i plotësuar, me dy lojtarë si Hektor Idrizaj dhe Enis Gavazaj, që nuk kanë shumë minuta në këmbët e tyre. Të presim dhe të shohim…

Ndërsa, te Korabi, me ardhjen e trajnerit të ri, Gerdi Haxhiu, kanë ndryshuar gjërat për mirë. Rrogat erdhën, por thuhet se në rast se ata ndalin Skënderbeun, do kenë premio nga Kukësi. Le të kalojmë tek formacioni. Ashtu siç do trajner, edhe Haxhiu ka filozofinë e tij të lojës. Skema pritet të jetë 4-4-1-1. Porta nuk do ketë ndryshime, pasi nuk ka vend për të tilla gjëra. Gardiani Vujadinoviç pritet të jetë në kuadrat, ku përpara do jenë Dukiç, Nako, Sheta dhe Ardit Peposhi. Në mbrojtje, pritet të ndihet mungesa e këmbëmajtit, Emiliano Çela, ku është një garanci në mbrojtje. Peposhi do luajë në të majtë, edhe pse pozicion tipik i tij është në mesfushë. Madje, në rolin e mbrojtësit ka luajtur edhe tek Bylis, andej nga ku erdhi. Mesfusha do formohet nga Zefi, Kaja, Veliaj dhe Zguro. Në majën e sulmit do jetë Plaku, ku pas krahëve të tij do të jetë Nderim Nexhipi. Sulmi nuk është edhe aq konçiz tek dibranët, pasi Adelaja është një lojtar me peshë dhe po të ishte ai do të shihnim një ekip më sulmues, që mund të luante me skemën 4-2-3-1, me Plakun, Nexhipin, Peposhin, në mbështetje të sulmuesit të vetëm, Adelaja. Edhe pse administratori Mëziu ka deklaruar se objektiv janë 3 pikët, një pikë do i kënaqte shumë dibranët.

Në këtë takim, të paktën në letër, pritet një fitore e Skënderbeut, ku pritet kthesa e korçarëve.

Vllaznia-Partizani

Vllaznia, ndër vite ka qenë një “mace e zezë” për Partizanin dhe nuk është çudi të jetë edhe nesër kështu. Trajneri Armando Cungu, në këtë sfidë pritet të luajë me skemën 4-2-3-1. Në portë do jetë Agoviç, i padiskuteshëm. Mbrojtja do përbëhet nga Gocaj, Cicmil, Bicaj dhe Marku. Reparti i prapavijës për kuqeblutë është i kompletuar dhe nuk ka vend për ndryshime. Mesfusha do formohet nga Tafili me Krymin, ndërsa sulmi do i besohet kapitenit Shtubina, që do të ketë mbështetjen e Çinarit dhe Kalajës nga krahët, ndërsa Weitzer do jetë fantazist. 4-3-3 mund të jetë skema që mund t’i përshtatet Vllaznisë, me Tafilin, Krymin dhe Weitzer në mesfushë, ndërsa sulmi mund të jetë nga Shtubina dhe Hoxha nga krahët dhe Pepa në majën e sulmit. Vlen të theksohet se mungesa e mesfushorit Florind Bardulla është shumë e rëndësishme, pasi është një pikë e fortë e shkodranëve në lojën e tyre.

Te Partizani, situata është shumë e “ndezur”. Gjoba dhe kritika të shumta ka pasur tek “demat e kuq” pas atij eleminimi në Kupën e Shqipërisë dhe kthesa pritet të vijë nga ndeshja në Shkodër. Trajneri Starova pritet të luajë me skemën e përhershme 4-3-3, skema më e përshtatshme për të kuqtë. Në portë do jetë Alban Hoxha, ndërsa mbrojtja do jetë e përbërë nga Ibrahimi, Krasniqi, Atanda dhe Kalari. Mungesa e Fejzullahut është shumë e rëndësishme në krahun e djathtë, ndërsa në mesfushë nuk ka vend për diskutime. Batha, Ramadani dhe Trashi do jetë 3-shja e mesfushës, me Ekuban në majën e sulmit, ku do ta mbështesin nga krahët Vila dhe Torassa. Këtu nuk ka shumë vend për diskutime, pasi vetë rezultat e “Bobit” nuk të lë vend për kritika.

Në këtë sfidë, Partizani do kërkojë maksimumin, por Vllaznia është në shtëpinë e saj dhe do marrë maksimumin e mundshëm, të paktën një pikë. Një pikë nuk do ishte edhe aq keq për vetë rrethanat që janë.

