Speciale / minuta90.com sjell 11-shen më të dobët të kësaj jave

0
SHPËRNDAJE

Këtë fazë të dytë, minuta90.com do të sjellë edhe formacionin më të dobët të kësaj jave, por edhe çdo jave tjetër në vijim.

Alban Hoxha – Nuk ka faj te asnjëri nga golat, madje shpëton ekipin e Partizanit edhe nga një gol i sigurtë në rastin e mesfushorit Albano Aleksi, por si kapiten dhe si lider që është duhej t’i jepte më shumë kurajë ekipit të kuq.

Olsi Gocaj – Shumë i saktë në veprimet mbrojtëse, por duhet të jetë më shumë aktiv në fazën sulmuese. Jep maksimumin në çdo ndeshje, por duhet të përmirësohet akoma.

Sodiq Atanda – Partizani ka çaluar të shtunën në çdo aspekt të lojës, por ajo që po bëhet më shqetësuese është faza mbrojtëse, e cila ka nisur të “kërcasë” ndjeshëm. Golat erdhën për shkak të pasigurisë në qendër, ku nigeriani nuk është më ai i mëparshmi.

Renaldo Kalari – Ndër më të dobëtit te Partizani në ndeshjen ndaj Luftëtarit. Trajneri Starova e di më mirë, por në stol janë lojtarë të rinj, si Kristi Marku dhe Esin Hakaj, por gjithçka mbetet për t’u parë.

Jean Carioca – Mesfushori i Kukësit, ishte në një ditë të errët ndaj Vllaznisë. Ndoshta nga braziliani nuk pritej shumë, nisur edhe nga fakti se i është bashkuar skuadrës me vonesë, por megjithatë trajneri Ernest Gjoka i besoi vendin e titullarit, teksa la në stol një lojtar si Elton Cale.

Marko Cetkoviç – Shpresat për ndryshim vareshin te fantazisti, por malazezi ka qenë totalisht në hije në ndeshjen e së shtunës dhe nuk ishte i vetmi.

Merveille Ndockyt – Tirana në kompleks nuk funksionoi në ndeshjen ndaj Teutës. Një lojë pa shumë ide dhe me gabime të shumta në pasime. Megjithatë, më shumë ra në sy inekzistenca e kongolezit në fushë, teksa ishte shumë larg atij talentit që u trumbetua me forcë në pjesën e parë të sezonit, madje pa frikë mund të thuhet që nuk krijoi kurrëfarë rrezikshmërie në ofensivën e bardhebluve.

Masaki Linuma – Japonezi ka qëndruar vetëm 24 minuta në fushën e lojës, pasi është aktivizuar në pjesën e dytë të ndeshjes. Por, ai është detyruar të lërë fushën e blertë pa u mbyllur ende takimi, sepse nuk ka bindur trajnerin Gentian Mezani.

Emrush Kaloshi – Në përgjithësi lojtarët e Korabit ishin në një nivel të barabartë, por përgjegjësia më e madhe i mbetet fazës ofensive, e cila, përpos përpjekeve, nuk dërgoi një top në rrjetë. Kaloshi nuk ishte në një ditë të mirë, teksa nuk shfrytëzoi ato raste të pakta që iu krijuan.

Matija Dvornekoviç – Sulmuesi kroat bëri një paraqitje larg pritshmërisë, i cili u zëvëndësua në pjesën e dytë nga trajneri Ernest Gjoka, teksa vendin e tij e zuri sulmuesi Sindri Guri.

Sebino Plaku – Ish-lojtari i Korabit në pjesën e parë nuk arriti të finalizonte disa raste të pastra për shënim që i janë dhënë dhe për këtë arsye ai u zëvëndësua 21 minuta para fundit të ndeshjes nga mesfushori Enis Gavazaj.

Trajner, Sulejman Starova – Një strateg si ai nuk i lejohet të bëjë disa gabime të tilla, si p.sh, të lërë në stol mbrojtësin Arbnor Fejzullahu, apo edhe të mos luajë me një sulmues “pykë”, ndërsa një gabim tjetër ishte që goditjet standarte duhet të ekzekutoheshin nga Marko Cetkoviç, teksa ky i fundit është një specialist i këtyre punëve.

/minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.