Starova: Fitore e vështirë, pasi edhe Vllaznia luajti shumë mirë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, pas ndeshjes me Vllazninë, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Sokol Xhihani, u shpreh se ishte një fitore e vështirë, pasi edhe Vllaznia e vendosi në vështirësi, pasi shkodranët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë.

Fitore e vështirë, sepse nuk jemi një skuadër e aftë që t’i fitojë ndeshjet pa hasur në rezistencë. Të gjitha skuadrat janë të forta dhe duan pikë, vështirësitë shtohen edhe nga kundërshtari.

Është e vërtetë që në pjesën e parë vuajtëm, por është meritë e Vllaznisë, që luajti shumë mirë dhe shënoi, ndërkohë që edhe më pas luajti futboll të mirë dhe sulmoi.”

“Për këtë arsye, ndeshja u bë e vështirë për meritë të kundërshtarit, jo për fajin e skuadrës tonë, por jam i kënaqur me reagimin e skuadrës dhe është një “fitore e madhe”, sepse ishim të detyruar të fitonim. Falënderoj publikun që na ndoqi në “Selman Stërmasi”, sepse janë vendimtarë për të na shtyrë drejt titullit.”

Ndërrimet? “Nuk është vetëm aty çelësi i fitores. Nuk duhet të harrojmë që kundërshtari nuk e mban dot ritmin e pjesës së parë për 90 minuta, ndaj edhe lojtarët që futen nga stoli mund të japin diçka më shumë, nuk do të thotë që formacioni titullar ishte i gabuar.”

“Vllaznia është emër i madh i futbollit shqiptar dhe ka një fanellë të rëndë, aq më tepër që ka disa lojtarë shumë cilësorë. Edhe ne kemi probleme, pasi Cetkoviç nuk është në gjendjen më të mirë, edhe Ekuban nuk është në formë optimale.

Mua skuadra më pëlqeu për karakterin që tregoi, arriti të fitonte edhe në një fushë që nuk është aq cilësore sa ajo e “Elbasan Arena”, por e dinim këtë problem.”

Skema me 3 mesfushorë qendrorë? “Nuk është e vërtetë, ne kemi luajtur vetëm me dy mesfushë, ndërsa të tjerët kanë qenë në sulm. Nuk kemi qenë brilantë, por kjo shpjegohet te paraqitja e mirë e kundërshtarit.”

Triumfi i këtij sezoni, a do të ishte më i bukuri në karrierë? “Nuk do mend kjo. Megjithatë, unë dua që të jemi në nivel të barabartë, sepse ne shkojmë dy herë në Gjirokastër, ndërsa Skënderbeu luan në fusha asnjëanëse, edhe nesër kundër Korabit.

Nëse ndodh kështu, nuk është e mirë, sepse gara prishet”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Partizanit, Sulejman Starova. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.