Tirana-Laçi

Tirana-Laçi… Vitet e fundit, laçianët u kanë bërë bllokadë gjithmonë tiranasve, por këtë sezon, mbijetesa do ishte perfekte për djemtë e trajnerit Ramadan Ndreu. Trajneri Josa pritet të luajë me skemën 4-2-3-1, me në portë Ilion Likën, ndërsa 4-shja e mbrojtjes do jetë Kërçiku, Muça, Teqja dhe Hoxhallari. Deri tani, jemi OK, me një mbrojtje që ka pësuar shumë pak gola. Mesfusha do formohet nga Karabeci dhe Daja, përpara mbrojtjes që do të jenë në rolin e shkatërruesit. Nga krahët do jenë Taku dhe Nkounkou, me në sulm Cisse, të mbështetur nga Ndockyt. Një mundësi është që Asion Daja, të ulet në stol dhe Taku të zërë vendin e tij, kurse pozicionin e Takut ta marrë Gilman Lika, i rikthyer tashmë nga dëmtimi. As Muzaka nuk duhet të lihet jashtë dhe duhet të vendoset në vendin e Nkounkou. Shumë specialistë futbolli, që mund t’i quajmë të tillë, japin vlerësime të ndryshme për afrikanët, por vetëm 2 kanë bindur, pikërisht Merveille Ndockyt dhe Moctar Cisse. Moise Nkounkou është munduar paksa, por ka akoma shumë punë që t’i afrohet dyshes së lartpërmendur.

Ndërsa, te Laçi, përgatitjet vijojnë me qetësi. Askush nuk ka asnjë informacion të saktë, se çfarë bëhet me ta, por ne si gjithmonë jemi faqja ku informacionet shtohen në maksimum. Nga sa mësohet, skema që trajneri Ndreu me të cilën do të luajë do jetë 4-4-2. Porta do i besohet gardianit Gentian Selmani, ndërsa 4-shja e mbrojtjes nuk do ketë lëvizje. Musaj, Lulaj, Qaqi dhe Shala pritet të bllokojnë sulmet e Tiranës. Mesfusha do jetë e përbërë nga Çelhaka, Kastrati, Toski dhe Lushkja. Edhe pse Çelhaka po kalon një formë të mirë, Pinto duhet të jetë në vendin e tij, pasi ka pak më shumë eksperiencë sesa Çelhaka. Sulmi nuk ka vend për dyshime, pasi Taubate dhe Aquino nuk kanë konkurrentë.

Kjo sfidë, të paktën në letër, pritet të dominohet nga Tirana, ku pritet një fitore pa shumë vështirësi.

Luftëtari-Flamurtari

Luftëtari-Flamurtari ose Gjirokastra vs. Vlora… Derbi i dy qyteteve që janë në jug të Shqipërisë pritet të paraqesë spektakël. Luftëtari do 3-pikëshin, ndërsa vlonjatët do të ishin të kënaqur edhe me një pikë për vetë mungesat që kanë. Trajneri Milinkoviç pritet të luajë në këtë sfidë me skemën 4-4-2. Në portë do jetë Miraka, ndërsa 4-shja e mbrojtjes përbëhet nga Rapa, Boyom, Beqiri dhe Mersini. Në fakt, mungesa e mbrojtësit të djathtë, Lejdi Liçaj, është shumë e rëndësishme, por ajo pritet të zëvëndësohet nga mbrojtësi tjetër, Oltion Rapa. Mesfusha do formohet nga Montero, Aleksi, Ramadani dhe Bregu. Ndërkaq, në sulm do jetë dyshja Abazaj-Reginaldo. Ne sugjerojmë skemën 4-2-3-1, me Aleksin dhe Ramadanin përpara mbrojtjes. Montero dhe Bregu nga krahët në mbështetje të Reginaldo, i cili pas tij do të ketë mesfushorin me eksperiencë, Dany.

Te Flamurtari, situata është mjaft e “nderë”. Vlonjatët pas zbritjes së pikëve nga Komisioini i Disiplinës renditet të 9-tët me 6 pikë. Kuqezinjtë janë përgatitur për këtë takim maksimalisht edhe pse kanë mungesa kryesore si Lukiç, Telushi apo dhe Busiç, i larguar së fundmi për problemet me pagat. Trajneri Mezani në këtë takim do luajë me skemën 4-1-4-1. Në portë do jetë Halili, ndërsa 4-shja e mbrojtjes do formohet nga Beqaj, Berisha, Veliu dhe Rniç. Krahu i djathtë çalon paksa, pasi një i ri si Beqaj nuk mund ta marrë përsipër, pasi për atë pozicion u mor Lukiç, i cili u pezullua nga administratori Idrizi, pas një deklaratë në “Panorama Sport”. Administratori duhet t’i heqë tekat që ka, pasi Flamurtari nuk është i tij, por i gjithë qytetit të Vlorës dhe një lojtar siç është Slavko Lukiç nuk mund të mbahet jashtë për kapriçio të administratorit. Ndërkaq, përpara mbrojtjes do jetë Taulant Kuqi, në mungesë të kapitenit Bruno Telushi. 4-shja që do mbështesë sulmuesin e vetëm Danilo Alves, do jetë Fazliu, Shkodra, Zeqiri dhe Radoviç. Mungesa e sulmuesit Busiç pritet të dëgjohet shumë në këtë takim, ku është një pikë e fortë për ekipin. Madje në sulm, mund të jetë lojtar edhe më finalizues sesa Alves, por le të presim dhe të shohim, gjithçka do zbardhet nesër, atëherë edhe kur luhet ky takim.

Kjo sfidë pritet të karakterizohet me luftë të fortë sportive nga të dy skuadrat dhe barazimi do të ishte rezultati më i drejtë. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.