Spektakël dhe polemika në “Niko Dovana”, por në fund nuk ka fitues

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Partizani ka humbur mundësinë t’i ushtrojë trysni Kukësit kryesues, duke u ndalur në një barazim pa gola në Durrës, në një ndeshje mjaft të luftuar dhe ku rezultati mund të shkonte si në favor të njërës skuadër, ashtu edhe tjetrës.

Në pjesën e parë, të dy skuadrat kishin raste të mira shënimi. Nga njëra anë ishte Ekuban që u shfaq tre herë radhazi para portierit Kastrati. Ndërsa në anën tjetër, rreziku më serioz për portën e portierit Hoxha erdhi në minutat e fundit, kur një gjuajtje e mesfushorit Hila u devijua fillimisht prej portierit të Partizanit në traversë, ndërsa më pas Progni gaboi në mënyrë të pabesueshme duke mos shtyrë topin në rrjetë, vetëm pak hapa larg katërkëndorit.

Edhe pjesa e dytë ishte e hapur për të dy skuadrat, që luajtën në kërkim të golit të fitores, me aksione dhe gjuajtje në të dy portat, ashtu si edhe momente të diskutueshme. Por askush nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë dhe dy skuadrat u desh të kënaqeshin me nga një pikë.

Takimi nis me Partizanin që ka një mundësi e shkëlqyer në minutën e 5-të, teksa Ekuban i cili shfaqet i vetëm para portës së portierit Kastrati pas një kundërsulmi të shpejtë dhe gabon gjithçka në momentin e fundit duke e dërguar topin jashtë.

As Teuta nuk qëndron prapa dhe në të 16-tën, skema në goditje dënimi nga e majta nxjerr të lirë mbrojtësin Kotobelli në fundore. Futbollisti harkon në qendër ku Musta, edhe pse i vetëm, gjuan me kokë pak mbi traversën e portës së Partizanit.

Në të 19-tën, aksion mjaft i bukur nga e djathta i mbrojtësit Fejzullahu i cili jep topin përpara për Ekuban, por sulmuesi nuk arrin të devijojë aq sa për të mposhtur portierin Kastrati i cili kontrollon sferën.

Më pas vijnë disa aksione të njëpasnjëshme të Partizanit në krahun e djathtë me protagonist mesfushorin Emiljano Vila dhe sulmuesin Agustin Torassa, por të kuqtë edhe pse provojnë në çdo mënyrë të krijojnë raste të rrezikshme para portës së vendasve, këto përpjekje nuk sjellin rezultat.

Ndërkaq, kur po kronometrohej e 27-ta, zëvendësim i detyruar për Partizanin, me mbrojtësin Kalari që lë fushën e lojës i dëmtuar për t’i bërë vend mesfushorit Ramadani. Pas këtij zëvëndësimi, Trashi detyrohet të zhvendoset në krahun e majtë të mbrojtjes së Partizanit.

Tre minuta nga fundi i pjesës së parë, Partizani është me shumë fat. Pikërisht, në minutën e 42-të, gjuajtje e shkëlqyer e mesfushorit Ardit Hila, Hoxha grushton dhe topi përplaset në traversë. Progni është vetëm pak hapa larg portës por gabon në mënyrë të pabesueshme duke e dërguar sferën mbi traversë.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me Partizanin që është më ngulmues në minutat e para të fraksionit të dytë, ku kërkon një gol të shpejtë.

Në të 58-tën, Çmajçanin gjendet në një pozicion të favorshëm brenda zonës së rreptësisë por gjuajtja e tij fluturimthi me të djathtën përfundon jashtë.

Kur po kronometrohej e minuta e 61-të, pas një goditje nga këndi, topi përfundon te këmbët e mbrojtësit Atanda, por gjuajtja e tij përplaset te mbrojtësit kundërshtarë.

Pas dy minutash, tjetër shpërthim i mesfushorit Mazrekaj në krahun e majtë. Kosovari provon portën me një diagonale por nuk ka saktësinë e duhur.

Loja është sa në njërën portë në tjetrën, ndërsa në të 71-tën ping-pong në zonën e Partizanit pas një goditje dënimi të Teutës, teksa askush nuk arrin të dërgojë topin drejt portës dhe mbrojtja e të kuqve largon me vështirësi.

