Sporti që nuk po na bashkon dhe një shembull i bukur nga Kukësi

0
SHPËRNDAJE

15230704_1318284288222140_9024224307629558798_nNë një kohë kur bota jonë po i ikën gjithnjë e më shumë humanes, me sjellje negative kudo, në shoqëri, në familje, në vendet e punës, me humbje respekti ndaj njëri-tjetrit, edhe ai që duhet ti bashkojë njerëzit, sporti, është kthyer në arenë sharjesh dhe presioni, ku tifozët kundërshtarë ofendojnë nënat dhe motrat e njeri-tjetrit. Në stadiumet tona shkojnë rrugaçë, duke u futur edhe pa bileta, duke dhunuar psikologjikisht, e rrallë herë edhe fizikisht. Megjithatë, tifozët e vërtetë kurrë nuk mungojnë. Qoftë edhe nëse aftësitë e tyre fizike nuk janë më të mirat. Ata e gjejnë mundësinë të jenë aty, për të mbeshtetur ekipin, me kulturë, me emocion sportiv, me pasion…

Djaloshi në foto është Klodi, i cili edhe pse nuk ka kondicionin normal fizik, ka lexuar, studiuar dhe gjen kohë për të bërë shumëçka që fiziku i lejon. Prej vitesh Klodi sfidon gjithçka, për tu gjendur në stadium, me hapa më të mundimshëm, por me shpirt dhe zemër të madhe. Klodi është fans i madh i FK Kukësit, djalë i këndshëm, mik i mirë, intelektual dhe me cilësitë më të mira.

Sukseset e FK Kukësit në futboll i kanë ngjallur gjithmonë krenari. Në ndeshjen me Laçin, ai u ul në tribunën VIP, aty ku fatkeqësisht ka shumë servilë. Në fakt VIP-at numëroheshin me gishta, e njëri ndër ta, i vërteti, ishte padyshim Klodi.

Ndaj, në këtë ditë ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, Klodi dhe shumë të tjerë meritojnë gjithë respektin. Sepse botën tonë e udhëheqin ligjet e fizikës. E njëri prej tyrë është ligji i kompensimit. Atë që Klodi dhe mijëra të tjerë nuk e kanë fizikisht, natyra ua ka kompensuar me një shpirt njerëzor sublim. Një shpirt që askush nga ne nuk ka shans ta ketë.

Unë personalisht, do sugjeroj stafin e FK Kukësit që Klodit t’i plotësohen të gjitha kushtet, që ta shijojë çdo minutë në stadiumin e Kukësit, si një ndër tifozët më të mirë, të zjarrtë dhe sigurisht, shumë më i domosdoshëm në stadium, sesa mijëra zëra që trashen për të sharë nënat dhe motrat e kundërshtarëve, që në fakt janë nënat dhe motrat tona!

Jetë të gjatë dhe shumësuksese i nderuar Klod!

S'KA KOMENTE

Comments are closed.