Starova: Duhej ta fitonim me çdo kusht, gëzimi është shumë i madh

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, duke folur për gazetarin Sokol Xhihani në mikrofonin e SuperSport, nuk e fsheh kënaqësinë për fitoren e rëndësishme, por e pranon se skuadra nuk luajti mirë…

“Po, i thatë të gjitha, ishte një ndeshje që duhej ta fitonim me çdo kusht. Edhe gëzimi ishte shumë i madh, sidomos për mënyrën si fituam.”

“Kishim mundësi të mira në fillim, por e dinim që Tirana do të na godiste në kundërsulm. Disa lojtarë nuk ishin në formë të mirë, bëmë shumë gabime, gabime që nuk falen. Nuk kisha parë asnjëherë kaq shumë gabime, ndikoi edhe tensioni i madh i rëndësisë së ndeshjes, por rëndësi ka fitorja në fund të fundit.”

“Gjyqtari Xhaja m’u duk i paanshëm. Nëse ka gabuar, si në dëmin tonë, apo edhe të Tiranës, mendoj se e ka bërë pa qëllim. I bëj komplimente gjyqtarit Xhaja, sepse ishte një djalosh i ri. Isha kurioz për traversën e mesfushorit Mazrekaj, por tani që marr vesh që nuk e ka kaluar vijën fatale, jam më i qetë.”

“Mazrekaj nuk ka bërë asnjë seancë përveç ditës së djeshme. Nëse do të ishte titullar, do të luante me gjilpëra, por nuk e lejova këtë gjë. Ka shumë cilësi dhe na shërben në çdo moment, prandaj u aktivizua. Sot fituam edhe sulmuesin Sukaj, që na nderoi, edhe pse nuk është ende 100%. Jam shumë i kënaqur nga të dy, sepse këta lojtarë cilësorë arrijnë të bëjnë diferencën. Lojtarët që janë më mirë fizikisht duhej të jepnin më shumë, gjë që nuk ndodhi në fakt. Bëmë shumë gabime, do t’i analizojmë.”

“Çdo ndeshje është finale, nuk ka ndonjë ndeshje të lehtë. Fituam finalen e radhës, lojtarët po e kuptojnë që finalet duhen fituar. Duhet të durojmë stresin dhe akumulimin e nervave. Nëse lojtarët duan të bëhen kampionë, këto janë betejat që i kalitin dhe i bëjnë futbollistë të mirë.”

“Vila është një titullar i yni, me të mirat dhe të këqijat e veta, na duhet shumë si futbollist.”

“Çetkoviç është lojtar trekuartist, vuan në 20 metrat e fundit. Ramadani e bën më mirë se të tjerët rolin e mesfushorit pas trekuartistit, edhe pse nuk është brilant në disa gjëra. Kompensojnë njëri-tjetrin, prandaj përshtaten mirë.”

“Me atë portier si Ilion Lika, me ata lojtarë me emër që ka, me talentet e rinj dhe disa të huaj cilësorë si Ndockyt, Nkounkou apo dhe Edeh, nuk është për atë renditje. U ka ecur keq, kanë hallet e tyre, problemet me tifozët, prandaj është normale që të jenë keq në renditje. Për hir të Kupës së Shqipërisë mund të kenë lëshuar në kampionat, por është shumë e vështirë t’i mbash lojtarët të karikuar 100%”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Partizanit, Sulejman Starova. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.