Në të 74-tën, Çmajçanin provon edhe nga jashtë zonës të gjejë rrugën e rrjetës, por topi kalon mbi traversën e portierit Hoxha që dukej në kontroll të situatës.

Ndërkaq, pas dy minutash, Magani ndërmerr një kundërzbritje personale nga e majta, teksa vjen një gjuajtje e fortë e sulmuesit që i drejtohej katërkëndorit, por Hoxha grushton.

Trajneri i Partizanit Sulejman Starova aktivizon në fushë Boniface, dhe vendos të largojë mesfushorin Mazrekaj, i cili nuk duket i kënaqur me këtë vendim.

Në të 83-tën, mundësi tjetër e shkëlqyer për Teutën, pas një kombinimi mes Bangal dhe sulmuesit Magani, ky i fundit gjuan në një pozicion të prirët, por sfera përfundon jashtë kuadratit.

Pas dy minutash, është përsëri Magani, këtë radhë në krahun e djathtë. Sulmuesi provon reflekset e portierit Hoxha me një gjuajtje në hyrje të zonës, por gardiani i të kuqve është i vëmendshëm dhe pret topin në pozicion.

Partizani ka shansin e artë në të 87-tën nëpërmjet një goditjeje dënimi. Portieri Kastrati gabon në dalje por Boniface nuk arrin të kthejë topin në rrjetë i vetëm para portës së boshatisur.

Ndërkaq, Partizani kërkon penallti në të 89-tën, pasi Ekuban rrëzohet në zonë dy herë radhazi nga mbrojtja e Teutës, por sipas gjyqtarit Emirjon Sino nuk ka asgjë për 11-metërsh.

Gjyqtari i katërt, Blerim Ziri akordon 4 minuta shtesë, ndërsa në të 92-tën, edhe Teuta kërkon penallti, pas një ndërhyrje të portierit Hoxha ndaj mesfushorit Hila pas një kundërzbritje të shpejtë të vendasve.

Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Partizanin që nuk ruan dot ritmin e fitoreve dhe detyrohet të lërë pikë të vlefshme në luftën për titull kampion, ndërsa Teuta ishte futur në lojë me synime të qarta për të mos dalë pa pikë nga një ndeshje mjaft delikate dhe ia doli mbanë, duke marrë 1 pikë, pikë kjo që i shërben skuadrës së trajnerit Gugash Magani në luftën për mbijetesë.

Në fund të dyja skuadrat ndanë nga një pikë dhe Partizani mbetet ne vendin e dytë ndërsa Teuta në vendin e 9 në renditje.

Javën e ardhshme, Teuta luan me Flamurtarin në transfertë, ku një pikë do të ishte pozitive, ndërsa më përpara do të presë Vllazninë sërish në “Niko Dovana” për llogari të Kupës së Shqipërisë, ndërsa Partizani pret në “Selman Stërmasi” Tiranën në derbin e madh të Kategorisë Superiore. /minuta90.com/

Teuta-Partizani 0-0

Gola: S’ka

Teuta (4-1-4-1): Kastrati, Beqja, R. Hoxha, Markoviç, Kotobelli, Shkalla, Progni (Hasa 90’+1), Çmajçanin (Bangal 80’), Hila, Musta, Ribaj (Magani 63’) (në dispozicion: Moçka, E. Hoxha, Papa, Çyrbja) Tr: Gugash Magani

Partizani (4-2-3-1): Hoxha, Fejzullahu, Malota, Atanda, Kalari (Ramadani 27’), Batha, Trashi, Vila, Torassa (Bardhi 84’), Mazrekaj (Boniface 77’), Ekuban (në dispozicion: Xhika, Krasniqi, Ibrahimi, Cetkoviç) Tr: Sulejman Starova

Gjyqtarë: Emirjon Sino, Ilir Tartaraj, Orgest Grabova, Blerim Ziri

Kartonë të verdhë: Progni 23’, Markoviç 37’ / Vila 25’, Atanda 30’, Trashi 90’+5

S'KA KOMENTE

Comments are closed.