Starova: Ishim superiore ndaj Skënderbeut, duhet të kishim fituar

0
SHPËRNDAJE

starovaTrajneri i Partizanit, Sulejman Starova, pas ndeshjes me Skënderbeun, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Dritan Shakohoxha, u shpreh se ekipi i tij ishte superior ndaj Skënderbeut dhe theskoi se Partizani duhet të kishte fituar.

“Lojë superiore ndaj Skënderbeut? Na ngushëllon ky fakt sepse duhet të kishim fituar me volumin dhe rastet e krijuara. Kemi shkurtuar shumë distancën me kreun, skuadra është në gjendje të mirë në fund të fazës së parë, por nuk jemi të kënaqur sepse sot duhej fitore. Megjithatë këto janë gjëra që ndodhin.”

“Shumë raste që nuk u shfrytëzuan? Të luash gjatë gjithë kohës duke mbajtur në presion Skënderbeun nuk është e lehtë. Luajtëm gjatë gjithë lojës shumë lart, por superioriteti në pjesën e parë nuk mund të vazhdonte shumë gjatë sepse harxhuam shumë energji që krijuam rastet, ndërkohë Skënderbeu u lodh më pak sepse priste. Kartoni i kuq na penalizoi për vazhdimësinë e lojës, por kur mbetën dhe ata me 10, treguam që donim të fitonim.”

“Kartonët e sulmuesit Torassa dhe mbrojtësit Kalari? Kemi punuar dhe para ndeshjes në lidhje me tensionin. Nuk kisha dyshim në lidhje me mobilizimin për të bërë ndeshje të madhe dhe kur kërkon fitore me çdo kusht duhet të jesh i kujdesshëm me nervat. Nuk iu falet profesionistëve të bëjnë veprime të tilla. Në pjesën e parë arbitri toleroi më tepër për kartonat, sidomos për Skënderbeun, por kështu duhet të vazhdonte dhe pjesa e dytë. Gjithsesi duhet të punojmë në këtë aspekt sepse dëmtohemi nga këto episode.”

“Ndryshimet taktike? Besoj se kjo është skema e duhur për këtë ekip. Arritëm të krijonim presion ndaj kundërshtarit dhe nuk ia mundësuam qarkullimin e topit falë kësaj vendosjeje.”

“Tension te tifozët? Nuk dua të fajësoj policinë, por po dënohen ekipet edhe për fyerje. Loja shëmtohet edhe kur ndërhyn qëndra e zërit për të parandaluar fyerjet. Nuk mund të ndëshkohen këto veprime sepse kështu ndodh në gjithë botën.”

“Isha i tensionuar gjatë ndeshjes? Nuk mund të jesh i qetë në ndeshje si kjo sepse kemi trysni dhe objektiva madhorë.”

“Titulli kampion? Kjo mënyrë loje që u bë sot e ka burimin te përgatitja për këtë ndeshje. Pretendojmë për titullin sepse jemi skuadra më në formë. Flitej ndryshe kur ndesheshim para 2 vjetësh me Skënderbeun sepse kishin lojtarë shumë cilësorë dhe duhej t’i ndalje në tjetër formë dhe të përdorje të tjera mënyra për t’i sulmuar, por tani jemi të barabartë në cilësi, jemi më mirë në lojë dhe jemi skuadra më e fortë e momentit”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Partizanit, Sulejman Starova. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.