Spektakël por jo gola, Partizani dhe Kukësi ndahen në paqe

0
SHPËRNDAJE

15284831_586646948196372_8856463007988861448_n

Nuk ka patur fitues në supersfidën e luajtur në “Elbasan Arena” mes Partizanit dhe Kukësit. Përballja mes dy pretendentëve kryesorë u mbyll me shifrat 0-0, duke bërë që të dy ekipet të marrin nga një pikë, e cila i shërben më tepër kuksianëve që rimarrin kreun e renditjes, në një 90-minutësh të zjarrtë.

Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, por që në fund nuk ka patur fitues. Loja u luajt e hapur dhe me raste, por sulmuesit respektivë nuk u treguan të saktë para portës.

Por ndërkohë Partizanit i është mohuar edhe një gol i rregullt i shënuar nga Ekuban. Të kuqtë ishin më kërkues në këtë ndeshje, por pa arritur të marrë pikët maksimale për të ngushtuar diferencën me keun. Me golin e anulluar padrejtësisht do të kishte shkuar ndryshe rrjedha e ndeshjes që përfundoi pa gola.

Ndërkohë duhet theksuar që Kukësi vijon të ruajë pathyeshmërinë në këtë kapionat edhe pas javës së 14-të në Superiore.

Takimi nis me një gol të anuluar të Partizanit. Që në të 4-tën, shënojnë të kuqtë, por goli anulohet pasi Ekuban kapet në pozicion jashtë loje. Megjithatë, nga përsëritja shihet se anësori Rexha ka gabuar.

Partizani merr menjëherë frenat e lojës, me sulme të njëpasnjëshme në portën e portierit Koliçi, me Kukësin që nuk ia arrin të dalë dot përpara.

Në minutën e 13-tën, Vila kërcënon me një të majtë fluturimthi nga hyrja e zonës, megjithatë goditja e fuqishme përfundon pak mbi katërkëndëshin e portierit Enea Koliçi.

Sulmet e Partizanit nuk reshtin dhe Ekuban vendos në vështirësi mbrojtjen kuksiane, e cila detyrohet ta ndalë me faull. Alla, Shameti dhe Imami e rrëzojnë tri herë brenda pak minutash.

Kur po kronometrohej e 29-ta, një tjetër mundësi e mirë për Partizanin. Jurgen Bardhi nxjerr një top të mirë për mesfushorin Vila në zonë, por dalja e shpejtë e portierit Koliçi neutralizon rrezikun.

Në të 21-tën, kërcënimi i parë në portën e të kuqve. Pejiç shfaqet para portierit Hoxha pas një përgjumjeje të mbrojtjes së Partizanit. Megjithatë, Atanda i vëmendshëm largon topin që po i drejtohej rrjetës.

Loja është e zjarrtë, me raste sa në njërën portë edhe në tjetrën dhe në të 23-tën, Bardhi gjuan bukur me të djathtën, por Koliçi i përgjigjet me të njëjtën monedhë.

Lojë është e shpejtë dhe me ritëm të lartë, i favorizuar edhe nga gjyqtari Jemini që lejon përplasjet.

Në të 33-tën, Lorenc Trashi i beson të majtës nga distanca, mirëpo gjuajtja e mesfushorit të Partizanit shkon lehtë në duart e portierit Enea Koliçi.

As 7 minuta nuk kalojnë dhe Partizani çon dëm një tjetër shans. Pas një topi të hedhur në zonë, as Trashi, as Bardhi dhe as Ekuban nuk e shtyjnë dot topin në portë.

Minuta e 42-të dhe Kukësi ka mundësi të rrezikojë me një goditje të lirë pranë zonës. Por Jean Carioca e hedh topin drejtpërdrejt në duart e portierit Alban Hoxha.

E para mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me të njëjtat formacione që e mbyllën të parën. Partizani sheh menjëherë përpara, por Ekuban kapet në pozicion të parregullt.

Eshtë minuta e 48-të dhe Partizani pretendon për penallti pas një dyluftimi mes mesfushorëve Imami dhe Trashi, por nuk ka asgjë për gjyqtarin Lorenc Jemini.

As Kukësi nuk qëndron “duarkryq” dhe në të 50-tën, Ylli Shameti godet me kokë pas një krosimi nga këndi, megjithatë gjuajtja e mbrojtësit shkon lehtë në duart e portierit Hoxha.

Kur po kronometrohej e 52-ta, një aksion “maratonë” i të kuqve, me gjuajtje të njëpasnjëshme në zonë që kthehen nga mbrojtja kuksiane, por gjithçka mbyllet me një gjuajtje të pasaktë të mesfushorit Ylber Ramadani.

Si Starova, ashtu edhe Gjoka, bëjnë zëvëndësimet e tyre, për të freskuar sulmin. Te Partizani aktivizohen Azubel dhe Fili, ndërsa te Kukësi Rangel dhe Greca.

Në të 63-tën, një mundësi e artë për kuksianët. Pejiç nxjerr një pasim të shkëlqyer për sulmuesin Lukas Rangel, por ky i fundit mes dy mbrojtësve kundërshtarë nuk e shtyn dot topin në rrjetë.

Kundërpërgjigjet menjëherë Partizani, me Ekuban që shfaqet para portierit Koliçi, të cilin provon ta mposhtë me një parabolë në dalje. Mirëpo goditja e sulmuesit është krejtësisht e pasaktë dhe përfundon shumë lart traut të portës.

Mundësia e radhës e shpërdoruar nga të kuqtë i përket minutës së 76′, kur Idriz Batha pason për sulmuesin Ekuban, i cili humb një rast të artë.

Në të 78-tën, Azubel rrëzohet në zonë dhe kërkon 11-metërsh, por nuk është i të njëjtit mendim edhe gjyqtari Lorenc Jemini, i cili vazhdon lojën.

Po në këtë minutë, Ekuban shpërdoron mundësinë më të mirë të ndeshjes. I vetëm përballë portierit Koliçi, sulmuesi bën të pabesueshmen duke gjuajtur jashtë.

Gjoka kërkon me çdo kusht ta fitojë lojën dhe nuk heq dorë nga sulmuesit. Kushtrim Lushtaku merr vendin e mesfushorit Jean Carioca në ndërrimin e tretë.

Ndeshja deri në fund nuk ka histori me të dyja ekipet, që tentojnë, por gola nuk ka…

Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka mbetet e pamposhtur dhe barazon sërish Skënderbeun në krye me 28 pikë, +3 nga Partizani.

Javën e ardhshme, Partizani pret në shtëpi Laçin, ndërsa Kukësi, edhe ajo pret në “Zeqir Ymeri” Flamurtarin. /minuta90.com/

Partizani-Kukësi 0-0

Gola: S’ka

Partizani (4-3-3): Hoxha, Ibrahimi (Fili 66’), Malota, Atanda, Kalari, Batha, Ramadani, Trashi, Vila, Bardhi (Azubel 59’), Ekuban (në dispozicion: Xhika, Hakaj, Torassa, Vatnikaj, Jaupaj) Tr: Sulejman Starova

Kukësi (4-4-2): Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla, Imami, Carioca (Lushtaku 80’), Hasani, Musolli (Greca 69’), Lena, Emini (Rangel 56’), Pejiç (në dispozicion: Koçi, Memini, Moreira, Guri) Tr: Ernest Gjoka

Gjyqtarë: Lorenc Jemini, Ergin Doda, Denis Rexha, Ermal Barushi

Kartonë të verdhë: Kalari 90’+2/ Alla 43’, Lena 77’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.