Starova: Dominuam dhe luajtëm mirë, por kemi lënë dy pikë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, pas ndeshjes me Flamurtarin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Sokol Xhihani, nuk ka ngurruar t’i cilësojë si dy pikë të humbura ato në Vlorë ndaj Flamurtarit, ku skuadra sipas tij kishte dominuar dhe e kishte merituar fitoren, ndërsa u shpreh i lumtur me atë që kishte parë nga ekipi i tij, ndërsa premtoi se ekipi nuk do të bënte gafat e vitit të kaluar kur në janar u afruan lojtarë që më pas nuk ndihmuan ekipin të bënte diferencën.

Ndeshja ndaj Flamurtarit? “Sot ishim përballë një skuadre ndër më në formë të kampionatit. Kemi dominuar pjesën e parë ndaj tyre, kishim rastin për 2-0. Janë gjëra që ndodhin në çdo vend të botës që edhe mund të pësosh. Skuadra luajti në gjendje të shkëlqyer dhe më vjen keq që nuk arriti tre pikët. Është për të ardhur keq, shpresojmë të na kthehet fati në këto dy javët e fundit. Jemi të dëshpëruar që lamë dy pikët, na vjen keq se na erdhi mundësia që të bënim golin e dytë”.

Sulmi? “Ky është luks që kemi, rezerva si Mazrekaj apo të luajmë në fushë me Ekuban, Torassa, Fili, Azubel dhe me mesfushorët Batha dhe Vila bashkë. Nuk kemi vuajtur nga ky drejtim, kemi gabuar në një moment në mbrojtje, që lamë Alves në mënyrë të pafalshme të depërtonte mes dy qendrave dhe e paguam për këtë”.

Barazimi ndaj Flamurtarit? “Duke thënë se pashë Flamurtarin me një marsh tjetër komplet, jo më kot ka fituar me të fortët. E them gjithmonë se kur një skuadër është në disavantazh, lufton edhe me ndihmën e publikut, bën presion, duhet përballur me profesionalizëm. Ne mund të shënonim golin e dytë, por e pësuam nga momenti në moment. Ishte edhe kjo atmosferë në Vlorë, me skuadra të traditës, publiku bën punën e vet. Duhet të mbrohesh mirë në ato momente që presioni të mos zgjatë shumë”.

“Detyrimin” e fitores jashtë fushe? “A shihni ndonjë tjetër kampione që ka bërë namin? Nuk ka asnjë skuadër që të bëjë këtë lloj gjëje. Patë sot Kukësin në shtëpinë e vet me Korabin, edhe Tiranën që pretendon, që nuk e di si ka luajtur por është mundur pak lehtë, nuk ka asnjë skuadër që thotë unë dal jashtë fushe dhe pretendoj të fitoj medoemos”.

Situata e Ekuban? “Ai ka pasur mundësinë të shënojë, por në kushtet që ai po bën diferencën nga të gjithë sulmuesit në Superiore, çdo gjë është e falshme. Është rrezik për çdo mbrojte kundërshtare, duron shkelmat, e thyejnë edhe në mes. Çfarë do bëjmë në janar? Skuadrat që pretendojnë, e dinë edhe çfarë u nevojitet. Por pa i hequr asnjë presje sulmuesit Ekuban, na ka udhëhequr dhe të tjerët kanë shkuar pas tij. Ka munguar fati, edhe atij si person se me golin e dytë do të ishte ndryshe”.

Merkato? “Problemi është të mbarojmë dy ndeshjet, skuadra ka luajtur mirë, është konkluzioni i të gjithëve. Jemi ruajtur nga euforia, ka meritë i gjithë kolektivi që luajmë mirë. Skuadra arriti në 10 javë të rikuperonte pikë, kemi shans në këto dy ndeshje të afrohemi më tepër, pse jo edhe të kalojmë. Në një kohë të shkurtër rikuperuam shumë pikë, kemi edhe një gjysmë kampionati para. Janari do të jetë për të gjithë skuadrat që të konstatojmë të metat dhe pse jo, edhe për të bërë ndonjë goditje. Nuk bëhet fjalë si gabuam vjet, që morëm shumë lojtarë e na iku kampionati në fund me fitoren e Skënderbeut në Vlorë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Partizanit, Sulejman Starova. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.